Një i dënuar 52-vjeçar që vuante dënimin në IEVP Fier ka ndërruar jetë këtë të martë. Bëhet fjalë për Artur Dokun, banues në Burrel, i cili ishte duke vuajtur një dënim për një vrasje të kryer në vitin 1997. Në momentin e vdekjes, atij i kishin mbetur edhe rreth 9 vite e 5 muaj burg për të vuajtur.
Sipas burimeve, 52-vjeçari kishte probleme kardiake dhe dyshohet se ndarja nga jeta ka ardhur për shkaqe natyrale. Pasi është ndjerë keq në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit, ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Trupi i të dënuarit është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit. Nga informacionet paraprake nuk ka dyshime për një ngjarje kriminale dhe shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza.

