Lajme Zone
Ukraina godet zemrën e naftës ruse, dronët sulmojnë rafinerinë e Kirishit dhe bazën ajrore të Jejskut
BotëTop Channel

Ukraina godet zemrën e naftës ruse, dronët sulmojnë rafinerinë e Kirishit dhe bazën ajrore të Jejskut

Forcat ukrainase kanë goditur gjatë natës një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi dhe një bazë ajrore ushtarake, sipas raportimeve të kanaleve monitoruese.

Forcat ukrainase kanë goditur gjatë natës një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi dhe një bazë ajrore ushtarake, sipas raportimeve të kanaleve monitoruese. Rafineria e Kirishit, në rajonin e Leningradit, u përfshi nga flakët pas sulmit të dyshuar me dronë. Impianti, i njohur edhe si Kinef, është një prej qendrave më të rëndësishme të përpunimit të naftës në Rusi dhe ndodhet nën sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Ukrainës.

Guvernatori i Leningradit, Aleksandr Drozdenko, konfirmoi rënien e një droni pranë rafinerisë dhe shpërthimin e një zjarri. Sipas tij, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 62 dronë mbi rajon. Nuk ka ende të dhëna për përmasat e dëmeve apo viktima të mundshme. Shpërthime të fuqishme u raportuan gjithashtu në bazën ajrore të Jejskut, në rajonin e Krasnodarit.

Dronë ukrainas u diktuan edhe në rajonet e Smolenskut dhe Brianskut, por mbetet e paqartë nëse janë goditur objektiva të tjerë. Autoritetet ukrainase nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar për operacionin, ndërsa raportimet nga terreni nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Sulmet vijnë një ditë pasi forcat ukrainase goditën objektiva në Rostov dhe disa instalime ushtarake ruse në territoret e pushtuara, përfshirë qendrat e ruajtjes dhe lëshimit të dronëve në Donetsk dhe në Krimenë e aneksuar.

Kievi i konsideron goditjet në thellësi të territorit rus pjesë të përpjekjeve për të dobësuar aftësinë e Moskës për të vazhduar luftën. Top Channel