Presidenti Donald Trump ka autorizuar ekzekutimin kapital të ish-majorit dhe psikiatrit ushtarak Nidal Malik Hasan, autorit të masakrës më të rëndë në një bazë ushtarake në SHBA.
Më 5 nëntor 2009, Hasan hyri në bazën Fort Hood në Teksas dhe hapi zjarr me pistoletë duke bërtitur "Allahu Akbar". Ai vrau 13 ushtarë dhe plagosi 32 të tjerë, përpara se të qëllohej nga policia. I paralizuar nga plagët, ai ndodhet që prej asaj kohe në burgun ushtarak të Fort Leavenworth, Kansas.
Nëse ekzekutimi do të kryhet, Hasan do të përballet me një skuadër pushkatimi, i pari ushtar amerikan i ekzekutuar që nga viti 1961 dhe i pari nga një skuadër pushkatimi që nga viti 1945. Vendimi megjithatë mund të pezullohet ose shtyhet nga një gjykatë civile.
I lindur në Virxhinia nga prindër palestinezë, Hasan u shkollua si psikiatër me bursa ushtarake dhe punoi në spitalin "Walter Reed". Gjatë gjyqit të vitit 2013, ai pranoi se kishte qëlluar për të penguar dislokimin e trupave amerikane në vendet myslimane, një dislokim që për të përbënte "makthin më të madh".
Hetimet zbuluan gjithashtu lidhjet e tij me predikuesin radikal të Al-Qaedës, Anwar al-Awlaki, i cili e ka ndikuar atë drejt radikalizimit.

