Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare shënuan rënie të hënën, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës. Lajmi ka rritur shpresat për përmirësimin e furnizimit global me naftë dhe për uljen e tensioneve që ndikojnë në tregjet e energjisë. Nafta Brent, kontratat e së ardhmes për dorëzimin në dhjetor, ra me 1.65%, duke u tregtuar në 102.99 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI), me kontratat për dorëzimin në nëntor, shënoi një rënie prej 1.92%, duke zbritur në 90.09 dollarë për fuçi.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në rrjetet sociale se marrëveshja për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike kishte hyrë menjëherë në fuqi, duke u bërë thirrje të dyja palëve që ta respektojnë atë. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi mbështetjen e Kievit për armëpushimin, duke theksuar se është e rëndësishme që edhe pala ruse ta zbatojë marrëveshjen. Ndërkohë, zhvillime diplomatike janë shënuar edhe në Lindjen e Mesme. Irani ka ndërmarrë hapa diplomatikë drejt Arabisë Saudite, pas sulmeve të rebelëve Huthi ndaj mbretërisë, në një zhvillim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë në rajon dhe në perspektivën e furnizimit me energji. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

