Lajme Zone
Yllka Gjollesha: Zoti Blushi, e dini pse kinemaja shqiptare ka zgjedhur
PolitikëShqiptarja

Yllka Gjollesha: Zoti Blushi, e dini pse kinemaja shqiptare ka zgjedhur

"Fshati shqiptar sot nuk është ai që duket në filmat tuaj të vjetër. Është boshatisur, të rinjtë kanë ikur, shtëpitë janë mbyllur, jeta sociale është zhvendosur dhe ka një realitet krejt tjetër demografik, ekonomik dhe kulturor".

E lexova me interes shkrimin tuaj për filmat e rinj shqiptarë. Ka shumë të vërteta në atë që thoni, sidomos për një prirje të dukshme drejt një estetike të zymtë, të varfër dhe shpesh të përsëritur. Por më duket se mungon një element themelor në këtë kritikë: kushtet në të cilat bëhet sot filmi shqiptar. E dini pse kineastët shqiptarë shkojnë në fshat? Sepse fshati është dekori më i lirë që mund të ketë një film. Nuk ka nevojë të ndërtosh një qytet, të marrësh me qira një hotel modern, një zyrë të madhe, një restorant, një klub nate, një apartament luksoz, një bankë, një spital, një kompani, një studio televizive apo një lagje të tërë. Nuk ke nevojë të paguash dhjetëra aktorë dhe figurantë, të bllokosh rrugë, të organizosh trafik, të ndërtosh skenografi, të krijosh një botë urbane me drita, makina, vitrina, njerëz dhe lëvizje. LEXO EDHE:'Luna Park' sjell ’97-ën në Festivalin e Filmit Shqiptar! Aktori Nik Xhelilaj, 'heroi i keq' i firmave piramidale Në fshat ke një shtëpi, një rrugë, një arë, një kafene dhe disa njerëz. Dhe, mbi të gjitha, ke atë që kërkon çdo producent kur buxheti është i vogël: hapësirë të madhe dhe kosto të vogël. Prandaj do të ishte pak e padrejtë t’u kërkosh kineastëve shqiptarë të bëjnë Goodfellas, Taxi Driver apo The Godfather, kur mezi kanë paratë për të paguar ditët e xhirimit. Kjo nuk do të thotë se çdo film i bërë në fshat është i mirë. Përkundrazi. Shumë prej tyre përsërisin të njëjtin fjalor vizual: rrugë të boshatisura, shtëpi të rrënuara, burra të heshtur, gra të lodhura, alkool, varfëri, dhunë, vetmi dhe një natyrë që duket sikur ka marrë përsipër të mbajë gjithë depresionin kombëtar. Por këtu duhet bërë një dallim. Fshati që shfaqet sot në këto filma nuk është fshati i “Beni ecën vetë”. Ai fshat kishte jetë, kishte fëmijë, zhurmë, humor, marrëdhënie njerëzore, konflikt, punë, lojë dhe komunitet; edhe kur ishte i varfër, ishte një vend ku njerëzit jetonin. Fshati i sotëm shqiptar është shpesh një hapësirë pothuajse e zbrazët. Nuk ndodh asgjë natën , madje ndonjëherë të mungojnë edhe xixëllonjat, dhe ditën shfaqet aty-këtu ndonjë personazh i kërrusur mes vetmisë, skamjes dhe dëshpërimit. Fshati shqiptar sot nuk është ai që duket në filmat tuaj të vjetër. Është boshatisur, të rinjtë kanë ikur, shtëpitë janë mbyllur, jeta sociale është zhvendosur dhe ka një realitet krejt tjetër demografik, ekonomik dhe kulturor. Pra, paradoksi është se kineastët nuk po tregojnë domosdoshmërisht një fshat romantik. Shpesh po tregojnë pasojën e zbrazjes së tij. Por le të vijmë te qyteti që ju kërkoni. Ju doni të shihni Tiranën e ndriçuar, të rinjtë, makinat, lokalet, hotelet, luksin, jetën e natës, vajzat me fustane, burrat me kostume, shpejtësinë dhe aventurën. Edhe unë dua t’i shoh, madje do të doja t’i shihja shumë