16 MILIONË € për 4 kilometra hekurudhë në letër... Kjo është fatura e radhës e një prej projekteve më të keqmenaxhuar në infrastrukturën shqiptare, zgjatja e linjës Tiranë-Durrës drejt zemrës së kryeqytetit.
Tenderi me fond limit afërsisht 16 MILIONË €, i shpallur në muajin maj 2026 si shtesë objekti për të lidhur Terminalin e Transportit Publik me Stacionin e Trenit në fund të Bulevardit të Ri, ka përfunduar në kosh të plehrave. Në Buletinin e Prokurimeve Publike konfirmohet ajo që ekspertët e ekonomisë dhe inxhinierët paralajmëronin, pasi nuk pati asnjë ofertë të përshtatshme dhe zero garë reale.
Gara e vetme e paraqitur, u rrëzua nga vetë Hekurudha Shqiptare. Si ka mundësi që për një tender strategjik prej 16 MILIONË €, i vetmi operim që paraqitet dështon në kriteret elementare teknike dhe pse kompanitë serioze nuk afrohen?
Ky nuk është thjesht një tender i dështuar, por një gur tjetër në moçalin e projektit të hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas, i cili nisi në vitin 2021 me premtimin e një sistemi udhëtimi me shpejtësi 70 deri në 100 kilometra në orë përmes trenave elektrikë.
Kostot e këtij projekti janë rritur disa herë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa afatet janë shtyrë në më shumë se një rast, duke e kthyer në një gropë pa fund financiare.
Në vend që qytetarët të lëvizin lirisht nga Durrësi në Terminalin e Autobusëve dhe Stacionin e Trenit në Tiranë, ata vazhdojnë të përballen me faturat e kripura dhe premtime në letër. Për sa kohë tenderat të mbeten në fazën e anulimeve dhe kompanitë të shfaqen pa garanci teknike, hekurudha e re e Shqipërisë rrezikon të mbetet thjesht një memorial i miliona eurove të hedhura dëm.

