Lajme Zone
Trump kërcënon Omanin me bombardim
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Trump kërcënon Omanin me bombardim

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Omanin me bombardim, pasi Uashingtoni është i pakënaqur me marrëveshjen që SHBA po negocion me Iranin për menaxhimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, sipas dy zyrtarëve rajonalë të cituar nga Associated Press.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Omanin me bombardim, pasi Uashingtoni është i pakënaqur me marrëveshjen që SHBA po negocion me Iranin për menaxhimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, sipas dy zyrtarëve rajonalë të cituar nga Associated Press.

Administrata Trump i ka bërë të ditur Omanit kundërshtimin ndaj disa pjesëve të marrëveshjes ende të pa shpallur, veçanërisht për menaxhimin e përbashkët iraniano-oman të rrugës së daljes nga ngushtica, një pikë strategjike për furnizimet globale me naftë dhe gaz.

Sipas zyrtarëve, SHBA beson se Omani nuk ka qenë mjaftueshëm i ashpër në negociatat me Iranin dhe kundërshton edhe planin për mbledhjen e tarifave vullnetare nga anijet, të lidhura me sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit detar.

Trump e ka kërcënuar publikisht Omanin edhe më herët. Në maj, ai deklaroi se vendi “do të sillet si gjithë të tjerët, ose do të na duhet ta bombardojmë”.

Të martën, presidenti amerikan publikoi në rrjetet sociale një hartë ku Ngushtica e Hormuzit paraqitej si territor amerikan, ndërsa tha se i pëlqente ideja e shpalljes së saj territor i SHBA-së.

Nga ana tjetër, Irani ka reaguar ashpër. Zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi e cilësoi pretendimin amerikan për ngushticën si një “iluzion”, ndërsa Teherani ka përsëritur se trafiku detar nuk do të rikthehet normalisht pa plotësimin e kushteve të tij nga Uashingtoni.

Tensionet janë shoqëruar edhe me incidente të reja në rajon. Një mjet lundrues u godit nga një predhë teksa po dilte nga Ngushtica e Hormuzit, duke shkaktuar dëme në dhomën e motorëve dhe një viktimë në ekuipazh, sipas autoriteteve britanike të monitorimit detar.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se dy raketa balistike u lëshuan nga Irani drejt territorit të tyre. Nuk pati raportime për dëme apo të plagosur.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë dhe çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për tregjet e naftës dhe gazit.

Në një tjetër zhvillim, rebelët Houthi në Jemen pretenduan se kanë sulmuar me dronë një rafineri nafte të Saudi Aramco në Arabinë Saudite, duke shtuar shqetësimet për hapjen e fronteve të reja në konfliktin rajonal.