Lajme Zone
Vjeshta e zemërimit në Shqipëri: Revolta që mund të përmbysë ekuilibrat politikë
PolitikëPamfleti

Vjeshta e zemërimit në Shqipëri: Revolta që mund të përmbysë ekuilibrat politikë

Kur i thashë se isha anglez, ai ngurroi për një çast dhe më shtyu mënjanë.

Pamje nga Protesta / Protestat e nisura nga studentët, janë shndërruar në një përplasje të ashpër me qeverinë e Edi Ramës. Korrupsioni, pakënaqësia sociale dhe mosbesimi ndaj klasës politike, po ushqejnë një krizë që mund të ndryshojë të ardhmen politike të vendit... Jashtë portave të mbyllura të katedrales katolike të Tiranës, të shtunën e kaluar, një polic i forcave të ndërhyrjes së shpejtë m’u afrua me shkopin e ngritur, gati të më godiste në kokë.

Kur i thashë se isha anglez, ai ngurroi për një çast dhe më shtyu mënjanë.

Me aparatin fotografik në dorë, kisha ndërhyrë teksa policët përpiqeshin të godisnin përmes kangjellave një grup protestuesish adoleshentë, të cilët kishin kërkuar strehim në territorin e kishës për t'i shpëtuar gazit lotsjellës.

Pak më parë, disa protestues të veshur me të zeza kishin hedhur bomba molotov drejt policisë. Pas tërheqjes së forcave të rendit, takova një vajzë që qante, ndërsa një murgeshë e moshuar e ngushëllonte nën statujën e Nënë Terezës.

“Kanë aq shumë urrejtje në sy. Ne thjesht po protestojmë për të drejtat tona, nuk kemi bërë asgjë të keqe”, tha vajza. Murgesha, me sytë e skuqur nga gazi, shtoi se qeveria nuk po dëgjonte qytetarët dhe nuk po bënte asgjë për të ndihmuar njerëzit e varfër të Shqipërisë.

Ishte dita e pestë dhe më e dhunshmja deri atëherë e protestave studentore, që prej më shumë se një jave kishin zhytur kryeqytetin shqiptar në kaos. Që nga maji, bulevardi qendror i Tiranës kishte qenë skena e protestave paqësore të quajtura “Revolucioni i Flamingove”, të emërtuara sipas shpendëve që, sipas protestuesve, kërcënohen nga projekti i zhvillimit bregdetar në Zvërnec, i lidhur me Jared Kushnerin.

Por lëvizja e verës, është shndërruar në një përpjekje shumë më radikale për të rrëzuar qeverinë socialiste të Edi Ramës, të rizgjedhur vitin e kaluar për një mandat të katërt radhazi. Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike kujdestare deri në zgjedhjet e reja.

Të shtunën, për disa orë, u duk se mund t’ia dilnin. Mijëra njerëz u mblodhën përpara Kryeministrisë, ndërsa të rinj të maskuar u përleshën me policinë, duke hedhur gurë dhe bomba molotov. Përplasjet detyruan disa mjete të blinduara të tërhiqeshin.

Shkaqet e pakënaqësisë mbeten korrupsioni politik, mungesa e mbështetjes sociale dhe kërkesa për një sistem të ri politik. Por zemërimi i protestuesve është shtuar. Pakënaqësia e verës ndaj Ramës është shndërruar në një kundërshtim të drejtpërdrejtë dhe të ashpër ndaj pushtetit të tij.

Thirrjet “Poshtë diktatori!” dhe “Poshtë komunistët!” shoqërojnë përplasjet.

Protestuesit kanë djegur makina, kanë hedhur fishekzjarrë dhe kanë sulmuar institucionet, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome. Megjithatë, organizimi i protestuesve është mbresëlënës. Vullnetarë u vijnë në ndihmë atyre që preken nga gazi, duke u shpëlarë sytë me ujë.

