Lajme Zone
Tym, flakë dhe dhunë/ Kaos në qendër të Tiranës, studentët përleshen me policinë
PolitikëPamfleti

Tym, flakë dhe dhunë/ Kaos në qendër të Tiranës, studentët përleshen me policinë

Për më shumë se tri orë, studentët dhe qytetarët u përballën me forcat e rendit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj me piper për shpërndarjen e tyre. Nga ana tjetër, protestuesit hodhën gurë, molotovë, fishekzjarre dhe sende të forta drejt efektivëve, duke dëmtuar edhe godinën e Ministrisë së Arsimit.

Protesta e studentëve Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit u kthye në një përballje të dhunshme me policinë, me gaz lotsjellës, ujë me presion, molotovë dhe dëmtime të institucionit. Studentët kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës dhe ministres Mirela Kumbaro, ndërsa policia shoqëroi disa protestues. Përplasjet vijojnë prej më shumë se tre orësh, duke u shtrirë nga Rruga e Durrësit drejt qendrës së Tiranës... Qendra e Tiranës është përfshirë nga përplasje mes studentëve, qytetarëve protestues dhe forcave të policisë. Protesta e thirrur para Ministrisë së Arsimit, e cila nisi rreth orës 14:00 me kërkesa për përmirësimin e kushteve të studimit, u shndërrua brenda pak minutash në një revoltë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Për më shumë se tri orë, studentët dhe qytetarët u përballën me forcat e rendit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj me piper për shpërndarjen e tyre. Nga ana tjetër, protestuesit hodhën gurë, molotovë, fishekzjarre dhe sende të forta drejt efektivëve, duke dëmtuar edhe godinën e Ministrisë së Arsimit. Protesta ishte paralajmëruar disa ditë më parë, ndërsa organizatorët u kishin bërë thirrje studentëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë që të mblidheshin në Tiranë. Kërkesat fillestare lidheshin me kushtet në universitete, kostot e studimit, mbështetjen financiare dhe problemet e akomodimit në konvikte. Por që në minutat e para të tubimit, thirrjet kundër qeverisë morën një vend qendror, me studentët që kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës dhe ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro.

“Ju erdhi fundi”, “Dorëheqje”, “Poshtë qeveria” dhe “Forca, rinia” ishin disa nga thirrjet që shoqëruan protestën, ndërsa pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë.

Për rreth një orë, studentët vijuan protestën kryesisht me thirrje dhe parulla. Më pas, një pjesë e tyre nisën të hidhnin vezë, kapsolla, gurë dhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit. Nga goditjet u thyen disa xhama të institucionit, ndërsa protestuesit shkulën kangjellat metalike që ndanin trotuarin nga rruga dhe arritën të hapnin një prej dyerve metalike të ministrisë.

Në fasadën e institucionit u hodh edhe bojë e kuqe, ndërsa protestuesit lëshuan thirrjet “Ministria e krimit” dhe “Policia e krimit”. Disa prej tyre tentuan të depërtonin në perimetrin e godinës, ku policia kishte vendosur një kordon sigurie për të penguar hyrjen. Rreth orës 15:00, forcat e policisë ndërhynë për të larguar protestuesit nga hyrja e Ministrisë së Arsimit. Efektivët e pajisur me skafandra dhe mburoja përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa gjatë përplasjeve u raportua edhe përdorimi i shkopinjve të gomës dhe sprajit me piper.

Përpara ndërhyrjes, policia u kërkoi protestuesve përmes megafonit të distancoheshin nga veprimet e dhunshme dhe të ndalonin dëmtimin e pronës publike. Por thirrjet nuk e ndalën përshkallëzimin. Disa protestues vijuan të godisnin efektivët me gurë dhe fishekzjarre, ndërsa policia përdori përsëri gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Ndërhyrja e parë arriti t'i largonte përkohësisht studentët nga hyrja e ministrisë, por nuk i dha fund protestës. Ata u rigrupuan në Rrugën e Durrësit, pranë zonës së ish-Kafe Florës, ku policia vendosi një tjetër kordon sigurie.

Rreth orës 15:30, situata u qetësua përkohësisht, ndërsa studentët qëndruan përballë efektivëve dhe vijuan thirrjet kundër qeverisë. Por pak minuta më vonë, protestuesit nisën të marshonin përsëri drejt Ministrisë së Arsimit, duke tentuar të çanin kordonin policor.

Rreth orës 16:00, përplasjet rifilluan me intensitet. Disa protestues hodhën gurë, fishekzjarre dhe molotovë drejt forcave të rendit, ndërsa policia ndërhyri përsëri me ujë me presion. Mes pjesëmarrësve u raportuan edhe persona me fytyra të mbuluara, të cilët morën pjesë në hedhjen e sendeve drejt efektivëve. Identiteti i tyre nuk ishte bërë publik. Në këtë fazë, protesta mori përmasa më të gjera, pasi studentëve që qëndronin para ministrisë iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë. Një pjesë e pjesëmarrësve marshuan drejt qendrës së Tiranës, ndërsa grupe të tjera vijuan përplasjet në Rrugën e Durrësit.

