Dy persona, Mirand Herri dhe Luftim Hoxha, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u arrestuan gjatë operacionit policor të koduar “Drejtimi”, ku u sekuestruan rreth 5 kilogramë lëndë narkotike. Operacioni u zhvillua nga strukturat e Antidrogës së Policisë së Tiranës, të cilat dyshohet se përdorën metoda speciale hetimi për dokumentimin e aktivitetit të dy personave. Sipas burimeve, Herri dhe Hoxha ishin mbajtur prej ditësh nën vëzhgim nga policia, përpara se të ndërhyhej për arrestimin e tyre. Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 3 kilogramë kokainë dhe 2 kilogramë heroinë. Sipas përllogaritjeve të autoriteteve, nëse droga do të hidhej në treg dhe do të shitej në doza, vlera e saj do të arrinte në mbi 500 mijë euro. Sasia e sekuestruar konsiderohet ndër më të mëdhatë të drogave të forta të kapura nga Policia e Tiranës gjatë një operacioni të vetëm. Pas arrestimit, dy të dyshuarit dolën përpara Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Mirand Herrin dhe Luftim Hoxhën. Hetimet për rastin vijojnë për të zbardhur të gjithë aktivitetin e dyshuar kriminal dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë.
