Një video e filmuar gjatë Javës së Modës në Londër i ka ndryshuar papritur drejtimin e karrierës 24-vjeçarit Soufian Boucetta.
I riu, me origjinë nga Spanja, po punonte si roje sigurie në një sfilatë të stilistes Simone Rocha, kur një video e tij u publikua në rrjetet sociale. Në postim, një përdoruese shkroi me shaka se koleksioni ishte i bukur, por vëmendjen e kishte tërhequr roja.
Videoja u bë virale, duke kaluar 900 mijë shikime, ndërsa shumë shpejt Boucetta nisi të merrte mesazhe nga agjenci modelingu.
Ai mori oferta nga agjenci në Milano, Paris dhe SHBA, por vendosi të qëndrojë në Britani dhe nënshkroi kontratë me agjencinë londineze PRM Model Agency.
Boucetta ka treguar se prej vitesh njerëzit i thoshin se kishte pamjen e një modeli për shkak të gjatësisë dhe fizikut. Sipas tij, deri në 15 persona në ditë i kishin bërë komente të tilla kur e shihnin në rrugë, por ai nuk e kishte marrë kurrë seriozisht modelingun.
Para se të punonte në sektorin e sigurisë, 24-vjeçari kishte punuar në ndërtim. Gjatë punës si roje sigurie pati gjithashtu mundësinë të punonte pranë emrave të njohur, mes tyre Rihanna, Dwayne “The Rock” Johnson, Jason Statham dhe Aaron Pierre.
Tashmë ai po përgatitet për karrierën e re, duke ushtruar ecjen në pasarelë dhe duke realizuar setet e para profesionale fotografike.
Edhe pse vazhdon të punojë herë pas here në siguri, Boucetta synon që modelingun ta kthejë në profesionin e tij kryesor.
Një ditë e zakonshme pune në një sfilatë mode u kthye kështu në pikën e nisjes së një karriere krejt të re për 24-vjeçarin. View this post on Instagram A post shared by @ideservecouture

