Lajme Zone
45-vite në bujqësi, që 16-vjeç mbi traktor/ Historia e Flamur Ballës që e trashëgoi bujqësinë te vajza
EkonomiABC News Albania

45-vite në bujqësi, që 16-vjeç mbi traktor/ Historia e Flamur Ballës që e trashëgoi bujqësinë te vajza

“Toka Jonë” sot ndodhet në Jub Sukth të Durrësit, në një nga zonat ku bujqësia vijon të mbajë gjallë traditën dhe ekonominë e familjeve të fermerëve. Sot jemi me fermerin Flamur Balla, i cili prej 46 vitesh ia ka kushtuar jetën punës në bujqësi. Një jetë e tërë mes tokës, mundit dhe prodhimit, dhe sot kemi ardhur pikërisht në kohën e korrjes së misrit.

“Toka Jonë” sot ndodhet në Jub Sukth të Durrësit, në një nga zonat ku bujqësia vijon të mbajë gjallë traditën dhe ekonominë e familjeve të fermerëve. Sot jemi me fermerin Flamur Balla, i cili prej 46 vitesh ia ka kushtuar jetën punës në bujqësi. Një jetë e tërë mes tokës, mundit dhe prodhimit, dhe sot kemi ardhur pikërisht në kohën e korrjes së misrit.

Kjo është koha kur puna e muajve të tërë duhet të kthehet në prodhim. Në Sukth, autokombajna ka nisur korrjen e misrit. Këtu, çdo rresht i parcelës mbart koston e një sezoni të gjatë: plugimin, përgatitjen e tokës, mbjelljen, plehërimin, spërkatjet dhe në fund korrjen. Por këtë vit, Flamur Balla thotë se toka nuk po e shpërblen fermerin njësoj si në vitet e tjera. Temperaturat e larta dhe mungesa e vaditjes kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhim.

“Për ne që jemi marrë me bujqësi është kënaqësi… Është kënaqësi të punosh në tokën dhe vendin tënd. Unë dhe dy vëllezërit e mi kemi rreth 120 hektarë të mbjella me misër. Po të kishim vaditje do të kishim rendiment më të lartë. Megjithatë jemi të kënaqur. I bie rreth 8-9 kuintalë në dynym, pra 70-80 kuintalë në hektar. Këtu kushtet bëjnë të vetën, temperaturat e larta.” Deri në 9 kuintalë për dylym është rendimenti që fermeri thotë se po merr këtë vit. Por potenciali i kësaj fare, sipas tij, është shumë më i lartë kur toka ka ujë. “Po të kishim vaditje, kjo lloj fare misri shkon në 14-15 kuintalë dynymi, rreth 150 kuintalë hektari.”

Nëse një kalli misri mund të ketë rreth 800 kokrra. Me një dendësi prej rreth 70 mijë bimësh për hektar, në kushtet pa vaditje, rendimenti mund të arrijë rreth 12–13 kuintalë për hektar. Ndërsa, nëse parcela ka mundësi vaditjeje, rendimenti mund të shkojë deri në 18 kuintalë për hektar.”

Diferenca është e madhe. Në të njëjtën tokë, me të njëjtën punë dhe me të njëjtat shpenzime bazë, uji mund të vendosë se sa do të jetë prodhimi në fund të sezonit. Dhe këtu nis edhe një nga problemet kryesore të fermerëve të kësaj zone. “Problemi më i madh është vaditja. Vera e nxehtë ka sjellë më pak prodhim për ne, krahasuar me vitet më të freskëta. Shpenzimet janë të njëjta, por prodhimi jo.”

Për Flamur Ballën, bujqësia nuk është një profesion i zgjedhur vonë në jetë. Është një histori që nis që në fëmijëri. Ai thotë se ka nisur të punojë në bujqësi kur ishte vetëm 16 vjeç. Fillimisht si ndihmës traktorist. Sot, pas më shumë se katër dekadash, ende është në fushë. “Unë kam qenë në moshën 16 vjeç, kur kam filluar ndihmës traktorist dhe vazhdoj deri sot. 45 vite punë. Kjo ka qenë puna ime gjithmonë.”

