Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke komentuar zhvillimet rreth kompanisë shtetërore “KAYO”, si dhe çështjen e godinës së News24. Duke iu referuar kompanisë “KAYO”, Balliu tha se sipas tij, çështja nuk mund të trajtohet pa përfshirë kryeministrin Edi Rama. Ai përmendi Yefet dhe Arjeta Pucën, duke pretenduar se pas krijimit të kompanisë ka pasur një bashkëpunim me kompaninë e tyre. “‘KAYO’ që lidhet vetëm me Yefet dhe Arjeta Pucën, pa thirrur Ramën? Qesharake. Nëse ka një aksion apo aferë ku arkitekti është Rama, është ‘KAYO’”, u shpreh ai.
Balliu tha gjithashtu se Arjeta Puca është shfaqur fillimisht në një podcast të Edi Ramës dhe më pas, sipas tij, është krijuar “KAYO” dhe është bërë bashkëpunimi me kompaninë e Pucës. Ai paralajmëroi se Partia Demokratike do të publikojë prova konkrete lidhur me këtë çështje. “Kemi prova konkrete që do t’i nxjerrim që javën tjetër, për të gjithë, Ramën, Ballukun, Yefet etj.”, deklaroi Balliu. Një pjesë të deklaratës së tij, Balliu ia kushtoi edhe çështjes së News24, duke iu referuar zhvillimeve të gushtit 2025, kur rreth 200 punonjës nuk mundën të hynin në ambientet e punës.
Sipas Balliut, televizioni kishte një vendim gjykate, por institucionet nuk e zbatuan atë.
“Nuk kemi shtet, por narkoshtet. News24 kishte vendim gjykate, por këta nuk pyesin për gjykata. News24 kishte vendim gjykate, por këta vjedhin pasuri dhe ia kalojnë privatit”, tha ai.
Balliu e lidhi këtë çështje edhe me kompanitë “TIMAK” dhe “KAYO”, duke sqaruar se bashkëpunimi mes tyre ka sjellë krijimin e një kompanie të tretë, “Timak Defence”, ku, sipas tij, 80% është në pronësi private dhe 20% i takon shtetit shqiptar.
“Bashkëpunimi TIMAK dhe KAYO bëjnë një bashkim për një kompani të tretë, Timak Defence, ku 80 përqind e ka privati. Kjo kompani merr pronat që ia kalon shteti”, deklaroi Balliu.
Në vijim, ai pretendoi se pronat në fjalë i janë kaluar kompanisë, ndërsa sipas tij, pjesa private e pronësisë lidhet me Yefet dhe Pucën.
Balliu deklaroi se arsyeja e sulmit ndaj News24, sipas tij, lidhet me investigimet e emisionit “Vetting”, i cili, siç u shpreh ai, po trajtonte një çështje sensitive për qeverinë.
“Problemi juaj ishte që me emisionin ‘Vetting’ po hidhnit dritë mbi një çështje shumë sensitive për qeverinë, që në atë kohë nuk kishte shumë informacion”, tha Balliu. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
