Lajme Zone
“Miqësia” Trump-Putin trazon SHBA-në, kreu i inteligjencës amerikane: Nuk është miku ynë!
BotëPamfleti

“Miqësia” Trump-Putin trazon SHBA-në, kreu i inteligjencës amerikane: Nuk është miku ynë!

“A është Vladimir Putini mik i Amerikës? Ai nuk është mik i Amerikës në Ukrainë. Aspak. Aspak”, u shpreh ai.

Trump dhe Putin Deklarata e Donald Trump, i cili e quajti Vladimir Putinin “mik”, ka rikthyer debatin mbi marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën. Donald Trump e quan Vladimir Putinin mik, por kur kreut të inteligjencës amerikane iu kërkua të shpjegonte nëse presidenti rus është edhe mik i Shteteve të Bashkuara, përgjigjja ishte tjetër.

“A është Vladimir Putini mik i Amerikës? Ai nuk është mik i Amerikës në Ukrainë. Aspak. Aspak”, u shpreh ai. Këtë deklaratë e bëri drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, Jay Clayton, gjatë intervistës në emisionin “This Week”, ku gazetari Jonathan Karl e pyeti për qëndrimin e Donald Trump ndaj presidentit rus. Trump e kishte quajtur Putinin “mik” gjatë vizitës së tij në Kinë dhe më pas kishte publikuar në Truth Social një fotografi me të, duke përdorur të njëjtin përcaktim.

Kur gazetarët e pyetën nëse Putini ishte edhe mik i Amerikës, presidenti amerikan nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se nuk mund të fliste në emër të vendit. Pikërisht këtë dallim kërkoi të sqaronte Jonathan Karl.

Clayton fillimisht mbrojti kontekstin diplomatik të deklaratës së Trump. Ai argumentoi se takimi mes drejtuesve të tri fuqive kryesore bërthamore kishte rëndësi për shmangien e një incidenti bërthamor, veçanërisht në një periudhë konfliktesh ndërkombëtare.

Sipas tij, përdorimi i fjalës “mik” ishte i përshtatshëm në kontekstin e një komunikimi diplomatik që synonte të shmangte përshkallëzimin. Por gazetari këmbënguli dhe e përsëriti pyetjen nëse Vladimir Putini ishte mik i Shteteve të Bashkuara.

Atëherë Clayton bëri dallimin mes komunikimit të Trump me presidentin rus dhe rolit të Moskës në luftën në Ukrainë, duke deklaruar dy herë se Putini nuk është mik i Amerikës në këtë konflikt.

Përgjigjja nuk e kundërshtoi përdorimin diplomatik të fjalës “mik”, por vendosi një kufi të qartë për mënyrën se si zyrtari amerikan e përshkruan marrëdhënien me Rusinë në Ukrainë.

Intervista nuk u kufizua vetëm te marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Një pjesë e rëndësishme e saj iu kushtua sigurisë kibernetike, pas raportimeve për një ndërhyrje në bazën e të dhënave kriminale të FBI-së. Clayton konfirmoi se agjencia po trajtonte një incident kibernetik, por nuk dha detaje për autorët apo dëmet e mundshme. Ai deklaroi se numri i incidenteve kibernetike të raportuara në FBI ishte rritur nga rreth 750 mijë në vitin 2020 në mbi një milion.

Sipas tij, zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe rritja e fuqisë kompjuterike po nxjerrin në pah dobësitë e infrastrukturës dixhitale amerikane, e cila kërkon modernizim.

Jonathan Karl kërkoi të dinte nëse ndërhyrja në sistemet e FBI-së përbënte një sulm më serioz se incidentet teknologjike që kishin prekur Microsoft, Administratën Federale të Aviacionit, JPMorgan dhe institucione të tjera.

Clayton deklaroi se ndërprerjet e raportuara gjatë javës nuk kishin qenë të koordinuara dhe nuk kishin pasur mbështetje shtetërore. Ai i lidhi ato me përditësimet e sistemeve teknologjike, por nuk dha një përfundim të tillë për incidentin në FBI. Ai pranoi se sulmet kibernetike po shtohen dhe se institucionet amerikane duhet të investojnë në përmirësimin e sistemeve të mbrojtjes.

Një tjetër temë e intervistës ishte Kina dhe kontrolli mbi eksportin e teknologjisë amerikane të inteligjencës artificiale. Gazetari solli akuzat e senatorit republikan Tom Cotton ndaj sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, të cilin e kishte kritikuar për shpërfilljen e paralajmërimeve mbi kontrabandën e çipave drejt kompanive kineze. Cotton kishte ngritur shqetësimin se vonesat në marrjen e masave mund të kishin shkaktuar dëme për sigurinë kombëtare. I pyetur nëse senatori kishte të drejtë, Clayton nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Ai shpjegoi se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime për eksportin e teknologjive më të avancuara, por nuk kanë ndaluar të gjitha shitjet e produkteve teknologjike jashtë vendit.

