Një prej protestuesve të arrestuar më 14 shtator gjatë tubimit në Tiranë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që e konsideron një arrestim të padrejtë.
Në një video të dërguar në redaksi, qytetari nga Kukësi tregon se ka qenë pjesë e protestës dhe se gjatë momentit të arrestimit mbante në dorë një flamur shqiptar me stemën e UÇK-së. Ai pretendon se protesta po zhvillohej në mënyrë paqësore dhe se nuk kishte kryer ndonjë shkelje që, sipas tij, të justifikonte arrestimin.
Në pamjet e dërguara prej tij shihet momenti i shoqërimit nga efektivët e Policisë, material që qytetari kërkon të publikohet së bashku me dëshminë e tij.
Protestuesi thotë se është mbajtur në arrest për tre ditë dhe më pas është liruar me vendim të Gjykatës së Tiranës. Më 17 shtator, gjykata vlerësoi të paligjshme arrestimet e 12 protestuesve të ndaluar gjatë protestës së 14 shtatorit dhe vendosi të mos caktojë masa sigurie ndaj tyre.
Por pretendimi më i fortë i qytetarit lidhet me bisedën që, sipas tij, ka pasur me oficerin e policisë gjyqësore që kishte përgatitur dokumentacionin e arrestimit. Ai thotë se, pasi e ka pyetur se përse po arrestohej, OPGJ-ja i ka thënë se kishte marrë “urdhër politik” dhe se, nëse nuk do ta zbatonte, rrezikonte të humbiste vendin e punës ose të transferohej në një qytet të largët.
Në videon e tij, protestuesi e lidh arrestimin edhe me simbolin që mbante në duar dhe me zhvillimet në Hagë. Ai thotë se e ka denoncuar rastin pikërisht për të vënë në dukje atë që e konsideron si kontrast mes qëndrimeve publike të politikës shqiptare ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe trajtimit që, sipas tij, iu bë një protestuesi që mbante simbolin e saj.
Dy ditë pas arrestimit të tij, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë shpalli fajtorë në shkallë të parë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, duke dhënë gjithsej 81 vite burg. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vite. Vendimi është i shkallës së parë.
Ndërkohë, për protestën e 14 shtatorit, Policia kishte deklaruar se 12 persona ishin arrestuar në flagrancë dhe se ndaj tyre dyshoheshin vepra të ndryshme penale, ndërsa Gjykata e Tiranës më pas i vlerësoi arrestimet të paligjshme. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

