Vendi ku u zbulua trupi 35-vjeçari shqiptar ishte vrarë përpara se makina me trupin e tij të përfnte në kanalin Tergola. Karabinierët po rindërtojnë lëvizjet dhe kontaktet e fundit të viktimës, ndërsa kamerat e sigurisë dhe gjurmët e gjetura në automjet pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet brenda një “Fiat Bravo” të zhytur pjesërisht në kanalin Tergola, në Torre di Burri, pjesë e komunës San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës.
Sipas ANSA-s, ekzaminimi mjeko-ligjor ka përcaktuar se 35-vjeçari është vrarë me një plumb të qëlluar nga distancë shumë e afërt. Në momentin e vrasjes ai kishte duart e lidhura, një element që përforcon dyshimin e hetuesve se kemi të bëjmë me një ekzekutim të organizuar.
Mjeku ligjor Rafi El Mazloum, i cili kreu ekzaminimet mbi trupin, ka konstatuar gjithashtu se në mushkëritë e viktimës nuk kishte ujë. Ky rezultat tregon se Hoti kishte ndërruar jetë përpara se automjeti ku ndodhej trupi i tij të përfnte në kanal. Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali 9 Shtator, 14:04 Hetuesit vlerësojnë se vdekja mund të ketë ndodhur gjatë natës mes së hënës dhe së martës. Tashmë karabinierët po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të 35-vjeçarit, personat me të cilët është takuar dhe lëvizjet që ka kryer gjatë mbrëmjes së të hënës.
Sipas ANSA-s, Hoti kishte disa precedentë të vegjël policorë. Hetimi, i koordinuar nga kryeprokurori i Padovës, Angelantonio Racanelli, po përqendrohet aktualisht te mundësia e një larjeje hesapesh në mjediset e shpërndarjes së drogës. Kjo mbetet një pistë hetimore dhe autoritetet nuk kanë përcaktuar ende motivin përfundimtar të vrasjes.
Trupi në një thes, makina pa targa dhe goma për ta fshehur
Mënyra se si autorët kanë tentuar të zhdukin trupin përbën një tjetër pjesë të rëndësishme të hetimit.
Sipas Corriere del Veneto dhe mediave të grupit Nord Est Multimedia, trupi ishte vendosur në një thes të zi, me duart e lidhura, në pjesën e pasme të “Fiat Bravo”-s. Sediljet e pasme ishin ulur, ndërsa mbi trup ishin vendosur pjesë gomash. Brenda automjetit u gjetën edhe goma të tjera.
Autorët kishin hequr të dyja targat e makinës përpara se automjeti të përfnte në ujë. Megjithatë, eliminimi i targave nuk mjafton për të fshehur origjinën e mjetit: karabinierët kanë përdorur numrin e shasisë për të gjurmuar pronësinë dhe historikun e “Fiat Bravo”-s.
Hetuesit kërkojnë të përcaktojnë jo vetëm pronarin e automjetit, por edhe personin e fundit që e ka përdorur atë. Kjo mund të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë me personat që transportuan trupin e Hotit drejt kanalit.
Pse u zgjodh pikërisht kanali Tergola?
Një tjetër pikë që po shqyrtojnë hetuesit është vendi ku u braktis makina.
Automjeti u gjet pranë një dige në Torre di Burri, në kryqëzimin e kanaleve Tergola dhe Vandura. Në atë segment uji është më i thellë dhe makina mund të qëndronte pothuajse e fshehur nën sipërfaqe.
Sipas Corriere del Veneto, arritja në atë pikë kërkon kalimin nëpër disa rrugë dytësore të zonës rurale. Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë nëse personat që transportuan trupin njihnin zonën ose nëse mund ta kenë studiuar atë paraprakisht.
Edhe Tribuna di Treviso raporton se karabinierët po analizojnë arsyen e zgjedhjes së këtij vendi. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që personat e përfshirë të kenë ardhur nga jashtë provincës dhe ta kenë përdorur zonën vetëm për të fshehur trupin.
Makina u pikas rreth orës 08:30 të mëngjesit të së martës nga persona që kalonin në Via del Santo. Rrotat e saj dalloheshin mbi sipërfaqen e ujit, çka çoi në njoftimin e autoriteteve.
Kamerat mund të zbulojnë lëvizjen e autorëve
Një element që mund të rezultojë vendimtar janë kamerat e sigurisë të vendosura në zonë.
Pranë vendit ku u gjet automjeti ndodhet një punishte me sistem videomonitorimi dhe regjistrimet u janë dorëzuar karabinierëve. Autoritetet lokale kanë vënë në dispozicion edhe kamerat e tjera të zonës.
Kryebashkiaku i San Giorgio delle Pertiche, Daniele Canella, ka konfirmuar se në zonë ndodhen disa kamera. Hetuesit synojnë të përcaktojnë orën kur “Fiat Bravo” ka mbërritur pranë kanalit dhe, mbi të gjitha, nëse ajo shoqërohej nga një automjet tjetër.
Ky element ka rëndësi për rindërtimin e dinamikës: pasi makina me trupin u fut në ujë, personi ose personat që e transportuan deri aty duhej të largoheshin nga zona.
Karabinierët po kërkojnë gjithashtu në kanalin Tergola targat e hequra të automjetit, armën e përdorur për vrasjen dhe çdo objekt tjetër që mund të jetë hedhur në ujë.
Hetuesit rindërtojnë natën e fundit të Hotit
Identifikimi i Ferdinant Hotit u bë përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe elementeve të tjera të mbledhura nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Padovës.
Tani hetimi është zhvendosur te rrethi i kontakteve të tij. Karabinierët po verifikojnë me kë është takuar 35-vjeçari mbrëmjen e së hënës, telefonatat dhe lëvizjet e tij të fundit, me synimin për të përcaktuar vendin ku u krye vrasja dhe personat që morën pjesë në të.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se Hoti nuk ka humbur jetën si pasojë e përfundimit të automjetit në ujë. Ai ishte vrarë më parë dhe më pas trupi është transportuar për t'u fshehur.
Hetuesit duhet të përcaktojnë tashmë nëse 35-vjeçari është ekzekutuar brenda “Fiat Bravo”-s apo në një vend tjetër, përpara se trupi të ngarkohej në automjet.
Pista që po ndiqet aktualisht lidhet me një konflikt në mjediset e drogës, por hetimet vazhdojnë dhe deri tani nuk është bërë publik asnjë emër i dyshuar për vrasjen. /Pamfletivrasje itali Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike Plagosja e dyfishtë në Laprakë, policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin 9 Shtator 2026, 15:3715:37Kronike Drogë nga Kanadaja drejt Shqipërisë, kapen 107 kg kanabis “Gelato” me vlerë 1.2 mln euro në Portin e Durrësit 9 Shtator 2026, 15:1215:12Kronike Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali 9 Shtator 2026, 14:0214:02Kronike Plagosi me armë 29-vjeçarin në Kukës, vetëdorëzohet autori; në banesë i gjenden kallashnikov dhe municione 9 Shtator 2026, 13:4613:46Kronike Pjesë e grupit të Visit të Pojës, ekstradohet drejt Italisë Ervis Deti 9 Shtator 2026, 13:1713:17Kronike Zoti Skender Hita, moti i mirë duket në mëngjes: Dashamir Spaho ka dështuar në Shkodër 9 Shtator 2026, 11:4611:46Kronike