Sipas tij, Uashingtoni synon të ruajë epërsinë në teknologjitë më të sofistikuara, ndërsa kompanitë amerikane duhet të vazhdojnë të marrin pjesë në ndërtimin e infrastrukturës dixhitale në tregjet ndërkombëtare.

Jonathan Karl këmbënguli nëse mosveprimi i pretenduar i Departamentit të Tregtisë kishte dëmtuar sigurinë kombëtare. Clayton nuk dha një vlerësim konkret për dëmet e mundshme dhe e cilësoi çështjen si pjesë të debatit mbi kufizimet e eksporteve teknologjike.

Biseda vazhdoi me kompaninë Nvidia dhe dyshimet për përdorimin e çipave amerikanë nga Kina. Gazetari e pyeti për Alice Huang, ndaj së cilës, sipas pyetjeve të ngritura gjatë intervistës, ekzistonin dyshime se mund të kishte ndihmuar autoritetet kineze për të siguruar informacione apo teknologji.

Clayton deklaroi se ndaj saj dhe kompanisë së saj po zhvillohej një hetim dhe se nuk do të komentonte përpara përfundimit të procedurave.

I pyetur nëse mund të garantonte se çipat Nvidia nuk ishin përdorur për të mbështetur ushtrinë kineze, ai nuk dha një garanci të tillë.

Pjesë nga intervista: Jonathan Karl: Me mua është zyrtari më i lartë i inteligjencës amerikane, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton. Drejtor Clayton, faleminderit që jeni me ne këtë mëngjes. Dua ta nis menjëherë me raportimet për një ndërhyrje të fundit kibernetike në bazën e të dhënave kriminale të FBI-së. Çfarë mund të na thoni?

Jay Clayton: Jon, më lejoni ta vendos në kontekst. Këtë javë është diskutuar shumë për sigurinë tonë kibernetike dhe infrastrukturën dixhitale. Përpjekjet për të depërtuar në sisteme dhe incidentet kibernetike kanë qenë prej kohësh pjesë e ekonomisë dhe jetës amerikane. Nga ato që kemi dëgjuar për FBI-në dhe nga bisedat që kam zhvilluar me përfaqësuesit e saj, ata po përballen me një incident dhe po e trajtojnë sipas procedurave të zakonshme. Më lejoni t'ju jap disa të dhëna. Në vitin 2020, FBI-së iu raportuan rreth 750 mijë incidente kibernetike. Sot ky numër ka kaluar një milion.

Por ajo që po shohim, dhe dua që amerikanët ta kuptojnë, është një ndryshim i madh teknologjik. Po përballemi me superinteligjencën dhe me një fuqi kompjuterike që po rritet në mënyrë eksponenciale, ndërkohë që kemi një infrastrukturë dixhitale të vjetruar. Nevoja për të përmirësuar infrastrukturën tonë dixhitale është e qartë. Kjo është situata me të cilën përballemi sot.

Jonathan Karl: Pra, ju nuk e shihni këtë si një sulm veçanërisht alarmues? Nuk po flasim për një sulm që FBI-ja ka raportuar, por për një sulm kundër vetë FBI-së. A kemi ndonjë ide se kush qëndron pas tij?

Jay Clayton: Jo, për momentin nuk mund të hyj në hollësitë e këtij incidenti. Ajo që mund të them është se FBI-ja ka profesionistë shumë të kualifikuar që trajtojnë incidente të tilla si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Jam i sigurt se do t'i marrim përgjigjet në kohën e duhur, ashtu siç i kemi marrë për incidentet që ndodhën gjatë javës së kaluar në NSA, Microsoft dhe institucione të tjera. Një nga gjërat e rëndësishme për Amerikën, dhe ua kujtoj gjithmonë njerëzve kur afrohet java e Ditës së Falënderimeve, është transparenca. Ne mbledhim faktet dhe më pas i ndajmë me qytetarët amerikanë. Kjo do të ndodhë edhe në këtë rast.

Jonathan Karl: Dhe ju vazhdoni të jeni i bindur se incidentet e tjera që kemi parë, duke filluar nga Microsoft, Administrata Federale e Aviacionit, JPMorgan dhe të tjerët, ishin probleme teknike dhe jo sulme kibernetike? Por incidenti në FBI është ndryshe. Kemi dëgjuar gjithashtu për një incident në Departamentin e Bujqësisë. Çfarë mund të na thoni për këtë? A keni informacion se kush qëndronte pas asaj ndërhyrjeje?

Jay Clayton: Sërish, nuk do të hyj në hollësi. Por dua t'u them qartë amerikanëve atë që dimë. Incidentet që pamë gjatë kësaj jave nuk ishin të koordinuara dhe nuk kishin mbështetje nga ndonjë shtet. Ato ishin vonesa, ndërprerje shërbimesh dhe probleme të ngjashme që erdhën si pasojë e përditësimeve të sistemeve, të cilat janë absolutisht të nevojshme për të ardhmen. Do të shohim më shumë raste të tilla. Kompanitë dhe qeveria duhet të tregohen transparente me qytetarët amerikanë. Ne kemi sisteme të vjetruara në një mjedis teknologjik që ndryshon me shpejtësi dhe duhet t'i përditësojmë për të garantuar sigurinë kibernetike. Sa u përket sulmeve kibernetike, ato janë shtuar, siç e përmenda më parë. Por kjo është një çështje me të cilën përballemi prej kohësh. Dua të theksoj diçka për Amerikën. Ne kemi kompanitë kryesore të sigurisë kibernetike në botë. Janë kompani shumë të mëdha pikërisht sepse kemi kohë që investojmë dhe punojmë për këtë problem. Nëse shihni kompanitë kryesore të pavarura të sigurisë kibernetike në Amerikë, ato kanë kapitalizim tregu prej 200 apo 300 miliardë dollarësh. Kjo tregon përmasën e përpjekjeve, aftësive krijuese dhe kapitalit njerëzor që kemi investuar në këtë fushë. Amerika do të udhëheqë botën në mbrojtjen e infrastrukturës dixhitale, Jon.

Jonathan Karl: Dua të kaloj te Kina. Senatori Tom Cotton, siç besoj se e keni parë, i tha këtë javë gazetës “The Wall Street Journal” se sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, kishte shpërfillur vazhdimisht paralajmërimet për kontrabandën e çipave të inteligjencës artificiale drejt Kinës. Ai tha: “Nëse Howard Lutnick donte mbështetjen time, ndoshta duhej t'u ishte përgjigjur letrave të mia të shumta që paralajmëronin për kompanitë fasadë të Partisë Komuniste Kineze dhe, çka është më e rëndësishme, t'i kishte marrë më seriozisht kërcënimet nga Kina komuniste”. Cotton tha se administrata ndërmori disa hapa këtë javë, por shtoi se veproi shumë vonë dhe se tani duhet të dokumentohen dëmet që janë shkaktuar. Pra, a ka të drejtë Tom Cotton? A është shkaktuar dëm për shkak të asaj që Departamenti i Tregtisë nuk ka bërë? Dhe sa i madh është ky dëm?

Jay Clayton: Ta shpjegojmë çështjen në mënyrë që amerikanët ta kuptojnë. Ne kemi kufizime për eksportin e teknologjisë më të avancuar. Janë kufizime, jo ndalime të përgjithshme. Çfarë duam ne si amerikanë? Duam të ruajmë patjetër epërsinë tonë në teknologjinë më të sofistikuar. Kjo do të thotë të mos lejojmë që kundërshtarët tanë të kenë akses në të. Por njëkohësisht duam të udhëheqim ndërtimin e infrastrukturës teknologjike në mbarë botën. Kjo do të thotë se teknologjitë më pak të avancuara duhet të jenë të disponueshme në tregjet ndërkombëtare për ndërtimin e kësaj infrastrukture dixhitale. Departamenti i Tregtisë dhe Departamenti i Thesarit merren me rregullimin e këtij aksesi. Për hollësitë konkrete do t'ua lë fjalën atyre.

Jonathan Karl: Por Cotton po thotë drejtpërdrejt se Howard Lutnick i shpërfilli paralajmërimet e tij dhe, si pasojë, dëmtoi sigurinë kombëtare të vendit. A e ka gabim Tom Cotton?

Jay Clayton: Jon, ajo që dua të them është se ne duam të udhëheqim ndërtimin e kësaj infrastrukture në të gjithë botën, por njëkohësisht duam të mbajmë për Amerikën aftësitë teknologjike më të avancuara. Për këtë çështje ka vend për debat dhe unë e mbështes këtë diskutim.

Jonathan Karl: Në rregull. Nuk dëgjova një përgjigje të drejtpërdrejtë, por po kaloj te një çështje tjetër e rëndësishme që lidhet me këtë.

Jonathan Karl: Dua të sqaroj diçka lidhur me Nvidia. A i ka kaluar Alice Huang, gruaja për të cilën është raportuar se ka pasur një marrëdhënie intime me Jensen Huang, informacione qeverisë komuniste kineze, apo e ka ndihmuar atë në ndonjë mënyrë tjetër?

