Është zbardhur kronologjia e plotë e ngjarjes së rëndë që tronditi fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku tre persona humbën jetën pas një serie ngjarjesh tragjike.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimet dhe dëshmitë e mbledhura, gjithçka ka nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, kur 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe si Nertil Buzi, është futur i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka.
Në ato momente, çifti Kosta (Arben) dhe Belerie Plaka po përgatiteshin të dilnin nga shtëpia për të shkuar në punë. Menjëherë pas hyrjes në banesë, Buzi ka qëlluar me armë ndaj tyre.
Si pasojë e të shtënave, Kosta Plaka ka ndërruar jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij ka mbetur e plagosur rëndë. Ajo u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mjekët kryen një ndërhyrje kirurgjikale që zgjati mbi pesë orë, por pavarësisht përpjekjeve, ajo nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas sulmit, 35-vjeçari ka marrë me forcë 24-vjeçaren Rozalinda Plaku, me të cilën kishte pasur një lidhje prej rreth nëntë vitesh, dhe është larguar nga pjesa e pasme e banesës. Ai është drejtuar drejt zonës së fshatit Kurjan, ku pas disa orësh ndjekjeje dhe negociatash me policinë, ka vendosur ta lirojë të renë, e cila fatmirësisht nuk kishte pësuar dëmtime fizike.
Forcat speciale RENEA dhe efektivët e Policisë së Shtetit vijuan operacionin për kapjen e autorit për disa orë. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta bindur të dorëzohej, pas rreth shtatë orësh negociata, Buzi ka refuzuar të dorëzohet dhe ka zgjedhur t’i japë fund jetës me armën me të cilën kreu krimin.
Një histori dashurie e nisur vite më parë mes dy të rinjve përfi në një tragjedi të rëndë, duke lënë pas tre viktima, familje të shkatërruara dhe një komunitet të tronditur nga ngjarja e rëndë.