Në ballë të përplasjeve janë shfaqur edhe qytetarë më të moshuar, ndërsa ka shenja se grupe ultras të tifozëve të futbollit kanë lënë mënjanë rivalitetet për t’u bashkuar kundër kryeministrit. Sloganit “Rama në burg, Berisha në burg”, të dëgjuar që gjatë verës, i janë shtuar thirrje më radikale, përfshirë një slogan të Ballit Kombëtar: “Shqipëria për shqiptarët, vdekje tradhtarëve”.

Një pjesë e protestuesve e lidh zemërimin me politikën e jashtme. Afërsia e qeverisë me Izraelin, ka nxitur teori konspirative se Tel Avivi i ka dërguar policisë shqiptare përforcime dhe pajisje për kontrollin e turmave. Disa demonstrues akuzojnë Ramën se i ka shitur interesat e vendit Izraelit. Një zyrtar i rëndësishëm i Partisë Socialiste, i cili pranoi të fliste në kushte anonimiteti, tha se qeveria është përballur me një shpërthim të papritur sulmesh ndaj institucioneve publike.

Ai vuri në dukje edhe ashpërsimin e retorikës në internet, ku qarkullojnë akuza për korrupsion, tradhti kombëtare dhe kërcënime me vdekje. Sipas tij, një nga rreziqet më të mëdha është rikthimi i gjuhës së tradhtisë, që kujton konfliktet e brendshme të viteve 1943-1945.

Ai paralajmëroi se kjo retorikë është e rrezikshme, sidomos kur përdoret nga një brez që mund të mos e kuptojë peshën historike të saj. Zyrtari identifikoi tri shqetësime kryesore: rritjen e çmimeve të produkteve bazë, rrezikun që përshkallëzimi të shkaktojë një viktimë dhe mungesën e vullnetit për të kërkuar një zgjidhje kushtetuese.

Sipas tij, kërkesa që kryeministri të largohet përpara se të nisë çdo bisedim nuk krijon kushtet për dialog politik. Nga ana tjetër, opozita mbështet protestuesit dhe parashikon se qeveria nuk do të mund të qëndrojë gjatë.

Ndërkohë, protestat janë zgjeruar përtej studentëve. Pedagogë universitetesh dhe mësues në grevë u janë bashkuar demonstratave. Përpara Ministrisë së Arsimit, vajza të shkollave të mesme kanë dalë në vijën e parë, ndërsa policia është përgjigjur me topa uji dhe gaz lotsjellës. Një prej tyre tha se kishte dalë për të rrëzuar “diktatorin Edi Rama”.s

Dhuna ka përfshirë edhe parlamentin, ku protestuesit kanë thyer xhama dhe janë përpjekur të shembin dyert. Për më shumë se një javë, aktiviteti parlamentar është pezulluar, ndërsa qeveria është përpjekur të krijojë përshtypjen e normalitetit duke pastruar gjatë natës rrënojat dhe duke fshirë sloganet nga muret.

Policia ka ndryshuar taktikat, duke përdorur ndërhyrje të shpejta, arrestime paraprake dhe gaz lotsjellës për të penguar grumbullimet e mëdha pranë institucioneve. Kjo e ka ulur disi presionin mbi ndërtesat qeveritare, por ka zhvendosur përleshjet në rrugët përreth, ku janë dëmtuar banka, kamera vëzhgimi dhe biznese.

Trazirat janë bërë pjesë e jetës së përditshme të Tiranës. Shumë dyqane kanë mbyllur qepenat, ndërsa pronarët e bizneseve u kërkojnë protestuesve të mos shkatërrojnë pronën private. Një pronar kafeneje më tha se ishte i zemëruar me dhunën dhe se nuk besonte që Rama do të largohej.

“Jam 40 vjeç dhe e di që Shqipëria nuk do të ndryshojë kurrë”, tha ai. Megjithatë, pakënaqësia ka prekur edhe vetë kampin socialist. Marjana Koçeku, deputete e zgjedhur për Partinë Socialiste vitin e kaluar, dha dorëheqjen kur nisën protestat e Flamingove.

