Biznesmeni Ermal Beqiri, i shumëkërkuari i SPAK si një ndër figurat kyçe në dosjen për tenderat e AKSHI-t, i cili ndodhet i burgosur në Francë ka kërkuar lirimin nga qelia. Sipas raportimeve, vendimi për kërkesën e tij do të jepet më 23 tetor nga Gjykata e Apelit në Amiens.
Media franceze “Le Courrier Picard” shkruan se Beqiri ndodhet në burgun e Beauvais në kuadër të procedurës së ekstradimit drejt Shqipërisë. Po ashtu në artikull thuhet se biznesmeni kundërshton ekstradimin dhe ka paraqiturnjë kërkesë për azil në Francë, për të cilën ende nuk ka marrë përgjigje. "Le Courrier Picard" shkruan se Beqiri zotëron një kështjellë të shekullit të 16-të në Auteuil, në rajonin e Oise, e cila, sipas raportimeve të shtypit shqiptar, është blerë për rreth 2.6 milionë euro në vitin 2024. Pjesë e pasurisë së tij janë edhe një avion, një jaht dhe tre llogari bankare të sekuestruara tashmë, me një vlerë totale prej rreth 2 milionë e 125 mijë eurosh.
SPAK dyshon se biznesmeni është përfshirë në një rrjet që manipulonte procedurat e prokurimit publik në fushën e teknologjisë së informacionit, duke cënuar konkurencën dhe ushtruar presion ndaj rivalëve.
Hetimet përfshijnë 19 procedura tenderimi, me një vlerë të përllogaritur prej 59 milionë eurosh. Në të njëjtën çështje përmenden edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe biznesmeni Ergys Agasi. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

