Foto Ilustruese / Goditjet e huthëve ndaj objektivave strategjikë të Arabisë Saudite, nxjerrin në pah kufijtë e fuqisë ushtarake të Mohammed bin Salman dhe dështimin për t’i dhënë fund konfliktit në Jemen. Ndërsa rebelët e mbështetur nga Irani shfrytëzojnë avantazhet e luftës asimetrike, përshkallëzimi rrezikon të tronditë ekuilibrat e të gjithë rajonit… Sulmet e huthëve ndaj aeroportit ndërkombëtar King Khalid në Riad, kanë nxjerrë në pah vështirësitë e Arabisë Saudite për t’u mbrojtur nga sulmet asimetrike të rebelëve jemenas.
Sipas raportimeve për sulmet e fundit, goditjet kanë shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e mbretërisë së drejtuar nga Mohammed bin Salman për të mbrojtur infrastrukturën e saj strategjike nga një kundërshtar me burime më të kufizuara, por që i përdor ato në mënyrë efikase.
Pas vrasjes së një shtetasi sudanez në sulmin e 6 tetorit, më 8 tetor dy raketa të lëshuara nga huthët u kapën nga mbrojtja kundërajrore. Megjithatë, mbetjet e tyre shkatërruan një avion dhe shkaktuan tre viktima. Sulmi i tretë, më 10 tetor, solli një bilanc edhe më të rëndë, duke thelluar krizën e sigurisë dhe duke vënë në pikëpyetje aftësinë e Riadit për të përballuar një fushatë të zgjatur sulmesh.
Vështirësitë për të neutralizuar kërcënimin ajror, i shtohen një tabloje tashmë të ndërlikuar strategjike. Arabia Saudite, e cila prej vitesh synon të shndërrohet në një qendër ndërkombëtare të ekonomisë, transportit dhe diplomacisë, po përballet me një kundërshtar që mund t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme pa pasur nevojë për një ushtri konvencionale të krahasueshme me atë saudite.
Aeroporti i Riadit nën sulm
Sipas të dhënave të raportuara për sulmet e fundit, numri i viktimave ka arritur në 16. Huthët i kanë paraqitur goditjet si kundërpërgjigje ndaj intensifikimit të sulmeve të koalicionit kundërshtar në Jemen, ndërsa kanë paralajmëruar se hapësira ajrore saudite mund të bëhet e rrezikshme për kompanitë ndërkombëtare.
Përshkallëzimi vjen në një moment kur luftimet mes huthëve dhe forcave të qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, me qendër në Aden dhe të mbështetur nga Arabia Saudite, janë shtuar sërish pas 4 vjetësh armëpushimi.
Përplasjet mes forcave kundër huthëve dhe Ansar Allah, lëvizjes që kontrollon kryeqytetin Sana dhe një pjesë të konsiderueshme të territorit jemenas, po rikthejnë në plan të parë një konflikt që nuk është zgjidhur kurrë në mënyrë të qëndrueshme.
Ndërkohë, ndërprerjet dhe çrregullimet në qindra fluturime drejt Arabisë Saudite kanë shtuar koston ekonomike të krizës. Pas sulmit të tretë, më të përgjakshmit, të shtunën, funksionimi i aeroportit u ndërpre plotësisht, duke vënë në vështirësi një nga nyjet kryesore të transportit ajror të mbretërisë.
Huthët po veprojnë në dy drejtime. Brenda Jemenit, ata vazhdojnë të konsolidojnë një strukturë pushteti që funksionon si një shtet brenda shtetit. Kontrolli i tyre ka rikthyer, në një formë të re, ndarjet territoriale dhe politike që karakterizonin vendin përpara bashkimit.
Përpjekjet për t’i larguar nga territoret që kontrollojnë përballen me pengesa të mëdha logjistike dhe ushtarake. Në planin e jashtëm, kundër Arabisë Saudite, rebelët shfrytëzojnë avantazhet e luftës asimetrike.
