Mega-operacion antidrogë në Sarandë. Plot 20 persona kanë përfunduar në pranga pas një hetimi dy-mujor për shitjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje. Në pranga kanë rënë Arlind Osmani, Feliks Filija, Medi Myftaraj, Nikolin Rakipi, Altin Arapi alias Altin Demiri, Klerjan Popshini, Redian Arizi, Erion Dido, Dhimiter Terolli dhe Xhuliano Mejdi. Në vijim të aksionit janë arrestuar edhe Vasil Kaci, Flatun Lalaj, Bledar Kovaci, Shefqet Bezhani, Andrea Babi, Nazif Refitaj, Elvis Demcaj, Denis Saliaj, Korado Omeri. Ndërkohë, Fabjo Berhamaj dhe Stilian Rakipi janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa Ermir Nasi është proceduar në gjendje të lirë. Operacioni i koduar “Vjeshta” është finalizuar nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit. Gjatë kontrolleve në kuadër të aksionit janë sekuestruar 72 doza kokaine dhe 80 doza kanabisi, të dyshuara se ishin për shitje. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu dy pistoleta, katër automjete, 19 aparate celulare dhe një shumë parash në lekë dhe euro. Sipas policisë, dy nga të arrestuarit, Denis Saliaj dhe Shefqet Bezhani, janë kapur me nga një armë zjarri pistoletë. Hetimet kanë zbuluar se grupi dyshohet se ushtronte aktivitetin e shitjes së drogës në Sarandë dhe Ksamil, kryesisht në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe pranë shkollave. Ky operacion është pjesë e një hetimi që kishte nisur dy muaj më parë, ndërsa më 31 korrik u arrestuan në flagrancë Argjend Nanaj, Ardit Cama dhe një person me inicialet K. J.
Gjatë aksionit të 31 korrikut u sekuestruan edhe 5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, që dyshohej se do të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil. Për 20 personat e arrestuar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë: Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vjeshta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni, pas një hetimi proaktiv 2-mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.
Kapen dhe ndalohen 20 shtetas. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, automjete dhe aparate celulare.
Dy muaj më parë, në kuadër të këtij procedimi, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u sekuestruan 5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësitë Fier dhe Tiranë, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan e Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurores, znj. Esmeranda Basho, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Vjeshta”.Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, konkretisht:
A.O., 25 vjeç; F. F., 27 vjeç; M. M., 35 vjeç; K. P., 27 vjeç; R. A., 33 vjeç, banues në Ksamil; N. R., 32 vjeç; A. A. (D), 48 vjeç; E. D., 41 vjeç; Dh. T., 33 vjeç; Xh. M., 27 vjeç; V. K., 23 vjeç; F. L., 54 vjeç; B. K., 26 vjeç; Sh. B., 20 vjeç; A. B., 20 vjeç; N. R., 24 vjeç; E. D., 30 vjeç; D. S., 22 vjeç; K. O., 28 vjeç dhe F. B., 30 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në bazë të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, shtetasve D. S. dhe Sh. B. policia u gjeti nga një armë zjarri pistoletë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu sasi të lëndës narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në dhjetëra doza me qëllim shitjen, 4 automjete, 19 aparate celulare dhe një shumë parash, në lekë dhe euro.
Ndërkohë, gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi kundërshtoi shërbimet e Policisë për të mos ushtruar kontroll në një nga dhomat e hotelit, ku u kap shtetasi Sh. B. dhe iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Më parë, në kuadër të këtij procedimi, më datë 31.07.2026, janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. N., A. C. dhe K. J., si dhe u sekuestruan 5 kg lëndë narkotike kanabis, të cilën dyshohet se synonin ta shpërndanin në Sarandë dhe Ksamil.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas ushtronin veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike në rrethin e Sarandës, në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe në afërsi të shkollave.
Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Droge saramnde