më tepër. Por një qytet në kinema nuk është thjesht një rrugë ku vendos kamerën. Qyteti kushton. Duhet skenografi, ndriçim, shumë aktorë, figuracion, makina, lokacione, leje, kohë, produksion dhe, mbi të gjitha, para. Dhe këtu po e lëmë mënjanë për momentin pyetjen e madhe: sa janë realisht buxhetet e filmave shqiptarë? Sepse ndoshta, përpara se të pyesim pse një film shqiptar nuk ka madhështinë e një prodhimi ndërkombëtar, duhet të pyesim sa para i kemi dhënë kineastit për ta ndërtuar atë madhështi. Por ka edhe një arsye tjetër, shumë më interesante, pse qyteti mungon: Qyteti shqiptar i sotëm është shumë më i vështirë për t’u filmuar. Më lejoni ta shpjegoj me filmat që përmendni vetë. Beni nuk ecën dot më vetë në atë qytet. Mimoza nuk luan dot më me të njëjtën pafajësi në lagjen e dikurshme. Tomka dhe shokët e tij nuk kanë më të njëjtin qytet ku të zhvillojnë aventurën e tyre. As zyrtarët nuk mund t’i xhirosh më me të njëjtën bindje morale me të cilën i shihnim dikur në filma, duke bërë punën me pasion, duke luftuar burokracinë dhe duke denoncuar korrupsionin. Sepse nëse do ta filmonim realitetin e sotëm me të njëjtën sinqeritet, filmi do të bëhej për patronazhistin, tenderin, korrupsionin në zyrat publike, klientelizmin, nepotizmin dhe administratën që shpesh funksionon sipas lidhjeve dhe jo sipas meritës. Dhe kjo nuk është më komedi e lehtë. Është një realitet shumë më i hidhur. Edhe të rinjtë që ju kërkoni në filma janë aty. Shkoni një mbrëmje në periferi të Tiranës, shkoni deri në Lundër dhe shihni makinat e parkuara, lokalet, grupet e të rinjve, paratë, dëshirën për konsum, jetën e natës dhe, krahas saj, edhe qarkullimin e substancave narkotike. Aty ka material për dhjetëra filma. Por, a duam vërtet ta shohim atë film? Sepse pastaj vjen bota tjetër e qytetit: lokalet ku vitrinat njerëzore mbushen me vajza që ekspozohen dhe burra që i sodisin, ekonomia e natës, alkooli, droga, pornografia sociale e rrjeteve, obsesioni me luksin, makina si simbol statusi, influencuesit, paratë e shpejta dhe një brez që shpesh jeton mes dëshirës për t’u dukur dhe ankthit për të mos mbetur pas. Edhe kjo është Shqipëria. Por nuk është Shqipëria që duam t’ua prezantojmë të huajve. Dhe këtu mendoj se kinemaja shqiptare ka zgjedhur, në njëfarë mënyre, të keqen më të vogël. Ka zgjedhur fshatin sepse është më i lirë, mjerimin sepse është më i lehtë për t’u ndërtuar si dramë, heshtjen sepse është më e lirë se një skenë me njëqind njerëz, një shtëpi të rrënuar sepse nuk ka nevojë për skenografi dhe një njeri të vetëm në një rrugë bosh sepse nuk ka nevojë për një qytet të tërë. Dhe, ndoshta pa dashje, ka krijuar një estetikë që sot duket sikur është bërë formula e filmit shqiptar. Por mos ia kërkoni vetëm kineastit përgjegjësinë për këtë formulë. Shikoni edhe sistemin që e financon. Edhe ju vetë e dini se filmi nuk bëhet vetëm me ide. Prandaj duket se kritika juaj ndaj kinemasë së sotme bëhet pak e padrejtë edhe ndaj së shkuarës. Ju përmendni Kinostudion dhe, me të drejtë, kujtoni se ajo na argëtoi për dekada. Por harroni një gjë të rëndësishme: Kinostudioja kishte një industri pas vetes. Kishte studio, reparte, teknikë, aktorë