Lajme Zone
Tre javë nën pushtetin e zjarreve, 8 hektarë pyje të dëmtuara në Malin e Dardhës të Librazhdit, vijon beteja me flakët
Të tjeraBalkanWeb

Tre javë nën pushtetin e zjarreve, 8 hektarë pyje të dëmtuara në Malin e Dardhës të Librazhdit, vijon beteja me flakët

Prej rreth tri javësh, një nga sfidat më të vështira për strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Bashkinë Librazhd mbetet zjarri i përhapur në masivin pyjor të Malit të Dardhës, në territorin e Njësisë Administrative Hotolisht.

Prej rreth tri javësh, një nga sfidat më të vështira për strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Bashkinë Librazhd mbetet zjarri i përhapur në masivin pyjor të Malit të Dardhës, në territorin e Njësisë Administrative Hotolisht. Vatra, e shfaqur që në fillim të muajit gusht, vijon të kërkojë angazhim të vazhdueshëm të forcave zjarrfikëse dhe shërbimit pyjor, ndërsa ndërhyrjet janë zhvilluar paralelisht me operacione të tjera për përballimin e situatës së zjarreve në territorin e bashkisë. Sipas të dhënave zyrtare, vatra e zjarrit mbetet veçanërisht problematike për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme të prekur, por edhe të karakteristikave të terrenit ku po zhvillohet operacioni. Terreni malor, i thyer dhe i vështirë për t’u aksesuar, së bashku me shtresën e trashë të humusit, trungjet dhe drurët e thatë, krijojnë kushte që favorizojnë përhapjen dhe riaktivizimin e flakëve edhe pas ndërhyrjeve për izolimin e tyre. Situata është rënduar gjatë ditës së djeshme, kur erërat e forta dhe temperaturat e larta riaktivizuan zjarrin, duke favorizuar përhapjen e flakëve në një tjetër pjesë të masivit pyjor. Si pasojë, sipërfaqja totale e dëmtuar nga zjarri në Malin e Dardhës ka arritur në rreth 8 hektarë, sipas bilancit të fundit operacional. Gjatë ditës së djeshme, deri në orën 20:00, në terren u angazhuan 10 punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe 2 punonjës të shërbimit pyjor, ndërsa në përpjekjet për izolimin e vatrave morën pjesë edhe banorë të zonës, së bashku me mjetet në dispozicion.

Operacioni nuk është ndërprerë dhe, pas punës së zhvilluar gjatë ditës së djeshme, ndërhyrja në terren ka rifilluar në orën 05:00 të mëngjesit të sotëm, me angazhim të shtuar të forcave për shuarjen dhe izolimin e plotë të vatrës.

Vështirësia kryesore e operacionit lidhet me faktin se zjarri nuk përballet vetëm me flakët e dukshme, por edhe me materialin e thatë dhe shtresat e humusit që mund të mbajnë nxehtësi dhe të favorizojnë rindezjen e vatrave. Për këtë arsye, puna e forcave në terren kërkon ndërhyrje të përsëritura dhe monitorim të vazhdueshëm të zonës.

Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera gjatë këtyre tri javëve, vatra e Malit të Dardhës mbetet një prej situatave më të vështira të zjarreve në territorin e Librazhdit, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm të strukturave zjarrfikëse, shërbimit pyjor dhe komunitetit lokal.

Strukturat operacionale vijojnë punën në terren me objektiv izolimin e plotë të vatrës, parandalimin e përhapjes së mëtejshme dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, në një zonë ku kushtet e terrenit dhe faktorët atmosferikë e bëjnë ndërhyrjen veçanërisht të komplikuar.

Zjarri në Malin e Dardhës vijon të mbetet nën monitorim dhe ndërhyrje të vazhdueshme, ndërsa bilanci i fundit e çon në rreth 8 hektarë sipërfaqen e dëmtuar nga flakët.Ndërkohë që gjatë kësaj vere në të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit janë rregjistruar qindra vatra të fuqishme zjarri ku më të shumtit kanë prekur Elbasanin, Cërrikun dhe Peqinin. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb