E gjithë bota i ka sytë nga 3 nëntori, kur Donald Trump do t’i nënshtrohet gjykimit të votuesve amerikanë në zgjedhjet e mesmandatit (midterm). Swfundim, duhet shtuar, pas gati dy vitesh vendimesh politike të pamatura, fyerjesh dhe kërcënimesh, si brenda ashtu edhe jashtë Shteteve të Bashkuara. Pa llogaritur konfliktin e vazhdueshëm të interesit, spekulimet personale në bursë dhe ndërthurjen e interesave të biznesit me politikën ndërkombëtare. Pasojat e gjithë kësaj pasqyrohen në sondazhe. Në nëntor të vitit 2024, Trump fitoi zgjedhjet presidenciale me 49,8% të votës popullore. Sot, vetëm 37,8% e amerikanëve e miratojnë punën e tij si president, sipas mesatares së sondazheve të përpunuara nga faqja RealClearPolitics, të përditësuara të premten, më 9 tetor. LEXO edhe...Trump deklaron ‘armëpushimin energjetik’ me Ukrainën, Moska e përgënjeshtron! Financial Times: Rusia po përgatit atentate ndaj drejtuesve të industrisë së mbrojtjes Për çfarë shërbejnë zgjedhjet e mesmandatit? Amerikanët do të votojnë për të zgjedhur të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila përbëhet nga 435 deputetë, si dhe për të rinovuar 35 nga 100 vendet në Senat. Mandati i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve zgjat dy vjet, ai i senatorëve gjashtë vjet, ndërsa presidenti zgjidhet për një mandat katërvjeçar. Përse dy dhomat e Kongresit zgjidhen në periudha dhe sipas mënyrave të ndryshme? Kjo lidhet me sistemin amerikan të kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Ideja është që Dhoma e Përfaqësuesve të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke pasqyruar vazhdimisht dhe në kohë të shkurtër ndryshimet politike e shoqërore. Senati, nga ana tjetër, i përbërë nga dy përfaqësues për secilin prej 50 shteteve amerikane, ka për qëllim të garantojë një qëndrueshmëri më të madhe institucionale. Megjithatë, mbi të gjitha, rezultati i zgjedhjeve do të jetë një gjykim për dy vitet e para të mandatit presidencial. Historikisht, ky gjykim ka qenë pothuajse gjithmonë negativ për presidentin në detyrë. Mjafton të kujtojmë disa raste nga dekadat e fundit. Në vitin 1994, demokrati Bill Clinton pa se si Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati kaluan nën kontrollin e republikanëve. E njëjta gjë i ndodhi republikanit George W. Bush në vitin 2006. Barack Obama humbi kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2010 dhe të Senatit në vitin 2014. Donald Trump humbi shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2018, ashtu si Joe Biden në vitin 2022. Në njëfarë mënyre, zgjedhjet e mesmandatit funksionojnë si një frenë emergjence, të cilën shumica e votuesve mund ta aktivizojë për të ngadalësuar, e ndonjëherë edhe për të nxjerrë nga shinat, trenin presidencial. Pikërisht për këtë arsye, një president që humbet zgjedhjet e mesmandatit cilësohet si një “rosë e çalë” (lame duck), një shprehje që përdoret për një udhëheqës të cilit i është dobësuar ndjeshëm pushteti politik. Sa vende nevojiten për të siguruar shumicën? Në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila ka gjithsej 435 anëtarë, Partia Republikane zotëron aktualisht një shumicë tepër të ngushtë: 218 vende, kundrejt 214 të demokratëve. Dy vende janë vakante, ndërsa një tjetër mbahet nga një deputet i pavarur. Në Senat, pragu minimal për të siguruar shumicën është 51 nga 100 vende. Në rast barazimi, pra kur të dyja palët kanë nga 50 senatorë, vota vendimtare i takon zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, në këtë rast republikanit JD Vance. Aktualisht, republikanët kontrollojnë 53 vende, ndërsa demokratët 47, duke përfshirë edhe dy senatorë të pavarur që votojnë së bashku me ta. Për të përmbysur raportin e forcave në Senat, demokratëve u duhet t'u marrin republikanëve të paktën katër vende. Siç u përmend, në këto zgjedhje do të rinovohen 35 vende në