Normalisht, s’ka si të ndodhë ndryshe. Këto makina me vlerë 200 mijë euro blihen, si gjithmonë, në kurriz të popullit, ndërkohë që taksapaguesit shqiptarë, të cilët çdo ditë përballen me koston e lartë të jetesës, vazhdojnë të mbushin arkën e shtetit, e cila më pas shpenzohet me një shkujdesje gati artistike nga ministrja Delina Ibrahimaj. Ky tender ka ndarë plot 200 mijë euro për blerjen e vetëm tre automjeteve luksoze për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit. Një llogari e thjeshtë tregon se për një makinë taksapaguesit shqiptarë po paguajnë rreth 66 mijë euro për copë.
Ironia bëhet akoma më e qartë kur fitorja e tenderit shkon te kompania “Mektrin Motors”. Sipas të dhënave, fondi limit ishte parashikuar në rreth 16.6 milionë lekë pa TVSH, ndërsa “Mektrin Motors” doli fituese me një vlerë prej 18.9 milionë lekësh me TVSH, duke e çuar totalin në rreth 200 mijë euro. Kompania është pronë e Edmond Shahinit, vëllait të Landi Shahinit, ky i fundit bashkëshorti i kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako. Aksionet që më parë mbaheshin nga Landi Shahini u kaluan në emër të vëllait, Edmondit. “Mektrin Motors” ka përfituar prej kohësh dhjetëra tendera nga institucionet publike, duke u shndërruar në furnizuesin e “besuar” të shtetit.
E gjithë kjo bëhet edhe më absurde kur krahasohet me lotin tjetër të së njëjtës procedurë. Për Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore u blenë katër makina për rreth 85 mijë euro, ose rreth 20 mijë euro për makinë. Ndërsa inspektorët duhet të kënaqen me mjete pune 20-mijëshe, Delina Ibrahimaj, me bekimin e Jonaid Myzyrit nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ka vendosur se standardi i ministrisë së saj duhet të jetë trefish më i lartë, duke shpenzuar 66 mijë euro për një makinë. Kërkesat për prodhimin e vitit 2025 dhe modelet hibride duket se janë justifikimi perfekt për të pompuar çmimet drejt qiellit.
Në fund të ditës, përderisa biletën e këtij luksi e paguan qytetari që mezi lidh muajin, ç’rëndësi ka nëse makina kushton 20 apo 66 mijë euro, kur “urithi i tenderave” e ka bërë tashmë llogarinë dhe e ka siguruar që fitimi të përfjë saktësisht në xhepin e duhur?

