Presidenti kinez Xi Jinping po vijon spastrimet në Partinë Komuniste të Kinës, ku dhjetëra zyrtarë të lartë janë përjashtuar nga radhët e saj. Mes të goditurve janë edhe drejtues të ushtrisë, ku nga shtatë anëtarët e Komisionit Qendror Ushtarak, vetëm dy kanë mbetur në detyrë: vetë Xi Jinping dhe gjenerali Zhang Shengmin. Largimet u konfirmuan pas një mbledhjeje katërditore të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, ku u diskutua forcimi i disiplinës dhe besnikërisë politike ndaj presidentit kinez. LEXO edhe...Kinë/ Vallëzimi i sinkronizuar i 110 robotëve hyn në Librin e Rekordeve Guinness (VIDEO) Gjatë mbledhjes, gjenerali Zhang Shengmin, i cili mbikëqyr fushatën kundër korrupsionit në ushtri, u emërua në Byronë Politike, një nga organet më të larta drejtuese të partisë. Emërimi i tij vjen pas një serie hetimesh për korrupsion që kanë goditur drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Popullore. “Një sinjal i qartë është se zbatimi me vendosmëri i fushatës kundër korrupsionit të Xi dhe forcimi i disiplinës së brendshme janë një mënyrë shumë e mirë për të përparuar në karrierë”, tha Neil Thomas, ekspert i politikës kineze në Institutin e Politikave të Shoqërisë Aziatike. Partia Komuniste miratoi gjithashtu masa disiplinore ndaj 33 zyrtarëve të lartë civilë dhe ushtarakë. Mes tyre është edhe Liu Jianchao, ish-drejtues i Departamentit Ndërkombëtar të partisë, i cili dikur shihej si kandidat i mundshëm për postin e ministrit të Jashtëm. Liu, i cili ka shërbyer si ambasador në Indonezi dhe Filipine, nuk është shfaqur më në publik që prej gushtit të vitit të kaluar. Ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Pekinit për të rindërtuar marrëdhëniet diplomatike pas pandemisë. Përmasat e spastrimeve u panë edhe gjatë mbledhjes së kësaj jave. Nga 205 anëtarët e Komitetit Qendror, vetëm 162 morën pjesë, ose 79% e tyre. Sipas South China Morning Post, kjo është pjesëmarrja më e ulët e regjistruar në dekada. Ndërkohë, largimet në ushtri vijnë në një moment kur Xi Jinping ka kërkuar përshpejtimin e modernizimit të forcave të armatosura dhe përgatitjen e tyre për të marrë Tajvanin me forcë, nëse do të jetë e nevojshme. Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll. Nga ana tjetër, Tajvani i kundërshton pretendimet e Pekinit. Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Xi ka kërkuar që ushtria kineze të jetë e aftë të ndërmarrë një operacion ushtarak kundër Tajvanit deri në vitin 2027. Megjithatë, Uashingtoni ka sqaruar se ky objektiv nuk do të thotë se është marrë një vendim për pushtim. Largimi i komandantëve të lartë ka ngritur pikëpyetje mbi gatishmërinë e ushtrisë kineze për të zhvilluar operacione ushtarake. Ndërkohë, emërimi i Zhang në Byronë Politike është një lëvizje e pazakontë, pasi ndryshimet në këtë organ zakonisht bëhen gjatë kongreseve të Partisë Komuniste, që mbahen çdo pesë vjet. Rasti i fundit kur një emërim i tillë është bërë mes dy kongreseve daton në vitin 1994. Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, Partia Komuniste vlerëson se përmes fushatës për forcimin e disiplinës dhe besnikërisë politike janë eliminuar rreziqe serioze brenda radhëve të saj. “Është e domosdoshme të ushtrohet mbikëqyrje rigoroze mbi edukimin, trajnimin, përzgjedhjen, emërimin, menaxhimin dhe kontrollin e zyrtarëve”, thuhet në deklaratën e publikuar pas mbledhjes. Fushata kundër korrupsionit nuk është kufizuar vetëm te ushtria. Në nëntë muajt e parë të vitit 2026, 105 zyrtarë të nivelit provincial, ministror ose më të lartë janë ndëshkuar me masa disiplinore apo administrative. Sipas të dhënave të Xinhua, të cituara nga Nikkei Asia, numri i tyre është më shumë se dyfishi i një viti më parë. Spastrimet po shtohen përpara Kongresit të ardhshëm të Partisë Komuniste, që pritet të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2027. Xi Jinping, 73 vjeç, ndodhet në mandatin e tij të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe pritet të kërkojë vazhdimin e qëndrimit në krye të saj. Deri tani, ai ka dhënë pak sinjale se po përgatit dikë për ta pasuar. U.D/ReportTv.al Kine partia komuniste Xi Jinping Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50.6% Jo 40.2% Nuk e di 9.2% Vota total: 261 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?