Përvoja e ndërhyrjes saudite në Jemen, gjatë periudhës 2015-2022, tregoi se edhe një fuqi me epërsi të ndjeshme në armatime dhe burime financiare, mund të hasë vështirësi të mëdha për të mposhtur një kundërshtar që shmang përballjen e drejtpërdrejtë dhe zgjedh objektiva me rëndësi strategjike.
Lufta asimetrike dhe vështirësitë e Riadit
Nga impiantet e naftës dhe tubacioni strategjik East-West, që transporton naftën nga lindja drejt porteve në Detin e Kuq, deri te aeroportet, objektivat e sulmeve tregojnë se Huthët synojnë pikat më të ndjeshme të ekonomisë saudite.
Në të kaluarën, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike vunë në pikëpyetje aftësinë e Riadit për të garantuar furnizimet dhe për të ruajtur rolin e tij në tregjet ndërkombëtare të naftës. Tani, goditjet ndaj aeroporteve kërcënojnë një tjetër shtyllë të ambicieve të Mohammed bin Salmanit: shndërrimin e Arabisë Saudite në një qendër ndërkontinentale të transportit, biznesit, diplomacisë dhe investimeve.
Kjo është një sfidë jo vetëm ushtarake, por edhe politike e ekonomike. Një vend që synon të tërheqë turistë, investitorë dhe kompani ndërkombëtare duhet të garantojë sigurinë e infrastrukturës së tij.
Nëse aeroportet dhe objektet strategjike mbeten të ekspozuara ndaj sulmeve të përsëritura, imazhi i mbretërisë si një destinacion i qëndrueshëm për biznesin dhe investimet mund të dëmtohet.
Që prej shtatorit, numri i të vrarëve në Jemen ka kaluar 800, mes tyre dhjetëra viktima nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite. Ky koalicion ka goditur objektiva në territoret e kontrolluara nga huthët, përfshirë aeroportin e Sana-s.
Rifillimi i luftimeve ka shkaktuar gjithashtu zhvendosjen e të paktën 200 mijë personave. Këto shifra i shtohen një krize humanitare që prej vitesh ka shkatërruar një nga vendet më të brishta të rajonit. Sipas të dhënave të UNHCR-së për vitin 2025, rreth 14 për qind e popullsisë jemenase, ose më shumë se 4 milionë njerëz, ishin të zhvendosur brenda vendit.
Përtej pasojave të drejtpërdrejta të luftimeve, lufta ka shkatërruar infrastrukturën, ka dobësuar institucionet dhe ka thelluar varfërinë. Ndërhyrja saudite, e cila synonte të rikthente qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe të frenonte ndikimin e Iranit, nuk ka arritur ta zgjidhë konfliktin. Tashmë, pasojat e tij po kthehen në një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë mbretërinë. Riadi e ka zhvilluar për vite me radhë luftën në territorin jemenas, duke u mbështetur në epërsinë ajrore dhe burimet e mëdha ushtarake.
Megjithatë, mundësia që konflikti të rikthehej me një intensitet të tillë brenda territorit saudit duket se nuk është përllogaritur plotësisht nga strategët e mbretërisë. Sulmet e Huthëve nuk synojnë vetëm të shkaktojnë dëme materiale apo të ndërpresin trafikun ajror.
Ato kanë për qëllim të dobësojnë edhe besimin e publikut te aftësia e shtetit për të garantuar sigurinë, dhe të ushtrojnë presion psikologjik mbi udhëheqjen saudite. Këtë vlerësim e ka bërë Danny Citrinowicz, analist në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare të Universitetit të Tel Avivit.
Sipas tij, një nga vështirësitë kryesore në përballjen me Huthët është se, sa herë rritet presioni ushtarak ndaj tyre, ata përgjigjen duke intensifikuar armiqësitë, në vend që të tërhiqen. Kjo logjikë përmbys llogaritjen tradicionale të fuqisë ushtarake.