Ajo tha se kishte kuptuar se duke mbështetur partinë, po ndihmonte në shkatërrimin e vendit.

Koçeku kërkoi një reformim të thellë të sistemit politik, duke argumentuar se elita aktuale është e rrënjosur në një mentalitet korrupsioni dhe në një mënyrë sistematike e të dhunshme të ushtrimit të pushtetit.

Sipas saj, Rama duhet të largohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga politika, sepse nuk mund të jetë udhëheqësi që e çon Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian, sidomos pas skandaleve të shumta. “Revolucionet janë të bukura”, tha ajo. “Mezi pres të shoh një të tillë në vendin tim!”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse protestat do ta detyrojnë vërtet Ramën të japë dorëheqjen. Pushteti e ka forcuar përdorimin e forcës, duke ua vështirësuar demonstruesve mundësinë për t'u mbledhur. Ndërkohë, thirrjet për respektimin e standardeve evropiane të policimit, përballen me një realitet ku edhe vende si Franca dhe Italia përdorin metoda të ashpra për të kontrolluar trazirat.

Udhëheqësit fetarë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, kanë bërë thirrje të përbashkëta për qetësi dhe dialog. Por mbetet e paqartë se kush mund t’i përfaqësojë protestuesit në negociata. Një diplomat perëndimor, më tha se nuk dihet ende kush e drejton lëvizjen, madje as nëse ajo ka një udhëheqje të mirëfilltë.

Qeveria mund të shpresojë që lëvizja revolucionare të kthehet në një protestë me të cilën mund të negociojë ose të cilën mund ta shpërfillë. Shirat e dimrit mund ta dobësojnë pjesëmarrjen, por mund të ulin edhe efektivitetin e gazit lotsjellës, një prej mjeteve kryesore me të cilat policia po përpiqet të kontrollojë protestat.

Një tjetër skenar, është shndërrimi i lëvizjes në një forcë elektorale jashtë kontrollit të dy partive kryesore, siç po ndodh në Serbi, ku studentët janë përfshirë prej dy vitesh në protesta kundër pushtetit.

Sipas shumë prej personave të intervistuar, një ngjarje mund ta ndryshojë rrjedhën e krizës: vdekja e një protestuesi ose efektivi gjatë përleshjeve. Në atë rast, paralajmëruan ata, “mund të ndodhë gjithçka”.

Për momentin, Edi Rama dhe protestuesit mbeten të përfshirë në një betejë vullnetesh, pa një rrugë të qartë për uljen e tensioneve. Pas një dite relativisht të qetë, përplasjet kanë rifilluar.

Kriza më e rëndë politike e Shqipërisë prej vitesh vazhdon, ndërsa vendi përpiqet të gjejë një rrugëdalje.

Ndoshta pasoja më e rëndësishme nuk do të jetë vetëm fati i qeverisë, por edhe zhgënjimi i qytetarëve me institucionet evropiane, të cilave u kërkohet të ndërmjetësojnë, por që mund të mos duken aq të ndryshme nga Shqipëria sa shumëkush ka dashur të besojë./Pamfleti nga “Unherd”vjeshta e zemërimit në shqipëri revolta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Dhuratë apo blerje me çmim të fryrë? Pikëpyetjet mbi dy ujëhedhësit nga Turqia 23 Tetor 2026, 16:3516:35Dosja e zezë Luca, dashnori i fundit i Edi Ramës 22 Tetor 2026, 11:2511:25Dosja e zezë Dialog me “virgjëreshën” Mirelë 21 Tetor 2026, 11:5311:53Dosja e zezë Edi Rama është buzë greminës! 21 Tetor 2026, 10:2410:24Dosja e zezë Ku ka humbur Ron Yeffet? 20 Tetor 2026, 14:5514:55Dosja e zezë Tirana në rrugë: Kriza e Edi Ramës dhe dështimi i opozitës 20 Tetor 2026, 10:2610:26Dosja e zezë