Lajme Zone
Thatësira dhe kostot e larta godasin misrin, fermerët e Gjergjanit në Elbasan: Nuk na del as qiraja
EkonomiEuronews Albania

Thatësira dhe kostot e larta godasin misrin, fermerët e Gjergjanit në Elbasan: Nuk na del as qiraja

Thatësira, temperaturat e larta dhe mungesa e ujit për vaditje kanë dëmtuar prodhimin e misrit në zonën e Gjergjanit në Elbasan. Fermerët thonë se këtë sezon kanë marrë shumë më pak prodhim nga tokat e tyre, ndërsa kostot e plehrave, punës dhe kultivimit kanë vijuar të rriten.

Thatësira, temperaturat e larta dhe mungesa e ujit për vaditje kanë dëmtuar prodhimin e misrit në zonën e Gjergjanit në Elbasan. Fermerët thonë se këtë sezon kanë marrë shumë më pak prodhim nga tokat e tyre, ndërsa kostot e plehrave, punës dhe kultivimit kanë vijuar të rriten. Për një fermer, dy dynymë tokë kanë dhënë vetëm 2 kuintalë misër, shumë larg rendimentit që ai pret nga kjo sipërfaqe. “Prodhimi i misrit ka qenë shumë i dobët dhe i grurit ka qenë shumë i dobët. Plehrat janë në qiell. Vaditja sivjet ka pasur mungesë uji fare për vaditje. Na u shemb kanali dhe me zor kemi vaditur. Dhe ja ku është prodhimi, 2 kuintalë misër. Po di gjë? A na del vërtet neve ky 2 kuintalë misër në 2 dynym? Ai duhet të japë mbi 10 kuintalë. Plehrat kanë vajtur një mijë lekë, ureja 100. Ta shohin televizorët, edhe i ngrenë plehrat… Edhe ne s’kemi çfarë bëjmë. Shpenzimet fillojnë që nga prashitja, mbathja, vaditja… Ja misri im, bereqeti im! Ky është bereqeti im në 2 dynym”, thotë fermeri Ramiz Luga.. Mungesa e ujit dhe temperaturat e larta janë reflektuar drejtpërdrejt në prodhim. Fermerët thonë se misri kërkon vaditje pikërisht në periudhën kur temperaturat janë më të larta, ndërsa dëmtimi i kanalit u ka vështirësuar furnizimin me ujë. “Shumë! Shumë! Një muaj e ca u shemb kanali atje dhe ne ngelëm pa vaditur misrin. E misri do ujë kur e do ai, jo kur ta rregullojë shteti atë kanalin. Me zor e rregulluan, mbas një muaji e gjysmë. Po misri duhej të ishte vaditur. U tha, ra nga thatësira misri”, thotë fermeri Ramiz Luga. Por krahas prodhimit të dobët, fermerët përballen edhe me kostot e larta të kultivimit. Plehrat, punimet dhe shpenzimet e tjera, sipas tyre, kanë bërë që të ardhurat nga prodhimi të mos mjaftojnë për të mbuluar investimin. “Po do heqim dorë, po çfarë të mbjellim në tokë? Unë nuk i dal me tokën. Unë këtë e kam marrë me qira dhe nuk del as qiraja. Shes misrin edhe del qiraja. I merr nga jashtë të gjitha, ja, po detyrohesh të vijnë nga jashtë, sepse ne s’kemi mundësi. Unë nuk kam nxjerrë lekët e plehut me këtë misër. Të falimentuar. Po çfarë bëjmë ne?! Plus, s’ka punëtorë këtu, kanë ikur të gjithë jashtë. Nuk ka fuqi punëtore. Pastaj, sa do më paguajë mua ai që të shkoj të punoj unë atje? Këtu punojnë vetëm traktorët”, thotë fermeri Ramiz Luga.. Me prodhimin në rënie dhe kostot në rritje, fermerët thonë se bujqësia po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbajtur. Për ta, një sezon i dobët nuk nënkupton vetëm më pak të ardhura, por edhe pikëpyetje mbi sipërfaqet që do të mbjellin në sezonin e ardhshëm.