Jay Clayton: Jon, siç e ka bërë të qartë Prokurori i Përgjithshëm Blanche, po zhvillohet një hetim ndaj kompanisë së saj dhe ndaj vetë asaj. Unë do të pres përfundimin e këtij hetimi.

Jonathan Karl: A mund të thoni me siguri se çipat Nvidia nuk janë përdorur për të mbështetur ushtrinë kineze?

Jay Clayton: Jo, ta themi qartë.

Çipat Nvidia janë teknologjia më e çmuar. Janë në nivelin më të lartë dhe të gjithë duan t'i kenë.

Pikërisht për këtë arsye po përqendrohemi te kjo çështje.

Njerëzit janë të gatshëm të bëjnë shumë për t'i siguruar. Madje edhe të shkelin ligjin.

Tashmë ka aktakuza që përfshijnë kompani të tjera, ku persona të caktuar kanë shkelur ligjin për të siguruar akses te çipat Nvidia.

Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë rëndësi që ne të ruajmë epërsinë tonë dhe të kuptojmë se si duhet ta kontrollojmë aksesin në këtë teknologji në mbarë botën.

Jonathan Karl: A e dini ku ndodhet Alice Huang në këtë moment?

Jay Clayton: Jon, nuk mund t'jua them. Nuk e di.

Jonathan Karl: Nuk e dini. Ka raportime se ajo ndodhet në Kinë.

Jay Clayton: Ah.

Jonathan Karl: Dua t'ju bëj një pyetje tjetër për vizitën e fundit të presidentit në Kinë, gjatë kësaj jave. Ai e quajti Vladimir Putinin “mik”, siç ka bërë edhe më parë. Më pas publikoi në Truth Social një fotografi me Vladimir Putinin, duke shkruar “miku im”. Kur u pyet për këtë gjatë javës, gazetarët i thanë: “Ai është miku juaj. A është edhe mik i Amerikës?” Presidenti u përgjigj: “Nuk mund të flas në emër të Amerikës”. Por po jua bëj juve këtë pyetje. Ju jeni drejtori i Inteligjencës Kombëtare. A është Vladimir Putini mik i Amerikës?

Jay Clayton: Ajo bisedë dhe ajo fotografi, një fotografi historike, duhet të shihen në kontekstin e takimit të tri fuqive bërthamore, tri fuqive kryesore bërthamore. Ato u mblodhën dhe thanë se nuk mund të lejojmë të ndodhë një incident bërthamor. Është e jashtëzakonshme që të tre u mblodhën dhe zhvilluan një diskutim të tillë në një periudhë kur bota po përballet me konflikte. Kjo duhet të na japë siguri, sepse tri fuqitë bërthamore të botës u ulën së bashku dhe thanë se nuk do të shkojnë në atë drejtim.

Jonathan Karl: Por pyetja ime...

Jay Clayton: Mendoj se sa herë ndodh diçka e tillë... Por më lejoni të them...

Jonathan Karl: Po.

Jay Clayton: Brenda atij diskutimi, në atë kontekst, përdorimi i fjalës “mik” është plotësisht i përshtatshëm.

Jonathan Karl: Po, por pyetja ime është: A është Vladimir Putini mik i Amerikës? Sepse Trump tha se nuk mund t'i përgjigjej kësaj pyetjeje.

Jay Clayton: Shikoni, unë... Jon...

Jonathan Karl: A është ai mik i Amerikës?

Jay Clayton: Jo, a është Vladimir Putini mik i Amerikës? Ai nuk është mik i Amerikës në Ukrainë. Aspak. Aspak. /Përshtati "Pamfleti", nga "Abc news"trump dhe putin Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Theresa May përplaset me laburistët për Brexit: Mos u kërkoni britanikëve të votojnë sërish! 22 Nëntor 2026, 15:3015:30Rajoni dhe Bota Jeta jashtëtokësore më pranë Tokës, shkencëtarët e NASA-s bëjnë zbulimin shokues në sistemin tonë diellor! 22 Nëntor 2026, 15:1115:11Rajoni dhe Bota Kush e sn realisht botën? Lufta e heshtur përtej Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë 22 Nëntor 2026, 14:5014:50Rajoni dhe Bota Trump e quajti Putinin “mikun tim”, ministri britanik: Ai është kasap, jo mik i Britanisë 22 Nëntor 2026, 14:0014:00Rajoni dhe Bota Përplasje mes Uashingtonit dhe Netanyahut: Kush po e pengon çarmatimin e Hamasit? 22 Nëntor 2026, 13:4013:40Rajoni dhe Bota Tërmeti politik që mund të ndryshojë Europën, kush po përgatitet të marrë kontrollin e BE-së? 22 Nëntor 2026, 13:3613:36Rajoni dhe Bota