Lajme Zone
Thoma Gëllçi: Qeveria në Bruksel, populli në Strasburg  -Fejton-
Të tjeraReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Thoma Gëllçi: Qeveria në Bruksel, populli në Strasburg -Fejton-

I pari ishte një pensionist që priste njohjen e viteve të pensionit. Kur kishte paditur shtetin, ishte ende në moshë pune. Tani kishte disa vite që punonte vajtje-ardhje në gjykatë për njohjen e viteve të punës. Me djalin nuk shkonte mirë. Dikush e këshilloi që të bënte një testament dhe t’ia linte trashëgim çështjen djalit.

Fatmiri ishte pesëdhjetë vjeç kur vendosi të hapte gjyqin për pronën e gjyshit. Kishte mbledhur tapi, harta, fotografi, dëshmi dhe çdo letër që familja kishte ruajtur për dekada. Ishte i bindur se do të fitonte. Nuk e dinte vetëm një gjë: sa gjatë duhej të jetonte për ta parë fundin. Avokati i hodhi një sy dosjes, pastaj vetë Fatmirit. LEXO edhe...Rosa Parks dhe fuqia e protestës – Çështjen e ke të fortë. Tani mbetet të shohim sa i fortë je ti. Herën tjetër më sill edhe analizat komplete shëndetësore. Nëse nuk i ke bërë, bëji përpara se të fillojmë punë. Fatmiri mendoi se ishte shaka. Më vonë kuptoi se sa e rëndësishme ishte kjo për çështjen. Ishte shumë optimist. Siç i tha edhe avokati, dokumentet e pronës i kishte top. Në korridoret e gjykatës filloi të njihte njerëz që vinin aty prej vitesh. U bënë si fqinjë pallati. Takoheshin shpesh në gjykatë dhe u miqësuan me njëri-tjetrin. I pari ishte një pensionist që priste njohjen e viteve të pensionit. Kur kishte paditur shtetin, ishte ende në moshë pune. Tani kishte disa vite që punonte vajtje-ardhje në gjykatë për njohjen e viteve të punës. Me djalin nuk shkonte mirë. Dikush e këshilloi që të bënte një testament dhe t’ia linte trashëgim çështjen djalit. Një grua priste vendimin për kujdestarinë e djalit. Kur kishte nisur procesi, djali ishte në klasën e parë. Tani kishte mbaruar universitetin. Kur u caktua seanca tjetër, djali kishte emigruar, ishte martuar dhe priste fëmijën e parë. Gjykata vazhdonte të shqyrtonte me cilin prind duhej të jetonte “i mituri”. Gruaja, tashmë e moshuar, më tepër përfaqësohej nga avokati. Në korridore takohej shpesh me një ish-nëpunës të administratës. Kishte fituar gjyqin për largimin e paligjshëm nga puna, por vendimi nuk ekzekutohej sepse priste apelin. Nuk e dinte se çfarë do të bëhej, sepse edhe institucioni ku kishte punuar ishte mbyllur prej vitesh. Ai vinte herë pas here aty të shihte nëse kishte dalë data e gjyqit. Ishte i kënaqur se e kishte fituar shkallën e parë. Por dikush i kishte thënë që, pas reformës në drejtësi, nuk kishte nevojë të paguante për çështjen, por për ta futur çështjen në seancë. Një mik i kishte dhënë shpresë se, nëse nuk do të bëhej ndonjë reformë tjetër në drejtësi, çështja e tij kishte shpresë të gjykohej në pesëvjeçarin e dytë. Një gazetar priste prej më shumë se dhjetë vjetësh disa dokumente publike. Kur e nisi procesin, dokumentet kishin vlerë për një investigim. Tani kishin mbetur me vlerë vetëm për arkivin personal. Ky thoshte me humor se ishte i vendosur që të shikonte nëse kjo çështje do ta thyente rekordin Guinness apo jo. Në fillim Fatmiri numëronte muajt. Pastaj filloi të numëronte vitet. Më vonë numëronte vetëm avokatët. Kuptoi se, siç i kërkoi analizat avokati, ashtu duhej t’ia kërkonte edhe ky. Avokati i parë vdiq gjatë gjyqit. I dyti emigroi. Tek i treti i kërkoi që ai t’i sillte analizat përpara se të lidhnin kontratën. Ranë dakord të dy që të mbanin dietë dhe të bënin nga dhjetë mijë hapa në ditë për të pasur shëndet për çështjen. Dosja kalonte nga një tavolinë në tjetrën. Ndërkohë prona vazhdonte jetën. U legalizua, u shit, u rishit, u ndërtua një pallat, pastaj dyqane, një farmaci dhe një zyrë noterie që merrej edhe me kontrata pronash. Qeveria vazhdonte të dërgonte raporte në Bruksel për suksesin e reformës në drejtësi, ndërsa avokati i thoshte se edhe ata në