Teksa vendi ka hyrë në një fazë të re të menaxhimit të mbetjeve pas miratimit të dy ligjeve të reja që përafrojnë kuadrin kombëtar me standardet e Bashkimit Europian, zbatimi i tyre po përballet me presion financiar në zonat me fluks të lartë turistik.
Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), bashkitë bregdetare po përballen me kosto më të larta të shërbimit për frymë për shkak të rritjes së ndjeshme të gjenerimit të mbetjeve gjatë sezonit veror.
Raporti evidenton se gjatë vitit 2025 u miratuan Ligji Nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe Ligji Nr. 74/2025 “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit”, të cilat, sipas AKM-së, “transpozojnë kuadrin rregullator të BE-së dhe integrojnë parimet e ekonomisë qarkulluese në nivel kombëtar”.
Por zbatimi në nivel lokal tregon diferenca të mëdha mes bashkive. Monitorimi i kryer në 15 bashki pilote tregon se zonat turistike po përballen me një barrë më të lartë operative. “Bashkitë me karakter intensiv turistik, si Saranda dhe Himara, regjistrojnë kostot më të larta të shërbimit për frymë, për shkak të gjenerimit të lartë të mbetjeve gjatë pikut të sezonit veror”, thuhet në raportin e AKM-së. Në krahun tjetër, disa bashki kanë shënuar përmirësim në ndarjen e mbetjeve në burim. Sipas raportit, Belshi ka rritur nivelin e ndarjes së mbetjeve nga 8% në 34.4%, duke shënuar një nga rezultatet më të dukshme në monitorimin e bashkive pilote.
Ndërkohë, treguesit e tregtisë së mbetjeve kanë shënuar një ndryshim të fortë gjatë vitit 2025. Sasia totale e mbetjeve të eksportuara ra në 21,275 ton, nga 60,521 ton në vitin 2024, sipas të dhënave të raportuara nga AKM.
Raporti vë në dukje se reforma e re synon të zhvendosë menaxhimin e mbetjeve nga modeli tradicional i grumbullimit dhe depozitimit drejt një sistemi të bazuar në riciklim, përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesit dhe ekonomi qarkulluese.
Por në nivel vendor, të dhënat tregojnë se bashkitë turistike mbeten përballë sfidës së financimit të shërbimit, pasi rritja sezonale e popullsisë së përkohshme sjell një volum më të lartë mbetjesh dhe kosto shtesë operimi./Monitor Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

