Lajme Zone
EkonomiEuronews Albania

Tradita që kërkon treg, gratë e fshatit synojnë të ardhura nga prodhimet vendase


Në një panair të vogël, mes produkteve të përgatitura me dorë, takojmë dy gra nga fshati që kanë zgjedhur ta kthejnë traditën dhe prodhimet e zonës në një mundësi për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.

Në një panair të vogël, mes produkteve të përgatitura me dorë, takojmë dy gra nga fshati që kanë zgjedhur ta kthejnë traditën dhe prodhimet e zonës në një mundësi për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Pekmezi, mjalti, uthulla, frutat dhe produkte të tjera përgatiten sipas recetave të trashëguara brez pas brezi. Sot, këto produkte nuk janë më vetëm pjesë e tryezës familjare, por synojnë edhe tregun. “Janë bio të gjitha, nga fshati. I prodhojmë vetë. I prodhojmë me narden, me shalë, me pekmez, me mjaltë. Nga pekmezi bëjmë oshafe këtu. Bëjmë edhe nardhimin nga kumbullat e egra. Bëjmë uthull, e bëjmë vetë edhe uthullën. I mbledhim këto mollët dhe e bëjmë. Edhe mjaltin e prodhojmë vetë, nga bletët tona”, thotë Eltona Hamolli. Për Eltona Hamollin, problemi kryesor nuk është prodhimi, por gjetja e tregut ku këto produkte mund të shiten. Prej rreth një viti, ajo i tregton në Qafë-Plloçë, kryesisht për njerëzit që kalojnë në rrugë. “I kemi për treg. I kemi edhe një vit që i tregtojmë. Në rrugë, në Qafë-Plloçë, ata që kalojnë në rrugë. Tregu ka nevojë për një mbështetje. Për shembull, për t’i sjellë nëpër panaire, nëpër këto aktivitete, edhe me ambalazhimin. Tregu i kërkon të ambalazuara, sidomos turistët. Edhe turistët kështu i kërkojnë”, thotë ajo. Ndërsa për Mukades Gjonën, kjo punë tashmë është kthyer në një aktivitet familjar. Ajo merret me prodhimin e produkteve tradicionale të zonës, duke përdorur receta të trashëguara nga nënat dhe gjyshet. “Ne merremi me prodhimet tradicionale të zonës. Kemi biznes familjar dhe punojmë me familjen. Prodhojmë petë, drana, me pekmez, rrushinjtë, ftesilin, të frutat, nga këto. Të gjitha prodhimet që konsumon zona, janë traditat e nënave dhe gjysheve tona. Puna jonë është me cikël të vogël, nuk punojmë me sasi të mëdha, por po mhemi t’i çojmë në treg”, thotë Mukades Gjona. Për gratë e fshatit, puna me prodhimet bujqësore dhe tradicionale është edhe një mënyrë për të qenë ekonomikisht më të pavarura. Por për ta kthyer këtë aktivitet në të ardhura të qëndrueshme, ato thonë se nevojitet një treg më i sigurt. “Po, njeriu po të punojë, e gjen mundësinë që të dalë. Po të punosh, jeton. Do merresh me prodhime, me gjithë punët. Ama, pa treg nuk bëhet. Këto produkte tani po kërkohen shumë, sidomos në Tiranë e Durrës. Edhe restorantet i kërkojnë”, thotë ajo. Nga prodhimi në oborret dhe shtëpitë e fshatit, te tavolinat e panaireve dhe tregu i qyteteve, këto gra po përpiqen ta mbajnë gjallë traditën. Përmes produkteve të përgatitura me dorë, ato synojnë ta kthejnë trashëgiminë e zonës edhe në një mundësi të qëndrueshme ekonomike.