Sulmet më të ashpra nuk garantojnë domosdoshmërisht dobësimin e kundërshtarit. Përkundrazi, ato mund ta nxisin atë të zgjerojë konfliktin dhe të zgjedhë objektiva me pasoja më të mëdha politike dhe ekonomike.
Kriza e strategjisë saudite
Vlerësimi i Citrinowicz nxjerr në pah vështirësitë e Arabisë Saudite për të kontrolluar pasojat e krizës jemenase. Sipas një analize të botuar nga Responsible Statecraft, Riadi ka dështuar në Jemen dhe ka humbur mundësinë për ta shndërruar uljen e tensioneve me Iranin në një proces të qëndrueshëm paqeje.
Afrimi mes dy rivalëve rajonalë, kishte krijuar shpresën se mund të hapte rrugën për një marrëveshje më të gjerë politike në Jemen. Megjithatë, kjo mundësi nuk u shfrytëzua për të arritur një zgjidhje që do të garantonte sigurinë e Arabisë Saudite dhe do t’i jepte fund konfliktit.
Sipas Responsible Statecraft, Huthët nuk janë dobësuar ushtarakisht nga fushatat ndëshkuese të ndërmarra kundër tyre. As sulmet e Izraelit, të cilat vranë kryeministrin dhe shefin e shtabit të grupit, dhe as operacioni amerikan Rough Rider, një fushatë bombardimesh që zgjati dy muaj dhe kushtoi rreth një miliard dollarë vitin e kaluar, nuk arritën t’i neutralizonin.
Kjo tregon se aftësia për të goditur objektiva dhe për të shkaktuar dëme, nuk është e njëjtë me aftësinë për të fituar një luftë. Huthët mund të pësojnë humbje të rënda, por nëse ruajnë strukturat drejtuese, kontrollin territorial dhe kapacitetin për të goditur kundërshtarin, mund ta vazhdojnë konfliktin për një kohë të gjatë.
Zvi Bar’el, në gazetën izraelite Haaretz, vëren se Huthëve u mjafton ta bëjnë luftën aq të kushtueshme, të zgjatur dhe dëmtuese, saqë Riadi të humbasë besimin se mund t'i arrijë objektivat e veta. Kjo sipas tij, nxjerr në pah një dilemë thelbësore për sauditët: Si duhet të përkufizohet fitorja në Jemen?
Përgjigjja nuk është e qartë. Nëse fitorja nënkupton eliminimin e huthëve, përvoja e më shumë se një dekade lufte tregon se ky objektiv është jashtëzakonisht i vështirë për t'u realizuar. Nëse synimi është vetëm frenimi i sulmeve të tyre, atëherë mbretëria duhet të gjejë një mënyrë për të garantuar sigurinë e vet pa u përfshirë në një konflikt të pafund.
Kostoja që po paguan Arabia Saudite sot, përfaqëson vetëm një pjesë të shkatërrimit që ka përjetuar Jemeni gjatë më shumë se një dekade lufte. Ky kontrast, tregon kufijtë e aftësisë së Riadit për të kontrolluar zhvillimet e konfliktit, pavarësisht epërsisë financiare dhe ushtarake.
Ndërhyrja saudite nuk ka sjellë një zgjidhje vendimtare.
Në disa raste, ajo ka ndikuar edhe në përplasjet mes forcave kundërshtare të huthëve, duke nxjerrë në pah ndarjet brenda kampit të mbështetur nga Riadi. Një shembull janë përplasjet mes autoriteteve të Adenit dhe Këshillit të Tranzicionit të Jugut, të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026.
Në këto kushte, dobësitë e Arabisë Saudite nuk janë thjesht çështje e sigurisë kombëtare. Ato përbëjnë një problem strategjik për të gjithë rajonin.
