Champions League rikthehet në ekranin e Top Channel, por këtë sezon me një risi të madhe. Të mërkurën starton “Studio Champions League”, emisioni i ri që do të shoqërojë çdo mesjavë të kompeticionit më të madh të futbollit europian, nga ora 20:00. Në krye të këtij projekti janë dy prej emrave që prej më shumë se një dekade drejtojnë procesin sportiv në Top Channel, Glenti Nallbani dhe Eduard Manushi, në rolin e autorit dhe prezantuesit. Por risia më e madhe vjen në panelin e analistëve. Për herë të parë në karrierën e tij, një prej drejtuesve më të suksesshëm të futbollit italian, Igli Tare, do të marrë rolin e analistit profesionist, duke parë futbollin nga një këndvështrim tjetër.
“Diçka ndryshe nga bota ime, ndaj edhe e pranova me kënaqësi këtë ftesë sepse të ndihmon edhe për të parë anën tjetër të botës së futbollit, domethënë atë të gazetarisë. Do të jetë një rrugëtim besoj i këndshëm për këtë sezon.”
Për vite me radhë, protagonistët e fushës u janë përgjigjur gazetarëve me shprehjen ikonike: “Është e lehtë të flasësh nga kolltuku, për atë që ndodh në fushë…”
“Unë besoj që eksperiencën e duhur e kam për të argumentuar ose për të shpjeguar disa gjëra që janë ndryshe nga ajo që shikohet gjithmonë nga bota televizive, prandaj edhe ishte diçka interesante që me kënaqësi e pranova ta provoja.”
Në krah të Tares do të jetë Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-21 dhe një prej emrave të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Ndërsa paneli plotësohet nga Redi Jupi, opinionisti i Top Channel dhe një prej zërave më profesionistë të analizës sportive në Shqipëri. Gjithçka nis këtë të mërkurë, në orën 20:00, përpara supersfidës Napoli-Arsenal, që do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Top Channel. Dhe pas 90 minutave, analiza vazhdon sërish në studio. Momentet kryesore, golat, vendimet, protagonistët dhe taktikat do të kalojnë nën lupën e Igli Tares, Alban Bushit dhe Redi Jupit. Ndërkohë që për këtë mesjavë një mendim professional do të japë edhe ish-kapiteni kuqezi Altin Lala. “Studio Champions League”, futbolli para ndeshjes, dhe mbi të gjitha, analiza pas saj. Të mërkurën, ora 20:00, në Top Channel. Top Channel

