Shkon në 12 numri i personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e turistit në Ksamil, ngjarje ku 20-vjeçari Miguel Mendes u qëllua për vdekje pas një konflikti në ambientet e hotelit “Principotes”. Gazetarja Klodiana Lala raporton se mes të arrestuarve është edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Matushaj dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar, 29-vjeçarin Sokrat Vata, të largohej nga vendi i ngjarjes pas vrasjes.
Sipas hetimeve, Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Sokrat Vatën, në lokalin “Principotes”. Ndërkohë, është shpallur në kërkim pronari i lokalit “Principotes”, Bekim Bulica. Ai dyshohet se është pronari në hije i hotelit në Ksamil, ndërsa në dokumente pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe.
Në pranga ka përfunduar gjithashtu edhe Luciano Seferi, punonjës në burgun e Fierit. Sipas informacioneve, Seferi kishte nisur punën në fillim të gushtit, pasi më parë kishte shërbyer në burgun e Bënçës. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta, ndërsa një nga pistat që po verifikohet lidhet me një femër. Miguel Mendes kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup turistësh për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë. Ai u gjet i pajetë pas plagëve të marra me thikë.
29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has dhe i punësuar si roje plazhi në hotelin “Principotes”, dyshohet se është autori i vrasjes. Pas krimit ai u largua nga vendi i ngjarjes, por u lokalizua nga policia dhe u arrestua në Fier. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e 12 personave të arrestuar. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