Senat. Rihartimi i zonave zgjedhore Vendet në Dhomën e Përfaqësuesve shpërndahen ndërmjet shteteve amerikane në përpjesëtim me popullsinë e tyre, e cila përcaktohet nga regjistrimi kombëtar që zhvillohet çdo dhjetë vjet. Për shembull, Kalifornia ka 52 përfaqësues, Teksasi 38, Florida 28, Nju Jorku 26, e kështu me radhë. Çdo shtet ka të drejtë të përcaktojë kufijtë e zonave të veta zgjedhore për Dhomën e Përfaqësuesve. Por, nëse përdoret teknika e njohur si gerrymandering, mund të ndikohet drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Emërtimi e ka origjinën nga një manovër e vitit 1812, e përdorur nga guvernatori i Masaçusetsit, Elbridge Gerry. Ai krijoi një zonë zgjedhore me një formë të pazakontë, të ngjashme me një salamandër, në afërsi të Bostonit, me qëllim përqendrimin e votave të mbështetësve të tij dhe dobësimin e ndikimit të votave të kundërshtarëve. Nga bashkimi i mbiemrit Gerry me fjalën angleze salamander lindi termi gerrymander. Gjatë viteve 2025-2026, kjo praktikë e ndryshimit të kufijve të zonave zgjedhore është përdorur në tetë shtete të kontrolluara nga republikanët: Teksas, Florida, Karolina e Veriut, Misuri, Ohajo, Tenesi, Alabama dhe Luiziana. E njëjta praktikë është përdorur edhe në dy shtete të kontrolluara nga demokratët: Kalifornia dhe Juta. Sipas vlerësimeve të NBC News, republikanët mund të përfitojnë deri në 16 vende shtesë, ndërsa demokratët gjashtë. Kjo do të krijonte një avantazh neto prej tetë deputetësh në favor të konservatorëve. Ku do të vendoset fati i zgjedhjeve? A do të jetë i mjaftueshëm ky avantazh për t'u siguruar republikanëve fitoren në Dhomën e Përfaqësuesve? Sipas sondazheve, jo. Duke marrë parasysh synimet e votimit në të 50 shtetet amerikane, demokratët kryesojnë me një diferencë prej 8,3 pikësh përqindjeje, sipas mesatares së përllogaritur nga RealClearPolitics. Madje edhe televizioni konservator Fox News i vendos demokratët në avantazh, duke u parashikuar 215 vende, kundrejt 201 për republikanët. Demokratët mund të arrijnë rezultate të rëndësishme edhe në bastionet tradicionale republikane, si Ajova, Juta dhe Nebraska, përveç shteteve ku gara pritet të jetë më e fortë, si Pensilvania, Virxhinia dhe Arizona. Republikanët, nga ana tjetër, synojnë të marrin sa më shumë vota në shtetet ku tradicionalisht kanë mbështetje të fortë: Alabama, Florida, Luiziana, Tenesi dhe Teksas. Në Senat, gara është e hapur veçanërisht për pesë vende që aktualisht mbahen nga republikanët, në Alaskë, Ajova, Mein, Ohajo dhe Teksas. Sondazhet tregojnë se, për momentin, kandidatët demokratë kryesojnë në Ohajo dhe, në mënyrë befasuese, edhe në Teksas. Dy vite të Trump në pushtet, çfarë tregojnë shifrat? Presidenti amerikan pretendon se, në 250 vitet e historisë së tij, vendi nuk ka qenë kurrë kaq i pasur, kaq i fuqishëm dhe kaq i respektuar. Edhe më 22 shtator, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump renditi ato që i quajti “suksese të paprecedenta” të administratës së tij: një milion vende të reja pune, 1,5 milionë amerikanë të nxjerrë nga varfëria, 21 mijë miliardë dollarë investime të huaja, zero emigracion të paligjshëm dhe “përfundimin e tetë luftërave”. Por këto shifra janë dukshëm të fryra. Një nga shembujt më domethënës lidhet me investimet. Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë regjistron 11.200 miliardë dollarë investime, jo 21 mijë miliardë, siç pretendon presidenti. Për më tepër, në këtë shumë përfshihen edhe angazhime investimi që datojnë që nga administrata e Joe Biden. Sa u përket vendeve të punës, gjatë këtyre dy viteve janë krijuar 807 mijë vende të reja, një shifër që përputhet me prirjen historike të ekonomisë amerikane. Borxhi, inflacioni, benzina dhe emigrantët Një pasqyrë më e saktë e gjendjes së ekonomisë amerikane mund të krijohet duke krahasuar treguesit e sotëm me ata të nëntorit 