Janë publikuar pamjet nga momenti kur 24-vjeçarja Rozalinda Plaku lirohet nga ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, pasi u mbajt peng për disa orë. Në video shihet e reja teksa del nga automjeti ku mbahej kundër dëshirës së saj. Menjëherë pas daljes, një efektiv policie i afrohet, e merr në krah dhe e largon me shpejtësi nga zona ku po zhvillohej operacioni. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas të dhënave të Policisë, 35-vjeçari Refit Buzi qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili humbi jetën.
Po ashtu, ai plagosi rëndë ish-vjehrrën, Belere Plaka, 55 vjeçe. Gruaja u transportua në spital, por ndërroi jetë disa orë më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Pas sulmit ndaj ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës, Buzi mori me forcë ish-të fejuarën e tij, 24-vjeçaren Rozalinda Plaku, duke u larguar nga vendi i ngjarjes me automjet.
Pas disa orësh negociata me Policinë dhe forcat speciale RENEA, 35-vjeçari vendosi ta lironte të renë. Rozalinda u nxor nga automjeti e padëmtuar dhe u mor menjëherë në mbrojtje nga efektivët.
Operacioni vijoi më pas për kapjen e Buzit, i cili ishte rrethuar nga forcat e Policisë në fshatin Kurjan të Roskovecit. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’u dorëzuar, 35-vjeçari refuzoi të negocionte dhe, sipas Policisë, u vetëqëllua me armë zjarri, duke humbur jetën.
Sa i përket motiveve të krimit, hetimet vijojnë në disa pista. Një prej tyre lidhet me ndarjen e çiftit dhe refuzimin e autorit për ta pranuar përfundimin e marrëdhënies, ndërsa një tjetër lidhet me një konflikt të mundshëm financiar.
Familjarët e Buzit kanë pretenduar se ai i kishte dërguar ish-të fejuarës shuma parash gjatë kohës që punonte në Angli dhe se pas ndarjes kërkonte kthimin e tyre.
Për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes vijojnë hetimet nga autoritetet. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

