Lajme Zone
Zbardhen detaje nga vdekja e këngëtarit grek, ekspertiza zbulon 9 substanca në trupin e George Mazonakis
BotëGazeta Tema

Zbardhen detaje nga vdekja e këngëtarit grek, ekspertiza zbulon 9 substanca në trupin e George Mazonakis

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e këngëtarit të njohur grek, George Mazonakis. Një ekspertizë toksikologjike e përgatitur nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë në Universitetin Aristotel të Selanikut ka zbuluar praninë e nëntë substancave në trupin e artistit.

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e këngëtarit të njohur grek, George Mazonakis. Një ekspertizë toksikologjike e përgatitur nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë në Universitetin Aristotel të Selanikut ka zbuluar praninë e nëntë substancave në trupin e artistit.

Sipas raportimit të medias greke “Protothema”, raporti prej rreth 30 faqesh e identifikon propofolin si substancën përgjegjëse për vdekjen e këngëtarit. Tetë substanca të tjera janë gjetur gjithashtu në organizmin e tij dhe, sipas informacioneve të cituara nga kjo media, mund të kenë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

Një nga momentet kryesore që përshkruhet në ekspertizë është episodi i ndalimit të frymëmarrjes që Mazonakis pësoi gjatë procedurës së plazmaferezës, pasi i ishte administruar propofol si anestetik. Sipas burimeve të cituara nga “Protothema”, nëse në klinikë do të kishte pasur oksigjen në dispozicion, këngëtari mund të ishte shpëtuar.

Propofoli është një medikament anestetik intravenoz me veprim të shpejtë, i cili përdoret për të shkaktuar dhe mbajtur anestezinë. Ai kërkon monitorim të kujdesshëm të pacientit, pasi mund të shkaktojë probleme serioze me frymëmarrjen.

Edhe media greke “To Vima” raportoi se analizat toksikologjike të Universitetit Aristotel zbuluan nëntë substanca në gjakun e këngëtarit, duke e vendosur propofolin në qendër të hetimit. Sipas ekspertit mjekoligjor Dimitris Galenteris, disa prej substancave të tjera mund të kenë përforcuar efektin e tij.

George Mazonakis humbi jetën më 9 shtator, në moshën 54-vjeçare, pasi pësoi arrest kardiak gjatë një procedure plazmafereze në një klinikë private në zonën e Kolonakit, në Athinë. Ai u transportua më pas në spitalin “Elpis”, ku u konfirmua vdekja.

Dy mjekët e lidhur me klinikën ndodhen në paraburgim në kuadër të hetimeve për rastin. Raporti toksikologjik pritej t’i përcillej Shërbimit të Mjekësisë Ligjore në Athinë dhe më pas materialet të përfshiheshin në dosjen e hetimit.

Megjithatë, hetimet nuk kanë përfunduar. Autoritetet presin edhe rezultatet e ekzaminimeve të tjera mjekoligjore, për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe mekanizmin e vdekjes së këngëtarit.