Një pjesë e kësaj historie është edhe historia e familjes. Babai i Flamurit ishte traktorist. Dhe nga babai, profesioni kaloi tek djali e më pas tek vëllezërit.

Një pasion që dikur nisi me traktorin, sot është kthyer në një aktivitet familjar me sipërfaqe të mëdha toke të mbjella. Tre vëllezërit punojnë bashkë dhe vetëm me misrin, sipërfaqja e mbjellë arrin rreth 120 hektarë. Por historia nuk ndalet tek brezi i Flamurit. Edhe fëmijët kanë nisur të afrohen me këtë profesion.

Po fëmijëve ua keni lënë këtë pasion? “Kam vajzën. Ajo është shumë e fiksuar pas autokombajnës. Ajo punon, por sot nuk ndodhet këtu. Është shumë e fiksuar pas mekanikës bujqësore dhe bujqësisë. Ka mbaruar shkollën e lartë dhe i përkushtohet bujqësisë sepse e ka pasion, që nga gjyshi dhe babai.”

Familja Balla nuk merret vetëm me misrin. Në rreth 300 hektarë tokë, sipërfaqet ndahen mes kulturave të ndryshme. Grurë, fasule, jonxhë dhe misër. Por misri zë pjesën më të madhe.

Toka nuk është e gjitha në një vend, bëhet fjalë për rreth 10 deri në 12 parcela me madhësi të ndryshme. Parcela ku po kryhet korrja është rreth 12 hektarë. Dhe sa më e madhe sipërfaqja, aq më e madhe është edhe kostoja e çdo gabimi.

Një prodhim i mirë nis nga fara. Por pikërisht këtu, këtë vit, familja Balla thotë se është përballur me një nga dëmet më të mëdha. Një pjesë e farës së përdorur nuk dha rezultatin e pritshëm. “Vëllai im mbolli rreth 3 kuintalë farë. Doli pa misra, pa kokrra. Në kalli kishte pjesë pa kokrra.” Sa sipërfaqe u dëmtua? “Rreth 15 hektarë. Flitet për një dëm prej rreth 25 milionë lekësh.”

Një problem që, sipas fermerit, nuk lidhet vetëm me këtë sezon. Ai kërkon më shumë kontroll mbi farat që qarkullojnë në treg dhe certifikim.

“Nëse në Shqipëri nuk do të vihet pika që të bëhet kontrolli dhe të shpërndahet fara me certifikata, fshatari do të vuajë gjithë jetën. Duhen kontrolle nga agronomët.”

Për fermerin, fara nuk është thjesht një produkt që blihet në fillim të sezonit. Është pika e parë e një zinxhiri ku çdo gabim kushton. Përpara se autokombajna të hyjë në parcelë, toka ka kaluar në disa procese. Sipas Flamurit, për të prodhuar një dylym misër nevojiten gjashtë procese pune. “Që të prodhosh një dylym misër duhen gjashtë procese pune: plugimi, frezimi, mbjellja, kultivimi me pleh, spërkatja për krimbin… dhe proceset e tjera deri në korrje.”

Dhe secili proces ka një kosto. Nafta, plehrat, fara, spërkatjet dhe puna e makinerive. Sipas fermerit, vitet e fundit kostoja është rritur ndjeshëm. “Që të bësh një dynym misër, do rreth 175 mijë lekë të vjetra.”

Një kosto që, sipas tij, është ndikuar nga rritja e çmimit të karburantit, plehrave, farës dhe pesticideve.

“Çfarë e bën më të shtrenjtë prodhimin? “Rritja e karburantit, plehrat, çmimi i farës së misrit, urea, spërkatjet.”

Në fushë, fermeri nuk lufton vetëm me kostot. Ka edhe dëmtuesit.

Cilët janë dëmtuesit kryesorë të misrit? “Krimbi.”

