Në politikën shqiptare besnikëria ndaj liderit është më e fortë se besnikëria ndaj ideve. Kjo shihet te e majta, te e djathta, por edhe te nostalgjikët e Ahmet Zogut. Shumë prej atyre që e mbrojnë Zogun nuk dinë pothuajse asgjë për monarkinë, për mënyrën si funksionon ajo apo për dallimin mes monarkisë dhe republikës. Ata thjesht mbrojnë Ahmet Zogun. Njëlloj do ta mbronin edhe sikur Ahmet Zogu të kishte përmbysur monarkinë dhe të kishte shpallur Republikën. LEXO edhe...Shkolla 'Gjergj Fishta' në Lezhë bëhet gati për vitin e ri shkollor, do të presë 530 nxënës dhe mësues, Rama: Kushte dinjitoze për të mësuar dhe zhvilluar talentet! Pas Zogut, shqiptari kaloi afro pesëdhjetë vjet “sipas mësimeve të shokut Enver”. Aty puna u bë edhe më e thjeshtë, sepse nuk kishte nevojë të lodheshe shumë me ideologjinë: mjaftonte të dije çfarë kishte thënë Enveri. Sot Jugosllavia ishte mike, nesër armike; sot Bashkimi Sovjetik ishte fanar i socializmit, nesër revizionist; pastaj erdhi Kina, u bë vëllai i madh dhe më pas edhe ajo përfi në anën e gabuar të historisë. Shqiptari nuk kishte pse të shqetësohej nga këto kthesa. Partia i shpjegonte çdo mëngjes se cila ishte e vërteta e re, ndërsa ai vazhdonte rrugën “konsekuente”. Me pak fjalë, ideologjia ndryshonte sipas nevojës, por mësimet e shokut Enver mbeteshin gjithmonë të pagabueshme. E njëjta gjë ndodh me Edi Ramën. Votuesit e majtë nuk shqetësohen kur qeveria e tij ndjek politika që tradicionalisht konsiderohen të djathta: favorizimin e kapitalit të madh, koncesionet, partneritetet me oligarkët apo dobësimin e rolit social të shtetit. Nuk ka shumë rëndësi se çfarë thotë teoria e së majtës. Rëndësi ka që politikën e bën Rama. Pensionistët, pensioni i të cilëve nuk del as për një javë jetese, nuk tremben nga kjo. Ata ditë nga ditët e tyre për Ramën, njëlloj si ajo qytetarja e Beratit që thoshte: “Nuk duam as bukë, as ujë, as drita, vetëm ju të jeni mirë dhe të mos ziheni me njëri-tjetrin.” Një tjetër që vërtitet nëpër zyra dhe nuk merr dot një certifikatë pronësie, të kthehet: “Ramës do t’ia jap votën, pse kujt do t’ia jap?” Në të djathtë paradoksi është po aq i madh. Partia Demokratike, sidomos në retorikën e saj të viteve të fundit, shpesh përcjell qëndrime që janë më afër populizmit të majtë sesa së djathtës klasike. Ajo sulmon privatizimet, koncesionet, kapitalin e madh, rritjen e çmimeve, kërkon ndërhyrje më të madhe të shtetit dhe premton politika sociale që në shumë raste do t’i shkonin më shumë një partie socialdemokrate. Por kjo nuk e shqetëson shqiptarin e djathtë. Ai nuk pyet nëse kjo politikë është vërtet e djathtë. Nuk pyet çfarë raporti ka me tregun e lirë, pronën private, konkurrencën apo kufizimin e rolit të shtetit. Nëse e ka thënë Sali Berisha, atëherë është politikë e drejtë. Ideologjia përshtatet me liderin, jo lideri me ideologjinë. Kështu krijohet një situatë ku socialistët mbrojnë politika të djathta sepse i zbaton Rama, ndërsa demokratët mbrojnë politika të majta sepse i propozon Berisha. Secila palë mund të mbrojë sot të kundërtën e asaj që mbronte dje, pa e parë këtë si ndonjë problem të madh. Dhe këtu mendja të shkon te Fan Noli dhe “Pesë anarkitë” e tij. Njëra prej tyre ishte pikërisht anarkia e ideve. Noli e shihte Shqipërinë si një vend ku mungonte një bosht i qëndrueshëm idesh dhe ku njerëzit kalonin lehtësisht nga një qëndrim te tjetri, “ku beu ishte më bujk se bujku dhe bujku më bej se beu”. Pas kaq shumë vitesh, kjo anarki e ideve është e palëvizur në politikën shqiptare. Vetëm se sot ajo lidhet drejtpërdrejt me kultin e liderit. Ideja nuk vlerësohet më për atë që është, por sipas njeriut që e thotë.Prandaj kot mhemi në Shqipëri që të përdorim termat e majtë dhe të djathtë. Është debat mes emrave. Nëse e thotë Rama, e mbrojnë të tijtë dhe është e majtë. Nëse e thotë Berisha, e mbrojnë të tijtë dhe është e djathtë. U.D/ReportTv.al sali berisha PD enver hoxha Fan Noli edi rama jugosllavi Mbreti Zog Thoma Gëllçi Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57% Shoqëria 26.9% Social media 16.1% Vota total: 4830 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?

