Bekim Sejdiu ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e garës për president të Kosovës, duke bërë të ditur se për vendimin e tij ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sejdiu, i cili kishte njoftuar edhe më herët tërheqjen nga kandidatura, ka deklaruar se nuk e sheh si të denjë zgjedhjen e presidentit vetëm me qëllim të shmangies së zgjedhjeve.
“President duhet të zgjidhet dikush që e meriton atë pozitë”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka bërë të ditur se Kurtin dhe Abdixhikun i ka njoftuar sërish për qëndrimin e tij. Sipas tij, nëse LDK-ja kërkon dëshmi për këtë komunikim, ai mund t’ua përcjellë edhe mesazhin që u ka dërguar.
Sejdiu ka treguar se kandidatura e tij ishte rezultat i një dakordimi politik ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ka thënë se e kishte mirëpritur mbështetjen nga të gjitha subjektet politike.
“Unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasur fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua”, është shprehur ai.
Megjithatë, Sejdiu ka theksuar se mungesa e votave të nevojshme ishte arsyeja kryesore që e shtyu të largohej nga gara.
“Meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërhequr nga kjo garë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka kërkuar gjithashtu që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos ndërlidhet me çështje të tjera politike që i konsideron të rëndësishme për vendin.
“Çështja e Presidentit s’duhet të lidhet me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend”, ka thënë ai.
Deklaratat e Sejdiut vijnë në një moment të rëndësishëm për procesin e zgjedhjes së presidentit, ndërsa sot skadon afati për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Në këtë situatë, kryeministri Albin Kurti ka bërë ofertë ndaj PDK-së, duke deklaruar se LVV-ja, së bashku me deputetët e komuniteteve, do të siguronte 62 vota nëse PDK-ja do të garantonte gjysmën e votave të saj për Bekim Sejdiun. Top Channel

