Lajme Zone
Tirana dhe Vlora kokë më kokë, natën vlon muzika e bareve në kupë të qiellit
Të tjeraJOQ Albania

Tirana dhe Vlora kokë më kokë, natën vlon muzika e bareve në kupë të qiellit

Të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2025 tregojnë se qytetet shqiptare vuajnë nga një nivel shqetësues i ndotjes akustike. Trafiku rrugor dhe baret përmenden si shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni që prek çdo zonë urbane të vendit.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2025 tregojnë se qytetet shqiptare vuajnë nga një nivel shqetësues i ndotjes akustike. Trafiku rrugor dhe baret përmenden si shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni që prek çdo zonë urbane të vendit.

Gjatë vitit 2025, të 13 qytetet e monitoruara në territorin shqiptar dështuan të qëndronin brenda kufijve referues të zhurmës gjatë orarimeve ditore. Situata paraqitet po kaq alarmante edhe gjatë orëve të natës, ku 11 prej tyre regjistruan nivele mesatare mbi normën e lejuar prej 45 decibelësh. Vetëm Lezha dhe Përmeti mundën të shënonin mesatare nate brenda limiteve të përcaktuara, megjithëse gjatë ditës edhe këto dy qytete e kaluan kufirin zyrtar.

Kryeqyteti regjistroi nivelin mesatar më të lartë gjatë ditës me 63.07 decibel, i ndjekur ngushtë nga Vlora me 63 decibel. Megjithatë, kur dielli perëndon, qyteti bregdetar merr primatin e padiskutueshëm si zona më e zhurmshme e vendit gjatë natës, duke shënuar një mesatare prej 53.56 decibelësh. Tirana nuk mbetet pas, me një mesatare nate prej 53.05 decibelësh.

Në kryeqytet, situata paraqitet e përhapur në çdo cep, pasi të 15 pikat e matjes rezultuan jashtë çdo standardi të lejuar. Pika pranë "Farmacisë 10" shënoi shifrat më të larta, me 64.73 decibel ditën dhe 56.23 decibel natën. Edhe zonat e konsideruara më të qeta, si Stadiumi Dinamo gjatë ditës apo Selvia dhe Pallati i Kongreseve natën, shënuar tejkalime të ndjeshme mbi limitet e caktuara.

Në Vlorë, stacioni i Ujit të Ftohtë kryesoi listën gjatë ditës me 64.51 decibel, ndërsa zona e njohur si “Xhamia” rezultoi pika më problematike e natës, duke e kaluar kufirin e lejuar me mbi 10 decibelë më shumë se norma e përcaktuar.

Pas dy metropoleve kryesore, qytetet turistike dhe qendrat e tjera rajonale nuk paraqesin tablo më të mirë. Saranda regjistroi një mesatare ditore prej 62.87 decibelësh dhe 52.94 decibel natën, ndërsa Fieri shënoi 61.67 decibel ditën dhe 52.31 decibel natën. Gjirokastra, Korça, Berati dhe Pogradeci shfaqën gjithashtu tejkalime të dukshme të mesatareve të natës, duke konfirmuar se ndotja akustike ka kapluar pjesën dërrmuese të qendrave urbane.

Në krahun tjetër, qytete si Shkodra, Lushnja dhe Kukësi regjistruan nivele minimale tejkalimi vetëm gjatë orëve të natës. Lezha dhe Përmeti mbetën të vetmet bashki që arritën të sigurojnë mesatare nate nën kufirin prej 45 decibelësh, edhe pse gjatë ditës nuk i shpëtuan kapërcimit të normave të lejuara.

Aktiviteti i bizneseve dhe lokaleve nate vazhdon të japë një kontribut negativ në rritjen e decibelëve si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes.