Vendet e G7 kanë rënë dakord të nxjerrin në treg 100 milionë fuçi naftë gjatë katër muajve të ardhshëm, në një përpjekje për të stabilizuar furnizimin dhe për të zbutur presionin mbi tregjet energjetike. Lajmin e bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, i cili aktualisht kryeson G7. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se procesi i nxjerrjes së naftës nga rezervat strategjike do të nisë menjëherë. Pas njoftimit, çmimi i naftës Brent ra në rreth 99 dollarë për fuçi, nga rreth 103 dollarë në hapjen e tregut. Trump reagoi gjithashtu përmes një mesazhi, ku shkruante se Evropa kishte rënë dakord të vinte në dispozicion një sasi të madhe të rezervave të saj të naftës dhe karburanteve. Trump Diesel
Vendimi vjen pas presionit në rritje nga Uashingtoni ndaj vendeve evropiane për të ndihmuar në stabilizimin e furnizimit me energji. Më herët, ishte raportuar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian po shqyrtonin një propozim francez për përdorimin e rezervave të naftës bruto dhe karburanteve. Edhe sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessant, u ka bërë thirrje partnerëve evropianë të ndërhyjnë për të stabilizuar furnizimin, i cili është prekur nga trazirat në Gjirin Persik dhe sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse.
Ndërkohë, tregu global i naftës ka shfaqur disa shenja përmirësimi në aspektin e furnizimit. Flukset e naftës bruto nga Lindja e Mesme janë rikthyer në nivelet e para luftës, duke lehtësuar një pjesë të shqetësimeve për disponueshmërinë globale.
Megjithatë, situata mbetet e pasigurt. SHBA dhe Irani vijojnë të jenë larg një marrëveshjeje që do të mundësonte rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore për transportin e naftës në botë.
Rreziku për transportin detar mbetet gjithashtu i lartë pas raportimeve për sulme ndaj anijeve cisternë. Në këtë kuadër, çdo përshkallëzim i ri mund të ndikojë në transportin dhe furnizimin me energji nga Gjiri Persik.
Sipas raportimeve, SHBA ka forcuar gjithashtu mbrojtjen ajrore rreth objekteve energjetike në Arabinë Saudite dhe Katar, në një tregues të rritjes së masave mbrojtëse përballë rreziqeve të mëtejshme në rajon. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

