Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York.
Gjatë fjalimit, Rama foli për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke vënë theksin te mungesa e Hashim Thaçit në këtë mbrëmje dhe duke kritikuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj tij. Ai u shpreh se Thaçi u tradhtua nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. “Më lejoni të them disa fjalë pa mbajtur një fjalë tjetër të gjatë. Dua së pari të falënderoj Ilirin dhe Martinin për këtë ftesë bujare. I kërkoj ndjesë gjithëkujt që ndoshta do të ndihet disi i shpërfillur, por mund të them se gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot është të isha ulur krah kumbarit të komunitetit shqiptar, zotit Sal Rusi.
Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij, më bën të vuaj mungesa e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar në strehën e tij. Ai është në strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e emërtoi Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Klark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin. Kur them ‘tradhtuar’, është sepse ne, si vend i vogël, ndihemi miq me SHBA-të, më të mëdhenjtë e më të fortët. Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste. Gjeneral, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal”, u shpreh kryeministri Rama. Më tej, ai foli edhe për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri, duke paralajmëruar ardhjen e miliarda eurove në vend, përveç investimit të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump. “Po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda, jo vetëm me projektin e famshëm dhe të jashtëzakonshëm të Kushnerit, por edhe me projekte të tjera të mëdha. Në Shqipëri gjërat janë shumë të qarta. Pasi kemi kaluar një epokë poshtërimi, kur kushdo që donte të fitonte ndonjë palë zgjedhje në ndonjë vend europian e kishte të lehtë, duke treguar shqiptarët si delja e zezë.
Na duhet të bëjmë shumë më tepër, me më shumë kurajë, pa përfshirë në një betejë të pakuptimtë ideologjike zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe pa fajësuar të huajt që po vijnë e po na marrin tokën. Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm dhe më të turpshëm: ‘Shqipëria u përket shqiptarëve’. Por, nëse do të kishte qenë e njëjta gjë për të gjitha vendet ku shkuan dhe lulëzuan shqiptarët, ne s’do të kishim bërë asgjë. Shqipëria i përket Zotit dhe mikut, ashtu si shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”, tha kreu i qeverisë. Kreu i qeverisë foli edhe lidhur me korrupsionin, ku tha se vite më parë ky fenomen ishte gjithkund dhe nuk luftohej. Sot sipas tij sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitetin e vet.
Më tej u shpreh se 10 vite më parë Shqipëria ishte një vend ku kafshët dhe shpendët masakroheshin nga mijëra gjuetarë europianë, ndërkohë që, sipas tij, sot është ndaluar gjuetia dhe shfrytëzimi i pyjeve, janë rritur zonat e mbrojtura dhe numri i shpendëve e kafshëve. Rama tha se sot njerëzit kanë një Shqipëri të re. “Ne shqiptarët, ajo që ne e shohim si problem, partnerët europianë e shohin si sukses. Pyetja është: a mund të ketë një vend më shumë korrupsion nëse ai luftohet çdo ditë? A është e vërtetë që në një vend ku korrupsioni është gjithkund, lufta kundër tij të ndodhë çdo ditë? Jo, nuk është. Dikur në Shqipëri, korrupsioni ishte gjithkund dhe lufta askund. Sot shohim diçka ndryshe. E shohim sepse sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitetin e vet.
Është fjala për një sistem pushtetesh të pavarura që funksionojnë, me gjithë defektet, problemet dhe nevojën për t’u rritur, por sidoqoftë duke shfaqur çdo ditë faktin që ky nuk është vendi ku mund të ecësh dorë për dore me korrupsionin pa asnjë pasojë. Ky është sukses i madh për një vend ku 10 vjet më parë, kafshët dhe shpendët masakroheshin nga mijëra gjuetarë europianë që kalonin në kufirin tonë, që të bënin festë pa rregulla e kontrolle, të vrisnin majtas dhe djathtas, duke lënë pirgje zogjsh të ngordhur.
Sot vendi proteston për biodiversitetin, vetëm 10 vjet më vonë, pasi ndaluam gjuetinë, rritëm zonat e mbrojtura dhe pasi ndaluam shfrytëzimin e pyjeve. Rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve, rritëm shumëfish, si kurrë më parë, sipërfaqen e pyjeve të rikuperuara. Tashmë kemi një Shqipëri të re. Njerëzit duan më shumë. Shqipëria ku njerëzit jetonin me idenë se vendi mund të jetë më keq nuk ekziston më”, tha Rama. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.