Një krizë me pasoja për gjithë Lindjen e Mesme
Pyetja kryesore tani është se si do të reagojë Riadi dhe nëse do të kërkojë mbështetje më të drejtpërdrejtë nga partnerët ndërkombëtarë. Mbetet për t’u parë nëse Turqia dhe Pakistani, do të ofrojnë mbështetje konkrete në kuadër të marrëveshjeve të tyre të bashkëpunimit me Arabinë Saudite, përfshirë fushën e mbrojtjes.
Një tjetër pikëpyetje, lidhet me mundësinë që Mohammed bin Salman dhe rrethi i tij t’u kërkojnë Shteteve të Bashkuara një angazhim më të madh ushtarak. Një ndërhyrje e tillë, mund të shtonte presionin ndaj huthëve, por njëkohësisht do të rrezikonte ta zgjeronte konfliktin dhe ta kthente Jemenin në një tjetër front të përplasjes rajonale.
Pasojat mund të jenë veçanërisht të rënda nëse përshkallëzimi ndërthuret me tensionet me Iranin dhe çështjen e sigurisë së Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Çdo ndryshim i ekuilibrave ushtarakë në këtë hapësirë, mund të ndikojë në tregjet energjetike, sigurinë e transportit detar dhe marrëdhëniet mes fuqive rajonale. Një krizë e thellë e Arabisë Saudite, është një skenar që asnjë fuqi e madhe e rajonit nuk mund ta përballojë lehtësisht. Mbretëria është një aktor qendror në tregjet energjetike, në politikën arabe dhe në përpjekjet diplomatike për të menaxhuar rivalitetet e Lindjes së Mesme. Destabilizimi i saj do të kishte pasoja shumë përtej kufijve të Jemenit. Fakti që Riadi është zhytur në një konflikt, pasojat e të cilit nuk po arrin t'i kontrollojë, krijon rreziqe të paparashikueshme. Në një rajon ku raportet e forcave mbeten të paqarta, veçanërisht përballë Iranit dhe tensioneve rreth Hormuzit, çdo përshkallëzim i ri mund të shkaktojë një reaksion zinxhir. Sulmet e Huthëve nxjerrin kështu në pah një paradoks të fuqisë saudite: një mbretëri me burime të mëdha financiare dhe ushtarake, por që ende nuk ka gjetur mënyrën për ta kthyer epërsinë e saj në një fitore politike.
Për sa kohë që ky hendek mbetet i hapur, kriza e Jemenit do të vazhdojë të kërcënojë jo vetëm sigurinë e Arabisë Saudite, por edhe ekuilibrat e brishtë të gjithë Lindjes së Mesme./Pamfleti nga “Inside Over”riad lindja e mesme Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Bill Gates ngre alarmin për Inteligjencën Artificiale: Sulmet kibernetike, rreziku më i madh 12 Tetor 2026, 08:5508:55Rajoni dhe Bota Nafta, lufta dhe zgjedhjet: çfarë fshihet pas marrëveshjes së re Trump-Putin dhe presionit ndaj Zelensky për armëpushim 12 Tetor 2026, 08:3808:38Rajoni dhe Bota Ronaldo zbulon dy idhujt e tij në botën e sportit: Jam futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave! 12 Tetor 2026, 08:1708:17Rajoni dhe Bota SHBA kërcënon Ukrainën: Ndaloni sulmet ndaj Rusisë, ose humbni inteligjencën dhe armët 12 Tetor 2026, 07:2607:26Rajoni dhe Bota Avancim në negociatat SHBA-Iran? Teherani: Uashingtoni ka pranuar disa nga kushtet për rihapjen e Hormuzit 11 Tetor 2026, 23:0323:03Rajoni dhe Bota Marrëdhëniet Trump-Zelensky në pikë kritike, mosbindja e liderit ukrainas ‘tërbon’ presidentin amerikan! 11 Tetor 2026, 22:4322:43Rajoni dhe Bota

