Donald Trump bisedoi për gati një orë në telefon me homologun rus Vladimir Putin, dhe garancia që mori sipas raporteve në mediat e huaja, ishte se Moska nuk ka “plane agresive” ndaj Europës. Pohimin e bëri këshilltari i tij për politikën e jashtme, Juri Ushakov, para gazetarëve. Kjo deklaratë vjen vetëm pak javë pas sulmit hibrid ndaj aeroportit Leipzig-Halle, për të cilin qeveria gjermane fajëson Rusinë.
Ushakov theksoi se biseda telefonike njëorëshe mes Putinit dhe Donald Trumpit ishte “konstruktive dhe mjaft e sinqertë”. Sipas tij, presidenti rus i bëri gjithashtu Trumpit një “analizë objektive dhe të detajuar të zhvillimeve në fushën e betejës” e i shpjegoi edhe se “çfarë mund të bëjnë amerikanët për t’u dhënë fund sa më shpejt luftimeve”, por nuk dha hollësi të mëtejshme.
Biseda vjen në një moment kur vendet perëndimore po shtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, ndërsa Moska sinjalizon mundësinë e një afrimi të ri me Uashingtonin. Kremlini ka vlerësuar gjithashtu vizitën e të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët zhvilluan bisedime në Rusi gjatë fundjavës, dhe pohoi se gjatë telefonatës është diskutuar edhe mundësia e shkëmbimeve të tjera të të burgosurve. Lavdërime për të dërguarit amerikanë pati edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili u shpreh se ata paraqitën disa ide “shumë të mira dhe me vlerë” për mbylljen e luftës.
Zelensky tha se shpreson të takohet me Trumpin brenda dy javëve të ardhshme. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se Rusia mbetet e vendosur të arrijë objektivat e saj ushtarake dhe beson se është pranë fitores. Trump nuk ka bërë ende një deklaratë publike për bisedën me Putinin. Top Channel

