Një 44-vjeçar është vënë në pranga këtë të martë nga Policia e Shkodrës, pasi u kap duke ndihmuar disa shtetas të huaj për të kaluar kufirin. Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë Gj. U., 44 vjeç, i cili u kap në afërsi të PKK-së Hani i Hotit, duke transportuar me automjet tre shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi. Njoftimi i plotë i policsë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Destinationi”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. U., 44 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, në rrugën nacionale pranë PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjetin e tij, 3 shtetas me origjinë afrikane, që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi. 3 shtetasit e huaj nuk dispononin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
