Hetimet për vdekjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet më 8 shtator në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, po marrin një tjetër drejtim. Mes pistave që po shqyrtohen nga autoritetet italiane është edhe ajo që lidhet me trafikun dhe shpërndarjen e drogës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, kjo hipotezë është ngritur gjatë një hetimi tjetër të zhvilluar nga karabinierët e Miranos, në kuadër të një operacioni antidrogë ndaj një personi nga Spinea. Hetuesit po verifikojnë nëse ky rast mund të ketë lidhje edhe me të shtënat e regjistruara në Mirano më 1 korrik.
Hetimi paralel për shpërndarjen e lëndëve narkotike çoi në arrestimin e Eris Makajt dhe partneres së tij, Noemi Karibba. Të dy janë dërguar në burgun e Padovës, me vendim të gjyqtarit.
Makaj ishte prej kohësh në vëmendjen e forcave të rendit. Një kontroll i mëparshëm në apartamentin e tij në Spinea nuk kishte rezultuar me gjetje të rëndësishme. Megjithatë, hetuesit dyshonin se ai mund të merrej me shpërndarjen e dozave të drogës, duke përdorur monopatinën për të lëvizur dhe takuar klientët pranë automjeteve të tyre.
Dyshimet çuan në një kontroll të dytë, këtë herë në banesën e partneres së tij, në rrugën Don Minzoni në Mirano. Gjatë kontrollit, të mbështetur edhe nga njësia kinologjike, karabinierët sekuestruan rreth 800 gramë hashash, 200 gramë kokainë dhe rreth 2 mijë euro cash.
Çfarë lidhjeje ka me të shtënat në Mirano?
Në kuadër të hetimeve është evidentuar gjithashtu një lidhje e mundshme familjare mes Eris Makajt dhe Luigji Makajt, 44 vjeç, i cili ishte arrestuar në korrik së bashku me shqiptarin Amiol Gjoka, 39 vjeç.
Dyshja akuzohet për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, pas të shtënave në Mirano ku mbeti i plagosur një 25-vjeçar.
Sipas elementeve të mbledhura nga hetuesit, i riu mund të ketë pasur lidhje me rrjetin e shpërndarjes së drogës të dyshuar të Makajt dhe dyshohet se po përpiqej të shkëputej prej tij.
Për momentin, lidhja mes këtyre episodeve dhe vdekjes së Ferdinant Hotit mbetet vetëm një pistë hetimore. Autoritetet italiane po vijojnë verifikimet për të përcaktuar nëse ekziston ndonjë lidhje konkrete mes rasteve.

