Lajme Zone
Ekskluzive/ Myrvete Dibra mes të rikthyerve nga Siria, ish-bashkëshorte e malazezit Hamid Beharoviç, ish-pjesëtar i bandave të armatosura të ISIS
Të tjeraTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Ekskluzive/ Myrvete Dibra mes të rikthyerve nga Siria, ish-bashkëshorte e malazezit Hamid Beharoviç, ish-pjesëtar i bandave të armatosura të ISIS

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë, janë rikthyer sot në Shqipëri nga Siria, në kuadër të një operacioni të riatdhesimit të koordinuar nga autoritetet shqiptare.

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë, janë rikthyer sot në Shqipëri nga Siria, në kuadër të një operacioni të riatdhesimit të koordinuar nga autoritetet shqiptare. Ata mbërritën me një avion charter dhe u pritën nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Mes të rikthyerve ndodhen Hajrije Taushani, Myrvete Dibra dhe tre fëmijë, dy prej të cilëve vajza të mitura.

Hajrije Taushani, gjyshja që shkoi në Siri për nipërit

Një prej emrave që lidhet prej vitesh me historinë e shqiptarëve të mbetur në kampet e Sirisë është Hajrije Taushani.

Taushani kishte shkuar në Siri për t’u kujdesur për familjarët e saj, pasi djali i saj kishte humbur jetën atje. Në kampet siriane ajo kishte qëndruar bashkë me nipërit e saj, të cilët kishin mbetur pa prindër.

Sot, pas vitesh qëndrimi në kampet siriane, Taushani është kthyer në Shqipëri së bashku me nipin e saj të mitur. Ata ishin të parët që zbritën nga avioni pas mbërritjes në Shqipëri.

Myrvete Dibra, rikthehet pas vitesh në Siri

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mes të riatdhesuarve është edhe Myrvete Dibra, e cila prej vitesh ndodhej në kampet siriane së bashku me vajzat e saj.

Historia e Dibrës është raportuar gjerësisht në mediat shqiptare. Në vitet e kaluara ajo dhe fëmijët e saj ndodheshin në kampin Al-Hol dhe më pas në kampin Roj, ndërsa familjarët e saj kishin bërë vazhdimisht thirrje për rikthimin e tyre në Shqipëri.

Dibra është gjithashtu emri që del në raportimet e mëparshme për gratë shqiptare të mbetura në kampet e Sirisë, mes të cilave përmendej edhe Hajrije Taushani.

Lidhja me Hamid Beharović

Emri i Myrvete Dibrës është përmendur ndër vite në raportimet për shqiptarët që ndodheshin në kampet e Sirisë. Ajo ka qenë bashkëshortja e shtetasit malazez Hamid Beharović, i cili në vitin 2017 u përball në Mal të Zi me akuza për pjesëmarrje në një formacion të armatosur të huaj, të identifikuar nga prokuroria si organizata terroriste ISIS/ISIL.

Në materialet e asaj kohe përfshiheshin edhe dokumente që lidhnin udhëtimin e Beharovićit me Turqinë dhe Sirinë. Ai i kishte mohuar akuzat, duke pranuar se kishte qenë në Siri, por duke deklaruar se nuk kishte marrë pjesë në luftime.

Nga avioni në ambulancë

Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë shtetasit u pritën nga autoritetet shqiptare. Fillimisht zbritën gjyshja dhe nipi i saj, ndërsa më pas edhe tre vajzat.

Të rikthyerve iu dhanë dhurata dhe më pas u shoqëruan me ambulanca për kontrollet e nevojshme mjekësore.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas kthimit në atdhe do të kryhen vlerësime shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë më tej me procesin e akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre.

Task-Forca ndërinstitucionale do të vazhdojë punën edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, nëse krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt. Top Channel