Numri i mjeteve rrugore për transport të përzier është rritur ndjeshëm në Shqipëri gjatë viteve të fundit, por ritmi i zgjerimit ndryshon fort nga një qark në tjetrin. Vlora rezulton qarku ku kjo kategori mjetesh është shtuar më shpejt, duke regjistruar një rritje prej 56.6% në vetëm katër vjet.
Sipas të dhënave të Vjetarit Rajonal Statistikor 2025 të INSTAT, në qarkun e Vlorës numri i mjeteve rrugore për transport të përzier u rrit nga 7,131 në vitin 2020 në 11,167 në vitin 2024Në total, brenda kësaj periudhe janë shtuar 4,036 mjete.
Ritmi është më i lartë se mesatarja kombëtare. Në të gjithë vendin, numri i mjeteve të kësaj kategorie u rrit nga 93,351 në vitin 2020 në 123,296 në vitin 2024, me një zgjerim prej 32.1%. Kjo do të thotë se brenda katër viteve stokut kombëtar iu shtuan 29,945 mjete.
Pas Vlorës, rritjen më të fortë e shënon Shkodra. Numri i mjeteve për transport të përzier u rrit me 43.6%. Lezha renditet e treta, me një rritje prej 38%, ndërsa pas saj vjen Dibra, ku numri u rrit me 37.7%. Në Fier rritja ishte 33.4%, në Kukës 33.9%, ndërsa në Berat 30.2%.
Tirana, megjithëse dominon në numër absolut, regjistroi një rritje prej 29.4%, nga 33,260 në 43,030 mjete. Në skajin tjetër qëndron Gjirokastra, ku numri u rrit nga 2,284 në 2,463 mjete, vetëm 7.8% në katër vjet. Durrësi regjistroi një rritje prej 24.1%, Korça 25.1% dhe Elbasani 29%.
Tirana dominon në numra, Vlora në ritmin e rritjes
Tirana mbetet larg qarqeve të tjera për numrin absolut, me 43,030 mjete në vitin 2024, ose rreth 35% të totalit kombëtar. Por kur krahasohet ritmi i ndryshimit me vitin 2020, vihet re se rritja prej 56.6% e Vlorës është pothuajse dy herë më e lartë se ajo e Tiranës dhe rreth 24.5 pikë përqindje mbi mesataren kombëtare.
Në vetëm katër vjet, Vlora i është afruar ndjeshëm Durrësit në numrin absolut të mjeteve të kësaj kategorie. Në vitin 2020, Durrësi kishte 11,082 mjete kundrejt 7,131 në Vlorë, një diferencë prej 3,951 mjetesh. Në vitin 2024, diferenca ishte ngushtuar në 2,590 mjete, me 13,757 në Durrës dhe 11,167 në Vlorë.
Të dhënat e raportit nuk japin shkaqet e rritjes së fortë të Vlorës, por mund t’i atribuohet edhe rritjes së turizmit në këtë periudhë. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