profesionistë, skenaristë, kostumografi, skenografë, laboratorë dhe njerëz që merreshin vetëm me prodhimin e filmit. Kishte një shtet që financonte një industri të tërë kinematografike. Po, kishte censurë. Po, kishte ideologji. Po, kishte kufizime absurde. Por kishte edhe para, infrastrukturë dhe një sistem prodhimi. Sot kemi liri shumë më të madhe artistike, por kemi një problem tjetër: shpesh nuk kemi mjetet për ta realizuar atë liri. Nuk mund t’i kërkosh një kineasti të tregojë madhështinë e një qyteti kur i ke dhënë buxhetin e një apartamenti. Nuk mund t’i kërkosh aventurë kur nuk ke para për të xhiruar një natë. Nuk mund t’i kërkosh një kast të madh kur mezi paguan disa aktorë. Dhe nuk mund të kërkosh The Godfather kur producenti lutet që të mbyllë filmin brenda buxhetit. Megjithatë, këtu jam dakord me ju për një gjë: Kinemaja shqiptare duhet të guxojë të imagjinojë më shumë. Por këtë nuk do ta zgjidhim duke i thënë kineastit: “Mos shko në fshat.” Duhet t’i themi: “Krijo një botë tjetër.” Sepse Shqipëria nuk është vetëm varfëria e saj, por as luksi i saj i ri; nuk është vetëm fshati, por as Tirana e Instagramit; nuk është vetëm trauma, por as fasada e suksesit. Ka absurditet, humor, erotizëm, ambicie, krim, dashuri, korrupsion, emigrim, kthim, pasuri, varfëri, luks, vetmi, familje, politikë, biznes, migrim, nostalgji, dëshirë, frikë dhe një brez të tërë që po përpiqet të kuptojë çfarë vendi ka trashëguar. Aty është kinemaja që ende nuk kemi bërë. Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të bëjmë dallimin mes kritikës ndaj një filmi dhe kritikës ndaj një industrie. Unë vetë i kam kritikuar kineastët shqiptarë. Edhe 15 vjet më parë. Por më duket se atëherë kritika kishte një kuptim tjetër: kërkonim prej tyre të ishin më të guximshëm. Sot kemi një situatë tjetër. Edhe fotografia juaj ka pasur shpesh atë melankolinë që sot ua qortoni kineastëve, vetëm se, në rastin tuaj, ajo melankoli u ekspozua në një institucion serioz, me një prodhim dhe buxhet që i lejonin publikut ta shihte shumë mirë. Madje edhe në COD, një hapësirë për të cilën keni pasur jo pak kritika në të kaluarën. Kjo nuk është problem. Artistët kanë të drejtë të ndryshojnë mendim. Por edhe publiku ka të drejtë ta vërejë kontradiktën. Prandaj, zoti Blushi, ndoshta nuk duhet t’u kërkojmë kineastëve shqiptarë të mos filmojnë më fshatin. Duhet t’u japim mundësinë të filmojnë gjithë Shqipërinë: edhe qytetin, edhe natën, edhe të rinjtë, edhe luksin, edhe korrupsionin, edhe dashurinë, edhe krimin, edhe humorin, edhe absurditetin, edhe suksesin, edhe dështimin, edhe atë shqiptar që nuk është duke vuajtur. Sepse ndoshta problemi më i madh i kinemasë shqiptare nuk është se tregon shumë halle, por ende nuk ka pasur mundësi të tregojë gjithë pjesën tjetër. R.Xh/Shqiptarja.com TAG: Festivali Kombetar i Filmit Shqiptar Filmi shqiptar Kinematografia ben blushi kinematografia shqiptare Yllka Gjollesha Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (3 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

7 Shtator, 07:56

Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.9% Magjistratëve 15.9% Nuk e di 6.2% Vota total: 1746 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?