Policia ka finalizuar me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Hija e Natës”.
Gjatë operacionit janë sekuestruar tre automjete të vjedhura si dhe sende të tjera me interes për hetimin.
Gjatë fazës së parë të operacionit u zbardhën 5 raste të vjedhjes së automjeteve, u vu në pranga njëri prej autorëve dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se vidhnin automjete për t’i përdorur në ngjarje kriminale.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në terren, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i 3 automjeteve të vjedhura.
Nga hetimet rezulton se 2 prej automjeteve janë vjedhur më datë 13.11.2026, në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë më datë 13.09.2026, në Divjakë.
Automjetet u gjetën në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë, Krujë, ku dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Gjatë veprimeve policore u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu sende të tjera me interes për hetimin, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