Por këtë vit, sipas tij, një nga problemet kryesore ka qenë edhe moti. Temperaturat e larta kanë ndikuar në zhvillimin e bimës dhe kanë sjellë pjekje të parakohshme në disa parcela.

Në këtë sipërfaqe të madhe, prodhimi në fund të sezonit matet me mijëra kuintalë.

Por prodhimi nuk është i vetmi problem. Pasi korrja përfn, fermerit i duhet të gjejë edhe blerësin. Dhe këtu nis një tjetër betejë.

Ai tregon se has probleme në marrjen e faturave gjatë shitjes së mallit, kjo më pas e penalizon për aplikimin e skemave të mbështetura nga shteti. “Problemi më i madh i joni është se nuk kemi pikë grumbullimi. Kam bërë aplikim dhe më kërkojnë TVSH, kur unë e shes tek bujqësit. Ku ta gjej TVSH-në? Aplikojmë, por s’kemi TVSH.”

Në mungesë të një grumbulluesi, prodhimi shpesh mbetet në magazinë. “Gruri është ende në magazinë. Misër nuk kemi, fasule po. I shesim veç te miqtë.”

Në këtë pikë, llogaria e fermerit bëhet edhe më e vështirë. Sepse çmimi me të cilin shitet prodhimi nuk përputhet me koston e prodhimit.

Sot autokombajna bën në pak orë atë që dikur kërkonte shumë njerëz dhe shumë ditë punë. Por edhe pse makineritë e kanë lehtësuar bujqësinë, një problem tjetër është bërë gjithnjë e më i madh: mungesa e punëtorëve.

Makineria mund të korrë, mund të presë dhe mund të transportojë. Por ende ka procese ku dora e njeriut është e domosdoshme. Dhe pikërisht aty fermeri përballet me mungesën e fuqisë punëtore.

Sa ju ka ndihmuar mekanizimi i bujqësisë? “Lehtësime shumë të mëdha. Sot shumë procese bëhen me makineri. Edhe prerja… është shumë më e lehtë.” Por a keni mungesë punonjësish? “U bënë 5-6 vite me këtë problem. Nuk po kemi punonjës. E çojmë në lëmë dhe s’kemi punonjës për të mbushur thasët. Janë disa procese që nuk duan mjete bujqësore.”

Flamur Balla thotë se këto kultura nuk janë zgjedhur rastësisht. Janë kultura që kjo zonë i ka kultivuar prej dekadash.

Por tradita nuk mjafton për të mbajtur një fermë. Duhet treg, ujë, farë cilësore, fuqi punëtore dhe mbi të gjitha, duhet që llogaria në fund të vitit të dalë.

Në këtë pikë, pyetja se cila është faza më e vështirë e kultivimit të misrit duket e thjeshtë. Por përgjigjja e Flamurit është e shkurtër.

Nga fara te toka, te uji, moti, dëmtuesit dhe nga prodhimi te tregu, fermeri nuk ka përballë vetëm një problem. Ka një zinxhir të tërë problemesh.

Flamur Balla është pranë pensionit. Por pensioni, për të, nuk do të thotë largim nga toka.

Pas 46 vitesh punë, a mendoni ta lini bujqësinë? “Gati po dal në pension dhe do të merrem derisa të jem gjallë. E kam pasion.”

Në këtë fushë, ai ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, dhe sot vazhdon të jetë pas timonit të makinerive bujqësore me të njëjtin pasion që kur ishte 16 vjeç dhe ndihmone të atin. “Kam ndihmuar babain dhe me ndërrimin e sistemit i grumbulluam, i merrnim me qira. Kostot janë shumë të larta.”

Në Sukth, korrja vazhdon. Autokombajna lëviz nëpër parcelë dhe misri kalon nga fusha drejt magazinimit.

Ndodhemi në lëmin e misrit, aty ku pas korrjes misri grumbullohet dhe qëndron për 4-5 ditë në rrezet e diellit për tu tharë, dhe më pas është gati për tu mbushur në thasë dhe për tu tregtuar. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *FokusAktualitetEmisioneToka Jonë bujqësiaflamur ballasukthitoka jone