Pas vendimit të dhënë nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, ku ish-liderët e UÇK u dënuan me 81 vite burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç doli në konferencë për mediat. Ai u shpreh i pakënaqur për këtë vendim sepse sipas tij nuk u dënuan për krime kundër njerëzit.
Gjatë fjalës së tij Vuçiç ‘kishte studiuar’ të gjitha reagimet e zyrtarëve të lartë nga rajoni. Vuçiç tha se e kishte planifikuar deklaratën e tij për në orën 18:30, në mënyrë që të priste reagimet e liderëve politikë nga rajoni.
Ai e nisi citimin e parë direkt nga fjala e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, duke vijuar më pas me të tjerët.
“Imagjinoni sikur një nga zyrtarët tanë të thoshte: ‘Liria ka një emër’ dhe të përmendte ndonjë serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, tha Vuçiç.
Ai përmendi gjithashtu reagimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pas shpalljes së vendimit publikoi fjalën “turp” në rrjetet sociale.
Deklarata bëhet në minutën 11:24 Duke folur për reagimet nga Prishtina, Vuçiç citoi kryeministrin Albin Kurti, i cili e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme” dhe “dënim të rëndë”, duke thënë se ai duhet të ndryshohet në procesin e apelit.
Presidenti serb iu referua edhe deklaratës së zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili e cilësoi vendimin “jashtëzakonisht të padrejtë” dhe tha se “çdo shqiptar e mban në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së”. Gjeloshaj gjithashtu deklaroi se beson se vendimi do të ndryshohet në instancat më të larta gjyqësore.
Vuçiç ngriti pyetjen nëse deklarata të tilla do të kenë pasoja për integrimin evropian të Malit të Zi.
“A do ta ndalojnë integrimin evropian sepse e fyejnë vendimin, e mohojnë sundimin e ligjit? Apo kjo vlen vetëm për serbët?”, pyeti presidenti serb.
Ai iu referua gjithashtu reagimeve të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, mes tyre Bekim Sali, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ahmeti e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
“Dhe unë mendova se ata janë kriminelë, të paktën të dënuar në shkallën e parë. Jo, të gjithë janë çlirimtarë, heronj dhe heroinat”, tha Vuçiç.
Ai iu referua edhe qëndrimit të diplomacisë kroate, duke thënë se Zagrebi, ndërsa deklaroi se “e merr në dijeni” vendimin, njëkohësisht theksoi qëndrimin e tij për kontekstin politik dhe historik të luftës në Kosovë.
Vuçiç vlerësoi se këto reagime tregojnë, sipas tij, ekzistencën e standardeve të ndryshme ndaj serbëve dhe popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë.
“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo njoftim, në çdo deklaratë”, tha presidenti serb. Top Channel