Rreth orës 15:50, një grup studentësh dhe qytetarësh u drejtua drejt Kryeministrisë, duke zhvendosur protestën edhe pranë selisë së qeverisë. Policia përforcoi masat e sigurisë në këtë zonë dhe vendosi në gatishmëri një tjetër automjet ujëhedhës.

Kështu, protesta që kishte nisur me kërkesa ndaj Ministrisë së Arsimit u shtri në disa pika të kryeqytetit, ndërsa thirrja kryesore mbeti dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Pavarësisht ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të policisë, studentët vijuan të rigrupoheshin dhe të ktheheshin pranë kordonëve të sigurisë. Në disa raste pati përplasje fizike gjatë shoqërimit të protestuesve, ndërsa pamjet e publikuara nga terreni treguan efektivë që ndërhynin për të larguar pjesëmarrësit nga rruga. Rreth orës 16:15, protestuesit ndezën edhe zjarr në mes të rrugës, duke u vënë flakën kutive të kartonit dhe objekteve të tjera, përfshi edhe një tabele reklamash. Tymi u përhap në zonën ku vijonin përplasjet, ndërsa policia mbajti në gatishmëri forcat e ndërhyrjes.

Të shoqëruar dhe të lënduar, ende pa një bilanc përfundimtar

Përplasjet sollën edhe persona të lënduar. Sipas raportimeve të publikuara deri rreth orës 16:05, mes tyre ishin një efektiv policie, një protestues dhe gazetarja e Fax News, Fatime Baçi.

Policia shoqëroi dhjetra persona gjatë ndërhyrjeve. Në disa pamje të publikuara nga terreni, një prej të shoqëruarve shfaqej me gjak dhe dëmtime në fytyrë, por rrethanat e dëmtimit nuk ishin sqaruar. Protesta e sotme zhvillohet në ditën e 136-të të mobilizimeve kundër qeverisë, të njohura me emërtimin “Revolucioni Flamingo”. Lëvizja nisi me kundërshtimin e projektit të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Nartës, ndërsa më pas përfshiu edhe kërkesa të tjera politike dhe sociale.

Protesta e sotme rikthen në vëmendje edhe mobilizimin studentor të dhjetorit 2018, kur mijëra studentë u mblodhën para Ministrisë së Arsimit për të kundërshtuar tarifat universitare dhe kushtet e studimit. Në atë kohë, qeveria Rama u detyrua të hapte negociata dhe të miratonte një paketë masash për adresimin e kërkesave. Tetë vite më vonë, studentët janë rikthyer para të njëjtit institucion me kërkesa për kushtet e studimit, kostot universitare dhe mbështetjen financiare. Por këtë herë, protestës iu shtua që në fillim kërkesa politike për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë.

Në tubim u dëgjuan edhe thirrje për largimin e klasës politike që ka drejtuar Shqipërinë gjatë 35 viteve të fundit. Kjo tregon se organizatorët nuk e kufizojnë kundërshtimin vetëm te Ministria e Arsimit, por e lidhin atë edhe me përgjegjësinë e qeverisë për politikat ndaj të rinjve.

Deri pas orës 16:00, raportimet nga terreni tregojnë disa ndërhyrje të policisë, rigrupime të protestuesve dhe incidente në Rrugën e Durrësit dhe zonat përreth. Forcat e rendit mbajtën kordone sigurie pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, ndërsa studentët vijuan thirrjet kundër Edi Ramës. protesta tirane kaos gjak screenshot 2 screenshot 3 screenshot 4 screenshot 5 screenshot 6 screenshot 10 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Pjesa e sipërme e Rrugës së Durrësit mbulohet nga tymi, vijojnë tensionet dhe përdorimi i gazit lotsjellës 13 Tetor 2026, 16:5016:50Aktualitet Protestuesit tentojnë sërish të çajnë kordonin policor, policia i shpërndan me ujë me presion 13 Tetor 2026, 16:3416:34Aktualitet Vijojnë tensionet, policia zhvendos turmën e protestuesve drejt qendrës së Tiranës; përdoret gaz lotsjellës 13 Tetor 2026, 16:1316:13Aktualitet Nuk ndalen protestuesit, u vënë flakën kutive të kartonit në rrugë 13 Tetor 2026, 16:0816:08Aktualitet Përplasjet te Ministria e Arsimit/ Lëndohen një gazetare dhe një efektiv, mbi 10 të shoqëruar 13 Tetor 2026, 16:0516:05Aktualitet Rikthehen tensionet në protestën e studentëve, përplasje mes policisë dhe protestuesve 13 Tetor 2026, 15:5915:59Aktualitet