Violinisti shqiptar Beng Bakalli, 45 vjeç, është dënuar nga Gjykata Penale e Nicës më 9 tetor me tre vite burg, një vit liri me kusht dhe 1.1 milion euro gjobë për trafikimin e kokainës. Ai u arrestua më 10 gusht në La Turbie, pranë kufirit franko-italian, ku doganierët zbuluan 38.33 kilogramë kokainë të fshehur poshtë tapetit të dyshemesë së automjetit të tij. Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vite burg.
Gjatë hetimeve, autoritetet kontrolluan edhe banesën e tij në Besançon, ku gjetën 90 mijë euro para të gatshme, katër armë zjarri dhe një sasi të madhe municionesh. Bakalli deklaroi se paratë ishin dhuratë nga babai i tij, ndërsa armët i përdorte për qitje sportive. Ai tha gjithashtu se kontratën për transportin e drogës e kishte siguruar përmes disa të njohurve gjatë një udhëtimi në Shqipëri, kundrejt pagesës prej 20 mijë eurosh, duke u shprehur se nuk arrinte ta shpjegonte se si kishte përfunduar në këtë situatë.
I lindur në Shqipëri dhe i vendosur në Francë që prej vitit 1991, Bakalli është muzikant profesionist dhe anëtar me kohë të pjesshme i Orkestrës Simfonike Victor-Hugo Bourgogne-Franche-Comté. Ai nuk rezulton të ketë precedentë penalë. Pas arrestimit, drejtuesit e orkestrës dhe Bashkia e Besançonit theksuan se çështja lidhej me veprimet e tij individuale dhe se ngjarja nuk duhej të ngatërrohej me aktivitetin e institucionit muzikor.

