Një 47-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 vjet burg në Itali, pas një operacioni të madh antidrogë të zhvilluar në Asti, ku autoritetet sekuestruan 22 kilogramë kokainë, armë dhe një sasi të konsiderueshme municionesh.
Bëhet fjalë për Artur Hysenajn, 47 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë, i cili ishte arrestuar në prill gjatë një operacioni të zhvilluar nga Karabinierët e Astit. Krahas dënimit me burg, gjykata e ka dënuar edhe me një gjobë prej më shumë se 66 mijë eurosh. Aktualisht ai ndodhet në burg.
Hetimi kishte nisur pasi autoritetet kishin vënë re lëvizje të dyshimta të 47-vjeçarit, i cili kishte në dispozicion dy banesa në qytet. Pas mbledhjes së provave, mëngjesin e 20 prillit, karabinierët ndërhynë në ambientet që ishin në përdorim të tij.
Gjatë kontrolleve, efektivët gjetën rreth 22 kilogramë kokainë, ndërsa në kuadër të të njëjtit operacion u sekuestruan edhe pesë pistoleta me origjinë nga vjedhja, një prej të cilave me numër serie të fshirë, si dhe një silenciator dhe mbi 200 fishekë.
Sipas autoriteteve italiane, mes municioneve kishte edhe fishekë të kategorisë së luftës. Në automjetin e 47-vjeçarit u gjet gjithashtu një pistoletë e gatshme për përdorim, e pajisur me karikator me kapacitet 30 fishekë.
Sasia e drogës së sekuestruar dhe arsenali i armëve u konsideruan nga hetuesit si elementë që dëshmonin përmasat e aktivitetit kriminal për të cilin ai akuzohej.
Pas arrestimit, Hysenaj u la në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa tashmë ndaj tij ka mbërritur edhe vendimi përfundimtar prej 10 vitesh burgim dhe gjobë mbi 66 mijë euro.