Evropë do të shkonin, por në Strasburg. Çdo gjë lëvizte drejt Evropës. E vetmja gjë që nuk lëvizte ishte çështja. Fatmiri ishte i duruar. Ai e kuptonte që ka radhë. Pastaj vetëm një gjykatë apeli është. Thuaj shyqyr që e kishte shtëpinë në Tiranë. Mendo njëherë sikur të ishe nga ndonjë qytet tjetër! Më vonë lexoi se përpunimi teorik i një çështjeje civile në apel llogaritej rreth 5.496 ditë. Nuk u lodh ta kthente në vite. Mjaftonte ta dinte se ishte më shumë se koha që i kishte mbetur deri sa të mbushte të 80-at. Nga ai çast i tha edhe avokatit që duhej të kujdeseshin më seriozisht për shëndetin. La duhanin, uli sheqerin, eci çdo mëngjes dhe në mbrëmje dhe piu vitamina. Ishte edhe këshilla e shokëve. Duhet të përgatitej për apelin. Në korridoret e gjykatës njerëzit ndryshonin. Dosjet jo. Pensionisti vdiq. Çështjen po e vazhdonte djali. E nisi me qejf, por pas tre vjetësh filloi të mallkonte të atin. Por tashmë nuk e linte sedra. Gruaja për kujdestarinë filloi të vinte me nipin, ndërsa vendimi ende fliste për interesin më të mirë të fëmijës. Djali ishte bërë me katër fëmijë dhe ish-burri kishte ndërruar jetë, por ajo këmbëngulte se i takonte asaj kujdestaria për fëmijën. Gazetari priste dokumente. Nuk i kujtohej më se përse bënte fjalë çështja. Çdo ditë televizionet transmetonin sukseset e Reformës në Drejtësi. Ishin arrestuar disa kryetarë bashkie dhe ministra dhe ishin në ndjekje ca të tjerë. Dy-tri vjet pas arrestimit ngriheshin akuzat. Kur vinte data e gjyqit, në përgjithësi i arrestuari e kishte mbaruar edhe dënimin. Por kjo ishte pjesë e suksesit të reformës. Kjo metodë siguronte shumë kronika televizive: çdo muaj nga një gjyq për masën e sigurisë, si në shkallën e parë, ashtu edhe në apel. Pastaj edhe rekurset në Gjykatën e Lartë. Kronika pa fund dhe emisione pa fund. Raportet drejt Brukselit filluan të bëheshin më të bukura, me kapakë me flamujt e Bashkimit Evropian. Ambasadorët merrnin pjesë në mbledhje për suksesin e Reformës në Drejtësi, që shoqëroheshin pastaj me kokteje me verë të shtrenjtë. Dosjet e gjyqeve të pronave, pushimeve nga puna, shkeljes së të drejtave, për në Strasburg ishin pa kapakë, por po niseshin me kamionë. Integrimi evropian, sa në Bruksel, sa në Strasburg, po vazhdonte me sukses. Pas më shumë se njëzet vjetësh, Fatmiri fitoi. Gjykata pranoi se prona kishte qenë e familjes së tij. Avokati i dha shpresë se vendimin mund ta merrte të zbardhur deri vitin tjetër. Kur doli jashtë, pa pallatin dymbëdhjetëkatësh të ngritur mbi tokën për të cilën kishte luftuar gjithë jetën. Në katin përdhes ishte një zyrë noterie ku hartoheshin kontrata pronësie. Noteri e uroi për fitoren dhe i tha që tashmë duhej të bëhej gati për betejën në Gjykatën e Lartë. Me shumë gjasa, i tha ai, çështja do të kthehej përsëri në shkallën e parë, kështu që do të bënte mirë të përgatiste testamentin për t’ia lënë çështjen djalit. Ndërsa për dëmshpërblimin do të kërkohej një proces i ri. Fatmiri nuk u mërzit. Kishte mësuar se në këtë vend nuk trashëgohej vetëm prona. Trashëgohej edhe gjyqi. Në mbrëmje mblodhi familjen. Në vend të tapisë, vendosi mbi tavolinë dosjen. – Kjo është pasuria jonë më e sigurt. Djali mendoi se po bënte humor. Nipi jo. Ai e mori dosjen me kujdes dhe e futi në bibliotekë, pranë albumit të fotografive familjare. Në fund të fundit, albumi tregonte historinë e familjes. Duke e vënë dosjen në raft, i tha gjyshit që të mos bëhej merak, se ai do ta ndiqte çështjen deri në fund, por me kusht që të mos bëhej një reformë tjetër në drejtësi kaq e suksesshme sa kjo e tanishmja. Xh.K/ReportTv.al Thoma Gëllçi Bruksel Strasburg Komento Komente Sondazhi i ditës: Territorialja, si e vlerësoni propozimin e PS për më pak bashki dhe ndarje në rajone? I drejtë 64.3% I gabuar 27.9% Nuk e di 7.8% Vota total: 5585 Sondazhi i ditës: Territorialja, si e vlerësoni propozimin e PS për më pak bashki dhe ndarje në rajone?