Lajme Zone
EkonomiEuronews Albania

Plazh edhe në fund të shtatorit në Vlorë, turistët zgjedhin klimën e qetësinë


Në Vlorë bëhet plazh edhe në fund të shtatorit. Vjeshta në qytetin bregdetar ka sjellë turistë nga vende të ndryshme të Europës, të cilët kanë zgjedhur këtë periudhë për klimën e favorshme, qetësinë dhe hapësirën më të madhe në plazhe.

Në Vlorë bëhet plazh edhe në fund të shtatorit. Vjeshta në qytetin bregdetar ka sjellë turistë nga vende të ndryshme të Europës, të cilët kanë zgjedhur këtë periudhë për klimën e favorshme, qetësinë dhe hapësirën më të madhe në plazhe. Pushuesit thonë se para udhëtimit kanë kërkuar informacion në internet për Vlorën dhe Shqipërinë, ndërsa pas mbërritjes janë surprizuar nga qyteti, bregdeti dhe atmosfera. Mes faktorëve që vlerësojnë renditen edhe çmimet. “Unë jam nga Ukraina. Jam këtu për pushime. Zgjodha Vlorën për pushime pasi ka det shumë të bukur, bregdet të mirë dhe gjithashtu atmosferë të mirë. Qyteti më pëlqen shumë. Në mbrëmje ne shëtisim edhe në bregdet. Më pëlqen çdo gjë këtu, veçanërisht ushqimi. Zgjodha shtatorin për pushime pasi ka më pak njerëz. Çmimet janë të përballueshme për ne. Me shumë mundësi do të rikthehem sërish”, thotë një turiste e huaj. Por jo vetëm të huajt zgjedhin Vlorën për pushime në fund të muajit të parë të vjeshtës. Pushues vendas nga qytete si Berati dhe Tirana thonë se shtatori është ndër periudhat më të favorshme për të pushuar, për shkak të temperaturave më të ulëta dhe më pak fluksit. “Unë vij nga Berati se është vendi i bukur, çfarë do shash këtu, bregdetin, Lungomaren që e kanë bërë vlonjatët. Vij shpesh, e shoh ndryshimin e popullatës e të Vlorës. Unë vij shpesh, nga 3 ditë, nga 4 ditë. Vjeshta shumë e mirë këtu, nuk ke çfarë shan, ambienti, ajri ka ndryshuar, çdo gjë këtu”, shprehet një tjetër. Sipas të dhënave për Vlorën dhe Himarën, njësitë hoteliere gjatë shtatorit kanë pasur prenotime në masën 40 deri në 50 për qind gjatë ditëve të javës. Në fundjavë, niveli i prenotimeve rritet, duke arritur nga e premtja deri të dielën në 65 deri në 75 për qind të kapacitetit total të dhomave.