Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Territorialja “përplas” Berishën me aleatët, Ndoka: Dëgjesat me PS-në i kishe “muaj mjalti”! Ne na le në terr


Tryeza e thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me aleatët opozitarë për reformën territoriale u shoqërua me debate dhe kritika për mënyrën se si është zhvilluar deri tani procesi. Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, i kërkoi Berishës një përfshirje më të madhe të partive aleate, duke pretenduar se ato janë mbajtur jashtë konsultimeve për hartën e re territoriale.

Tryeza e thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me aleatët opozitarë për reformën territoriale u shoqërua me debate dhe kritika për mënyrën se si është zhvilluar deri tani procesi. Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, i kërkoi Berishës një përfshirje më të madhe të partive aleate, duke pretenduar se ato janë mbajtur jashtë konsultimeve për hartën e re territoriale. Ndoka kritikoi veçanërisht vendimin e opozitës për t’u përfshirë që në fazat e para në komisionet parlamentare, ndërsa tha se aleatët nuk kishin marrë informacion për procesin dhe nuk ishin bërë pjesë e dëgjesave të zhvilluara me mazhorancën. “Është një gabim themelor që ne morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare”, deklaroi Ndoka. Kreu i demokristianëve pati kritika edhe për propozimin e PD-së për hartën e re territoriale. Demokratët kanë hedhur në diskutim një variant me 100 bashki, por Ndoka e cilësoi këtë numër të pamjaftueshëm dhe kërkoi një numër më të madh njësish vendore. “Edhe propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është eficient, është një numër shumë i vogël. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti”, tha ai.

Sipas Ndokës, Shqipëria mund të organizohet me më shumë se 200 bashki. Ai e lidhi këtë propozim edhe me përfaqësimin politik në zgjedhjet vendore, duke pretenduar se një numër i kufizuar njësish favorizon mazhorancën dhe e vështirëson pozicionin e opozitës.

Ndoka i kërkoi Berishës që konsultimi me aleatët të nisë më herët dhe të jetë më gjithëpërfshirës.

“Mirë do ishte që këto tryeza të ishin bërë më parë. Duhet bashkëpunim institucional që edhe të na informoni, ne kemi qenë në terr informativ”, i tha ai Berishës.

Në këtë mënyrë, tryeza e opozitës, e cila synonte koordinimin e qëndrimeve përballë reformës territoriale të mazhorancës, nxori në pah edhe diferencat brenda saj. Ndërsa PD ka paraqitur variantin e saj me 100 bashki dhe ka marrë pjesë në procesin parlamentar, Ndoka kërkon një hartë me mbi 200 njësi vendore dhe një rol më të madh të aleatëve në vendimmarrje.

Berisha, nga ana tjetër, nuk u ndal drejtpërdrejt te pretendimi se aleatët janë mbajtur jashtë procesit, por e zhvendosi diskutimin te strategjia e opozitës dhe pjesëmarrja e saj në institucionet parlamentare.

“Një opozitë në diktaturë ka dy opsione, ose të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve”, deklaroi kreu i PD-së, duke argumentuar se largimi nga institucionet do t’i shërbente Edi Ramës.

Berisha e lidhi strategjinë e opozitës edhe me protestat, duke deklaruar se largimi politik i Ramës, sipas tij, nuk do të vijë përmes SPAK-ut.

“Këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij”, tha Berisha.

Tryeza për reformën territoriale u shndërrua kështu edhe në një diskutim për mënyrën se si opozita duhet të bashkëpunojë me aleatët. Përtej qëndrimit kundër projektit të mazhorancës, brenda opozitës mbeten diferenca për numrin e bashkive, pjesëmarrjen në procesin institucional dhe mënyrën e koordinimit mes PD-së dhe partive aleate. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb