Lajme Zone
Kuvendi nis me debat/ Projektligji për pagat e magjistratëve diskutohet më 17 shtator, opozita kundër
PolitikëTop Channel

Kuvendi nis me debat/ Projektligji për pagat e magjistratëve diskutohet më 17 shtator, opozita kundër

Nisjes së sesionit të ri parlamentar sot, ora 17:00, i kanë paraprirë debate të forta në Konferencën e Kryetarëve për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nisjes së sesionit të ri parlamentar sot, ora 17:00, i kanë paraprirë debate të forta në Konferencën e Kryetarëve për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili nisi debatin duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për moszbatim të një vendimi të Kushtetueses.

Por homologu i tij socialist, Taulant Balla, i tha se “në botën demokratike përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit, jo e gjykatave”.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Taulant Balla tregoi se kur ndryshimet në ligjin e pagave të gjyqtarëve do të diskutohen në Parlament.

Balla u shpreh se “projektligji i pagave diskutohet më 17 shtator”.

Demokratët paralajmëruan votë kundër nismës së socialistëve për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Teksa po zhvillohej Konferenca e Kryetarëve, u zhvillua një miniprotestë, nga ku u kërkua pjesëmarrje masive për të protestuar pasditen e sotme përpara Parlamentit.

Ora 17:00 e kësaj të marte do ta gjejë Kuvendin të mbledhur në sesionin e III të Legjislaturës së XI.

Seanca e sotme, sipas rendit të ditës, është thjesht ceremoniale për nisjen e sesionit të ri politik të ligjvënësve. Megjithatë, janë një mori çështjesh për t’u diskutuar dhe miratuar në muajt në vazhdim.

Duke nisur nga reforma administrative-territoriale, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshi ligjet që lidhen me mbylljen e kapitujve të BE-së. Top Channel