2024, kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale. Inflacioni është rritur nga 2,7% në 3,4% në muajin gusht, sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës (Bureau of Labor Statistics). Borxhi publik është rritur nga 35.900 miliardë dollarë në 40.200 miliardë dollarë, sipas të dhënave të Kongresit. Rritja ekonomike ishte 2,8%, ndërsa për këtë vit Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje prej 2,3%. Norma e papunësisë ka mbetur e pandryshuar, në nivelin 4,2%. Por faturën më të rëndë amerikanët po e paguajnë në pikat e karburantit dhe në supermarketet ku bëjnë pazaret e përditshme. Në nëntor 2024, një gallon benzinë, rreth 3,7 litra, kushtonte 3,04 dollarë. Sot çmimi ka arritur në 4,41 dollarë, sipas Automobile Club of America. Një paund kafe, rreth 453 gramë, është shtrenjtuar nga 6,32 dollarë në 9,30 dollarë, ndërsa e njëjta sasi mishi të grirë është rritur nga 5,35 në 6,92 dollarë. Edhe faturat e energjisë elektrike janë bërë dukshëm më të shtrenjta. Në fund të vitit 2024, konsumatorët amerikanë paguanin 17,6 cent për kilovatorë, ndërsa sot paguajnë 19,6 cent, sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Punës. Situata është më e mirë sa i përket çmimit të vezëve, një produkt të cilin Trump e përdori si argument gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024. Në atë periudhë, një kuti me 12 vezë kushtonte 3,65 dollarë, ndërsa në gusht çmimi kishte zbritur në 2,27 dollarë. Sa i përket emigracionit, Trump mund të paraqesë rezultate konkrete. Sipas Qendrës për Studimet e Emigracionit (Center for Immigration Studies), numri i emigrantëve të parregullt që ndodhen në Shtetet e Bashkuara vlerësohet të ketë rënë nga 15,8 milionë në janar 2025 në 13,5 milionë në korrikun e këtij viti. Tarifat doganore dhe luftërat Shtylla kryesore e politikës ekonomike të Trump kanë qenë tarifat doganore. Pasi tronditën tregjet financiare, dëmtuan sektorë të tërë të prodhimit dhe, pjesërisht, rritën çmimet për konsumatorët amerikanë, më 20 shkurt të këtij viti Gjykata e Lartë vendosi se presidenti nuk mund t'i vendoste këto tarifa duke u mbështetur në ligjin për emergjencat ekonomike. Për pasojë, duhet të kthehen rreth 166 miliardë dollarë që importuesit kishin paguar në formën e tarifave doganore. Deri tani janë rimbursuar afërsisht 100 miliardë dollarë, ndërsa për pjesën e mbetur vijojnë ende proceset gjyqësore. Po çfarë ndodh me tetë luftërat që presidenti pretendon se i ka përfunduar? Disa prej tyre ishin në të vërtetë mosmarrëveshje diplomatike, si ajo ndërmjet Egjiptit dhe Etiopisë për ndërtimin e një dige. Të tjera ishin konflikte që nuk ekzistonin si luftëra të mirëfillta, siç është rasti i Serbisë dhe Kosovës. Përplasja e shkurtër e armatosur ndërmjet Indisë dhe Pakistanit u zgjidh shpejt, pa një ndërmjetësim të mirëfilltë amerikan. Ndërkohë, Azerbajxhani i dëboi armenët nga rajoni i diskutueshëm i Nagorno-Karabakut. Çfarë mbetet atëherë nga lista e Trump? Konflikti ndërmjet Kamboxhias dhe Tajlandës. Luftërat e tjera, ndërkohë, vazhdojnë. Përplasjet ndërmjet Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos nuk janë ndalur, pavarësisht marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Uashingtoni. Në Gaza, sulmet izraelite nuk janë ndërprerë asnjëherë. Lufta e tetë që Trump pretendon se ka përfunduar është ajo ndërmjet Izraelit dhe Iranit. Por, siç dihet, Shtetet e Bashkuara ndërhynë duke e zgjeruar konfliktin, me pasoja të rënda për ekonominë botërore. Ndërkohë, lufta në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më e përgjakshme, pavarësisht se Trump kishte premtuar, që përpara marrjes së detyrës më 20 janar 2025, se do të arrinte t'i bindte Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn të gjenin një marrëveshje brenda 24 orëve. Çfarë ndodh nëse demokratët fitojnë një shumicë të ngushtë? Për Donald Trump, pra, po bëhet gjithnjë e më i mundshëm një rezultat negativ në zgjedhjet e mesmandatit: humbja e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve duket shumë e mundshme, ndërsa humbja e kontrollit të Senatit mbetet gjithashtu një skenar i mundshëm. Edhe nëse sigurojnë vetëm një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët do të kenë mundësinë të bllokojnë propozimet e Shtëpisë së Bardhë për shpenzimet publike ose uljen e taksave. Ndër kompetencat e Kongresit është edhe shpallja e luftës. Nëse demokratët arrijnë të marrin kontrollin edhe të Senatit, qoftë edhe me një vend më shumë se republikanët, ata do të kenë në dorë miratimin e emërimeve të gjyqtarëve federalë, ministrave dhe ambasadorëve. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se presidenti ka të drejtën e vetos ndaj ligjeve të miratuara nga Kongresi. Për të rrëzuar veton presidenciale, nevojitet miratimi i dy të tretave të anëtarëve si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat. Por asnjë sondazh nuk i sheh demokratët pranë një shumice kaq të madhe në të dyja dhomat e Kongresit. Në praktikë, demokratët mund të nisin procedurën për vënien nën akuzë të presidentit në Dhomën e Përfaqësuesve, të njohur si impeachment, por më pas nuk do të kenë votat e nevojshme në Senat për ta shpallur fajtor dhe për ta shkarkuar nga detyra, apo për ta detyruar të ndryshojë kursin politik. Çfarë mund të bëjë Trump si një president me pushtet të dobësuar? Donald Trump ka treguar që gjatë mandatit të tij të parë se është në gjendje të anashkalojë Kongresin, duke përdorur gjerësisht urdhrat ekzekutivë, të cilët janë akte të nxjerra drejtpërdrejt nga presidenti. Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ai ka nënshkruar 288 urdhra ekzekutivë, me një ritëm mesatar prej një urdhri çdo dy ditë. Sipas përllogaritjeve të faqes Ballotpedia, kjo është mesatarja më e lartë e regjistruar nga një president amerikan që prej vitit 1981. Këto vendime përfshijnë fusha nga më të ndryshmet: emigracionin, tarifat doganore, energjinë, arsimin, politikën e jashtme dhe inteligjencën artificiale. Ndryshe nga dekretligjet italiane, të cilat duhet të miratohen nga Parlamenti brenda 60 ditëve për të mbetur në fuqi, urdhrat ekzekutivë amerikanë nuk kanë një afat të caktuar skadimi. Ata mbeten në fuqi derisa të zëvendësohen nga një ligj, të anulohen nga gjykatat federale ose të shfuqizohen nga një president pasardhës. Kjo do të thotë se, në rast humbjeje në zgjedhjet e mesmandatit, Trump mund të përdorë edhe më shumë urdhrat ekzekutivë për të vazhduar zbatimin e politikave të tij, ndërsa Kongresi do ta kishte të vështirë ta frenonte. Sigurisht, nëse demokratët do të kontrollonin si Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senatin, ata mund të miratonin ligje për të shfuqizuar urdhrat ekzekutivë të presidentit. Por Trump, nga ana e tij, mund t'i bllokonte këto ligje duke përdorur veton presidenciale. Rreziku, në këtë rast, është që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në një përplasje të vazhdueshme politike dhe institucionale ndërmjet Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Sido që të jetë, qeverisja do të bëhet më e vështirë për presidentin, sepse ai do të detyrohet të negociojë me kundërshtarët politikë për miratimin e akteve të domosdoshme për funksionimin e shtetit. Në krye të këtyre akteve qëndron më i rëndësishmi nga të gjithë: ligji për buxhetin federal. Dhe nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përballen me një bllokim të zgjatur politik dhe institucional, i cili mund të vazhdojë deri në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm./Corriere Della Sera SI.E./ReportTv.al SHBA donald trump Komento Komente Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59.1% Jo 34.6% Nuk e di 6.4% Vota total: 6594 Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?
