Një qytetar nga Elbasani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një produkt ushqimor që, sipas tij, është gjetur me shenja myku edhe pse paketa ishte e pahapur dhe brenda afatit të skadencës.
Në pamjet e dërguara në redaksi, paketa shfaqet e mbyllur, ndërsa në etiketë dallohet data e skadencës 5 nëntor 2026.
Pas hapjes së paketimit, në disa prej salsiçeve shihen pika dhe shtresa të bardha, të cilat konsumatori i konsideron si myk.
“Salsiçe të pahapura dhe brenda afatit të skadencës dhe me myk. Si ka mundësi, çfarë po hamë?”
Nga pamjet nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për myk, kontaminim apo një problem tjetër të produktit. Për këtë arsye, vetëm pamjet nuk mjaftojnë për të përcaktuar nëse produkti paraqet rrezik për konsum.
Një problem i tillë mund të lidhet me disa hallka të zinxhirit të furnizimit, përfshirë paketimin, hermetizimin, ruajtjen, transportin ose kushtet e temperaturës. Shkaku mund të përcaktohet vetëm përmes verifikimit të produktit dhe, nëse është e nevojshme, analizave laboratorike.
Për sigurinë ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është institucioni përgjegjës për kontrollet zyrtare, përfshirë inspektimet dhe marrjen e mostrave për analiza.
Rasti ngre gjithashtu një pyetje për kontrollin e produkteve që arrijnë në raftet e marketeve: si mund të shfaqë një produkt i pahapur shenja të tilla ndërkohë që data e skadencës ende nuk ka kaluar?
Nëse verifikimi konstaton problem me produktin, duhet të përcaktohet edhe në cilën hallkë të zinxhirit ushqimor ka ndodhur problemi dhe nëse nevojiten masa për produkte të tjera të së njëjtës seri.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e konsumatorit, ndërsa pret një verifikim nga AKU dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

